BotaMAIN

Misteri i zjarrit në aeroportin e Londrës

Në rastin më të mirë, është një ndërprerje e përgjithshme e energjisë, e shkaktuar nga një zjarr në një nënstacion elektrik. Dhe nëse kjo është mundësia më e mirë, është gjithsesi mjaft shqetësuese: Heathrow i mbyllur për 24 orë, 1350 fluturime të anuluara ose të devijuara, 200 mijë pasagjerë të prekur, njerëz të lënë në tokë, të tjerë që në gjysmë të Atlantikut janë kthyer mbrapsht drejt Amerikës, të moshuar të humbur në aeroporte të tjera të Europës, që enden të hutuar pa ditur gjuhën dhe pa ditur si të kthehen në shtëpi, nxënës shkollash të ngecur diku, përvjetorë të shkatërruar, ditëlindje të shkuara dëm, dhe madje një vajzë që nuk arriti të shkonte në varrimin e të atit.

Pa përmendur ata që fluturojnë për punë apo udhëtarët e zakonshëm të së premtes, që është dita më e ngarkuar. Hotelet rritën çmimet me 1850 për qind, miliona dëme, tallje për të gjithë pasagjerët, sepse për një ngjarje të jashtëzakonshme nuk parashikohet as rimbursim i biletës, e as ndonjë formë tjetër kompensimi.

Këto ishin pasojat praktike të mbylljes së aeroportit të Heathrow, në Perëndim të Londrës, një nga nyjet ajrore më të ngarkuara në botë dhe selia qendrore e British Airways në Terminalin 5 me arkitekturë futuriste, një perlë dhe objekt zilie për ata që fluturojnë me linja low cost dhe janë të dënuar të zbresin në Luton, Stansted, apo edhe në Gatwick.

Në skenarin më të keq, bëhet fjalë për një atentat. Zjarri ka shpërthyer në nënstacionin elektrik të North Hyde, pranë zonës Hayes, një periferi e Londrës, rreth një kilometër e gjysmë larg nga aeroporti. Alarmi është dhënë në orën 23:23 të së enjtes në mbrëmje. Dëshmitarët flasin për një shpërthim dhe më pas për flakë të mëdha. Më shumë se gjashtëmbëdhjetë mijë banesa mbetën pa energji elektrike, qindra persona të evakuuar kaluan natën në makina ose rrugëve.

Duhet të kthehemi pas në vitin 2010, te shpërthimi i vullkanit islandez Eyjafjallajökull, po në mars, për të kujtuar një kaos të tillë. Edhe në vitin 2010, një stuhi bore gjatë Krishtlindjeve shkaktoi shqetësime të ngjashme. Atëherë ishte natyra ajo që dërgonte sinjale. Këtu, sinjalet mund të jenë të një tjetër natyre.

Një atentat. Një akt sabotimi.

Spiunë rusë. Një akt frikësimi.

Të gjithë e mendojnë, shumë e pëshpërisin, ndërsa gazetat më të rezervuara (Guardian, Times, Telegraph) për momentin raportojnë vetëm që antiterrorizmi ka nisur hetimet. Tabloidët, ata më të lexuarit dhe më të ndjeshmit ndaj reagimeve popullore (si Daily Mail), flasin për “gjurmë të Putinit” dhe pyesin: a është dora e Putinit pas zjarrit të madh që shkaktoi kaosin në qiellin britanik dhe atë ndërkombëtar? Të gjitha këto aludime janë të mundshme.

Kryeministri britanik Keir Starmer është bërë kampioni evropian i rezistencës së Kievit; pikërisht dje në Angli u mbajt samiti ushtarak i “të gatshmëve”, për të përcaktuar planin e mbrojtjes së qiellit dhe deteve të Ukrainës.

A do kishte tallje më të madhe, se sa të sulmoje mikun e armikut tënd në shtëpinë e vet, të godisje pikërisht “qiellin” e tij? Një paralajmërim. Një provokim.

Sugjerime, mund të thuash — por kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Anglinë, gjithçka është e besueshme. Duke shkuar pas në kohë, mund të fillosh që nga “Pesëshja e Kembrixhit”, pesë spiunë britanikë që papritur u vunë në shërbim të Bashkimit Sovjetik, të kalosh te Ian Fleming dhe agjenti i tij me licencë për të vrarë, e më pas te Graham Greene dhe John Le Carré. Ky mister është vetëm një kapitull i ri që shtohet në serinë e gjatë të helmimeve me polonium, vdekjeve të mistershme të oligarkëve dhe kundërshtarëve të regjimit të Putinit.

Me pak fjalë, Londra dhe Anglia vazhdojnë të jenë vende ideale për të lënë të lirë imagjinatën, dhe pallati i zymtë i MI5 mbi brigjet e Tamizit, përballë me City-n, vetëm sa i jep më shumë ushqim fantazisë dhe ushqen imagjinatën.

Duke qëndruar në realitet, BBC-ja foli dje shumë për “infrastrukturën kritike kombëtare” dhe për NPSA-n. Të parat janë objektivat e ndjeshme, domethënë “strukturat, sistemet, vendet, informacionet, njerëzit, rrjetet dhe proceset e nevojshme për funksionimin e një vendi dhe prej të cilave varet jeta e përditshme”.

E dyta është agjencia qeveritare që duhet të garantojë sigurinë e tyre (nga sulme terroriste ose kërcënime kibernetike) dhe varet nga MI5. Kaosi i djeshëm u shkaktua nga një zjarr i vetëm në një nënstacion elektrik. I qëllimshëm apo jo, mbetet pyetja e madhe: si është e mundur që nuk ekziston një plan B për të mbrojtur një pjesë kaq jetike të infrastrukturës britanike?

Një mister. / La Stampa – Bota.al

Back to top button