Motivuese

Miti i Dedalit dhe Ikarit dhe mesazhi i fshehtë mbi rëniet dhe ngritjet në jetë…

Dikur në kohët e lashta në qytetin e Athinës jetonte një burrë që e quanin Dedal, një artist i madh me aftësi të jashtëzakonshme arkitektonike. Cilido që shikonte skulpturat e tij madhështore të punuara me mjeshtëri të veçantë, veç fjalë të mira thoshte. Fama e Dedalit i kishte tejkaluar territoret e Greqisë dhe falë punës së tij artistike kishte arritur të krijonte një pasuri të kënaqshme. Dedali kishte një djalë, Ikarin, ishte aq i sjellëshëm dhe i zgjuar sa dukej e pabesueshme të ishte i vërtetë.

Megjithëse s’i mungonte thuajse asgjë, brendësisht ëndërronte të udhëtonte në vende të ndryshme dhe të njihte kultura e njerëz të rinj. Derisa një ditë, vendosi të realizonte ëndrrën e tij të madhe… udhëtimet.

Bashkë me të birin hipën në një anije dhe u nisën për rrugë. Udhëtuan kështu për ditë të tëra, derisa mbërritën në ishullin e bukur të Kretës. Sunduesi i atëhershëm i Kretës (Minosi) u shtroi një gosti madhështore, ndihej shumë krenar që në pallatin e tij kishte ardhur artisti më famëmirë i kohës. Duke qenë i paarritshëm në artin e vet, Minosi i kërkoi t’i ndërtonte një pallat të ndërlikuar me qindra ngatërresa, një labirinth të vërtetë, me qëllim që çdokush që të hynte në të, të mos dilte më prej andej. Kishte ndërmend që brenda tij të izolonte përbindëshin më të tmerrshëm, gjysmë-njeri e gjysmë-dem që ushqehej vetëm me mish njeriu.

Ndërsa vitet kishin kaluar dhe Dedali kishte bërë gjithçka mundej për Minosin, i kërkoi të kthehej në Athinë. Mirëpo dinaku i Kretës i tha se kjo ishte e pamundur, dhe se ai tashmë ish bërë pjesë e pallatit të tij.  Qëndrimi i ftohtë i mbretit e detyroi të shtronte një plan vetjak. Mori ca pendë shqiponje dhe ndërtoi dy palë krahë, për vete dhe për të birin. Para se t’i ngjisnin në shpatulla, Dedali e këshilloi të birin të mos fluturonte në afërsi të diellit se nga nxehtësia do të shkrinte dylli, dhe krahët do të shqiteshin. Dita e largimit erdhi… Ndërsa atë e bir fluturonin si shqiponja qiellit të pafund, ndodhi ajo që nuk duhej. Ikari harroi dhe iu afrua diellit, brenda disa çasteve ra në det. Hidhërimi i Dedalit ishte i papërshkrueshëm, derdhja e lotëve nuk arriti t’i shëronte plagën e humbjes së djalit të vetëm, edhe pse vazhdoi të ndërtonte godina të mrekullueshme, zemrën e kishte te pushtuar nga një re dhembjeje…

Edhe pse mund të duket sikur mesazhi i këtij miti është fakti se duhet t’i bindemi prindërve, të cilët kanë më shumë eksperienca se ne, realisht ky është thjesht mesazhi parësor, ndërsa mesazhi i fshehtë i këtij miti është se nuk duhet të fluturojmë shumë lart apo të biem shumë thellë në jetë. Rënia e thellë me anë të dështimeve na demoralizon totalisht, ndërsa ngritja e lartë shpesh na bën të mos i kuptojmë dëmet që u shkaktojmë njerëzve të tjerë, pasi verbohemi prej suksesit, duke harruar se suksesi dhe kënaqësia jonë janë të nevojshme, por jo në këmbim të lumturisë së atyre që i duam dhe na duan…

Leave a Reply

Back to top button