Shkence

MJEKESI / Sfida e fundit ndaj superbakterëve. Antibiotikët nuk kurojnë më

mjekesiKa dalë nga spitalet për të hyrë në shtëpira, në shkolla dhe në lokalet e zonës veriore të Manhattanit. Stafilokoku një herë e një kohë ishte një bakter që provokonte polmonitin e rëndë dhe infeksione të lëkurës, vetëm si një efekt anësor, për ata të sëmurë që ishin goditur prej sëmundjesh të tjera. Një herë e një kohë ama. Sot, siç dokumentohet në një studim të kohëve të fundit që është kryer në New York, transmetohet edhe në shoqëri, mes personave të shëndetshëm. Të cilët sëmuren, dhe ndonjëherë nuk munden të shërohen.

Ky lloj Stafilokoku është njëri prej baktereve që janë “nisur” në sulm kundër botës, mikro-organizma kundër të cilëve antibiotikët janë gjithnjë e më pak efikasë, madje ndonjëherë të pafuqishëm. Disa janë ende të mbyllur në spitale, aty ku vrasin me një shpeshtësi gjithnjë e më të madhe, të tjerë kanë arritur të dalin. Ndërsa të tjerë akoma, kanë qenë gjithmonë jashtë por një herë e një kohë mbaheshin nën kontroll. Kemi marrë shumë ilaçe në këta vite, kemi kuruar me penicilina dhe të ngjashmet e tyre shumë infeksione viralë apo probleme të natyrës infektive. Kështu, pak e nga pak, janë zhvilluar rezistenca ndaj këtyre medikamenteve, deri sa kanë mbërritur në një pikë ku Organizata Botërore e Shëndetësisë është detyruar të lëshojë alarmin: “Rreziku nuk është më një parashikim për të ardhmen, por një emergjencë reale në të gjithë rajonet e globit”. Nuk përpiqet të zbusë asgjë Keji Fukuda, zëvendës drejtor i përgjithshëm i OBSH, përgjegjës për sigurinë shëndetësore, teksa paraqet një raport me të dhënat nga 114 vende. Arrin deri aty sa të hedhë hipotezën e një epoke “post-antibiotike”, me infeksione të zakonshëm, që edhe pse prej disa dekadash janë kuruar pa probleme, tani mund të rikthehen në vdekjeprurës. “Bëhet fjalë për një prej rreziqeve më të rëndë për shëndetin, me të cilin duhet të ndeshemi”.

Që kur u zbulua dhe u komercializua penicilina në vitni 1941, antibiotikët u shndërruan në një gur themeli për mjekësinë moderne. Por është abuzuar, mbi të gjitha vitet e fundit. Dhe ndërkohë që bakteret janë mësuar t’i përballojnë dhe kanë pësuar mutacione për të mos u luftuar kollaj, kërkimi shkencor është ndalur. Dhe që nga fundi i viteve tetëdhjetë, thotë OBSH, nuk ka patur krijim të molekulave të reja dhe të rëndësishme për këtë qëllim. Kohët e fundit, në të përditshmen Wall Street Journal u publikua një artikull që tregonte se si “në 15 vitet e fundit, kompanitë farmaceutike kanë hequr dorë në masë nga prodhimi i antibiotikëve, për shkak të kostove të kërkimit, fitimeve të pakët dhe pengesave të tepruara rregullatore. Si pasojë, miniera e antibiotikëve të rinj shteroi”.

Drejtori i departamentit të sëmundjeve infektive në spitalin e Pizës, Francesco Menichetti, i angazhuar në frontin e infeksioneve spitalorë, shpjegon se si “politika duhet të vihet në lëvizje për të tërhequr investime dhe për t’u dhënë garanci kompanive farmaceutike. Po kështu, duhet të zhvillohet kërkimi i pavarur, për të studiuar lidhjet mes medikamenteve ekzistues, si dhe krijuar kokteile efikasë për të kontrolluar këta infeksione”.

Duhet të dalë hapur industria, duke mbajtur parasysh që antibiotiku modern, siç ka përllogaritur London School of Economics, është mesatarisht tre herë më pak fitimprurës se sa një ilaç onkologjik dhe dhjetë herë më pak fitimprurës se sa një ilaç për aparatin muskulo-skeletor.

Mes gjashtë superbaktereve që shkaktojnë më shumë frikë, përvec Stafilokokut, janë E.Coli, Klebsiella Pneumoniae, Pneumokoku, Salmonellosi dhe Gonokoku. Ky i fundit është përgjegjës për gonorrenë, një sëmundje që transmetohet seksualisht, e cila një herë e një kohë mbahej nën kontroll dhe sot është gjithnjë e më e përhapur, për arsye se cefalosporinat nuk funksionojnë më për ta luftuar në vende si Austria, Kanadaja, Franca, Japonia, Suedia, Britania e Madhe. Klebsiella, që zakonisht provokon infeksione spitalorë, u reziston antibiotikëve në 50% të rasteve, ashtu sikurse dhe E.Coli.

Për t’i bërë ballë emergjencës duhet të fillohet nga qytetarët, sugjeron OBSH. Duhet të marrin antibiotikë vetëm kur rekomandohen nga mjeku, si dhe të përfundojnë ciklin e kurimi, edhe nëse ndihen mirë para përfundimit të tij. Farmacistët dhe mjekët duhet të fuqizojnë parandalimin e sëmundjeve dhe të rekomandojnë penicilinën, vetëm kur është e domosdoshme. Vetëm kështu mund të kufizohen superbakteret në spitale. Për ta kryer pastaj aty luftën kundër tyre.

 

Leave a Reply

Back to top button