Analiza

Modeli i ri i diktatorit. Përse Putinomania është më e rrezikshme se sa tanket ruse

Sekreti i joshjes prej Putinit është shumë i thjeshtë: Nëse urren dominimin e Amerikës në çështjet globale dhe gjithë sa shkon bashkë me këtë dominim (ekonomi liberale, të drejta të homoseksualëve, The Simpsons) atëherë me shumë gjasë do të gjesh diçka për ta pëlqyer tek operativi në krye të Kremlinit. Partia Komuniste Kineze? Shumë e mërzitshme. Ajatollahët e Iranit? Shumë fetarë. Venezuelasit, bjellorusët, sudanezët? Jo seriozë. Por Rusia e Putinit është e madhe, e egër, dhe e armatosur rëndë – e aromatizuar këndshëm me një kulturë pop të pavlerë si edhe një dozë krekosjeje neofashiste. Cfarë ka për të mos pëlqyer?

Screen Shot 2015-02-14 at 10.06.07

Christian Caryl

Për pjesën më të madhe të Perëndimit, Vladimir Putini është një gogol. Marrëdhënia e tij e dashurisë me separatisët banditë në Ukrainën lindore e ka errësuar imazhin e tij nëpër botën demokratike. Në nëntor atij iu desh të largohet para kohe nga samiti i G20 në Australi, pasi u shpërfill nga pothuajse çdo udhëheqës i rëndësishëm.

Megjithatë, pritja që iu bë gjatë vizitës shtetërore në Egjipt në fillim të kësaj jave nuk mund të kish qenë më e ndryshme. Mediat shtetërore në Kairo “iu lëpinë’ gjithë kohës presidentit rus. Portreti i Putinit zbukuronte rrugët e Kairos, e madje një gazetë printoi fotografitë e tij lakuriq nga mesi e lartë. (Jo tamam një stil i mirë prej islamikësh, mund të themi).

Komentatorët me të drejtë vunë re realpolitikën prapa kësaj vizite. po, sigurisht, diktatura e Sisit ka gjetur pritjen e acartë nga ana e amerikanëve, kështu që ai tani po përpiqet të tregojë se mund të gjejë miq gjetkë, nëse dëshiron.

Por ndoshta pati pak më shumë se sa realpolitikë në këtë vizitë. Një tregues i rëndësishëm erdhi prej “himnit” 1000 fjalësh kushtuar Putinit në të përditshmen Al-Ahram, zëdhënësja zyrtare e regjimit të Sisit. Profili përshkruante ngjitjen e Putinit, nga fillesat e tij si një zyrtar i niveleve të ulët të shërbimit të fshehtë sovjetik, në polifikanin e fortë global që ia ka dalë mbanë të rikthejë fuqinë kombëtare të Rusisë. Korrespondentja e Uashington Post, Erin Cunningham vërejti se presidenti egjiptian, i cili në fillimet e karrierës ka punuar në shërbimin e fshehtë egjiptian, është një njeriu shumë i lumtur që shihet si dikush që mund të ndjekë gjurmët e kampionit të gjahut dhe xhudos në Moskë. “Putini, ashtu si Sisi, shihet pra si një politikan burrëror, i fortë, i cili shtyp disidencën dhe i kundërvihet Perëndimit”, shkruante ajo.

Sisi nuk është i vetmi që shfaq simptoma serioze të një njeriu që e adhuron Vladimir Putinin. Në disa qarqe, ky frymëzon një adhurim i cili shkon përtej kërkesave të protokollit diplomatik.

Shumë shtete kanë arsye të shëndosha ekonomike për t’ia bërë qejfin Pekinit – megjithatë ka një mungesë të madhe udhëheqësish botërorë që do të preferonin stili personal të Xi Jinpingut. Megjithatë, vetë Putini gëzon një lloj kulti personaliteti mes kinezëve të zakonshëm.

Një sondazh i kohëve të fundit nxorri se mbështetja për Putinin atje është 92%, dhe biografi i tij kryesor kinez thotë se libri i tij për presidentin rus ka shitur shumë më tepër kopje se sa biografitë e Obamës, Thatcherit dhe Nelson Mandelës.

Mendoni presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili ka kohë që i ka thurur lavde Putinit – ndoshta sepse ai e sheh karrierën e Putinit si një libër mësimor, se si ta zhbësh demokracinë dhe ta zëvendësosh atë me një autokraci nacionaliste me rrënjët tek feja dhe “vlerat konservative”. (Sigurisht, në rastin e Erdoganit feja në fjalë është Islami – po çfarë rëndësie kanë detajet?) Ashtu si ish oficeri i KGB që u shndërrua në kristian ortodoks, Erdogani paraqitet si një besimtar i sinqertë dhe një burrë i fortë, të cilit nuk ia bën syri tërr, nga ai lloj burri që ngazëllehet prej vetë përbuzjes që ai ndien ndaj korrektësisë politike të të gjithë ngjyrave. populistëve u pëlqen Putini. Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro bëri thirrje që Putini të marë Cmimin Nobel për Paqen. Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner e ka vlerësuar presidentin rus për politikat e tij në media si dhe për aneksimin e Krimesë. Dhe një aromë tipike Putineske u ndie tek fjalimi i Kryeministrit hungarez, Viktor Orban në verë të vitit që kaloi, në të cilën ai ngriti në qiell vlerat e “demokracisë joliberale”, me anë të të cilës nënkuptonte një lloj autoritarizmi “të butë” të bazuar në mbështetjen e shumicës – diçka e ngjashme me versionet rusë dhe turkë të autokracisë, të ngritur mbi themelet e zgjedhjeve periodike. (Nuk është çudi pra që miqtë e Orbanit në Bashkimin Europian kanë nisur të vënë në dyshim përkatësinë e tij në këtë klub).

Por jo të gjithë pjesëtarët e klubit të fansave të Putinit motivohen vetëm prej ideologjisë. Putinmania është një fenomen njëkohësisht i gjerë dhe i përhapur. Në Britani, edhe nacionalisti anglez Nigel Farage dhe nacionalisti skocez Alex Salmond i kanë ndarë me tepri ndjenjat e tyre për udhëheqësin rus. Putini gëzon simpati nga e djathta ekstreme (Marine Le Pen në Francë) dhe e majta ekstreme (Alexis Tsipras në Greqi). Në Shtetet e Bashkuara, apologjetë e tij janë, që nga ish yje të kinemasë, deri tek profesorë liberalë universitetesh e deri tek konservatorët homofobë. Sekreti i joshjes prej Putinit është shumë i thjeshtë: Nëse urren dominimin e Amerikës në çështjet globale dhe gjithë sa shkon bashkë me këtë dominim (ekonomi liberale, të drejta të homoseksualëve, The Simpsons) atëherë me shumë gjasë do të gjesh diçka për ta pëlqyer tek operativi në krye të Kremlinit. Partia Komuniste Kineze? Shumë e mërzitshme. Ajatollahët e Iranit? Shumë fetarë. Venezuelasit, bjellorusët, sudanezët? Jo seriozë. Por Rusia e Putinit është e madhe, e egër, dhe e armatosur rëndë – e aromatizuar këndshëm me një kulturë pop të pavlerë si edhe një dozë krekosjeje neofashiste. Cfarë ka për të mos pëlqyer?
Ndoshta më e rëndësishmja, Vladimir Vladimiroviçi nuk ka kurë frikë të marrë qëndrim. Ndonëse i pëlqen që të luajë burrin e shtetit të kthjellët, ai është i lumtur të marë edhe role të tjerë kur i shkon për shtat. Ai vetë ia përshkruan vetveten biografëve si një “punk” në rininë e tij dhe është fotografuar me motorristë nga ata të veshur me lëkurë nga koka tek këmbët.
Ai është një nga ata djemtë e këqinj që mund të tallet me feminilitetin e HIllary Clintonit dhe të bëjë shaka për përdhunimin. Eshtë një fakt i trishtë i psikologjisë njerëzore, por ka shumë njerëz që u tingëllon “seksi” kjo lloj sjelljeje.
Në të vërtetë, për Putinin mund të flasësh po aq shumë për sjelljen, sa edhe për politikat e tij. Në këtë kuptim, shfaqjet periodike të luftëdashjes nga ana e tij nuk duhen parë si efekte anësorë të rëndomtë – ato janë pjesë integrale e një strategjie frikësimi të përllogaritur me kujdes, jo shumë e ndryshme nga ajo e ekzekutimeve me prerje koke të Shtetit Islamik, që synon njëkohësisht të kërcënojë armiqtë dhe të joshë ata që mendojnë njësoj.
Megjithatë, pavarësisht shprehjes së besnikërisë së miqve të tij, vendi që udhëheq Putini po zhytet në një lloj izolimi më të plotë se sa në cilëndo perudhë tjetër qysh nga vitet tetëdhjetë. Ndërkohë që sanksionet nisin të kafshojnë dhe çmimet e naftës bien, kapardisje e kreut të Kremlinit po na shfaqet gjithnjë e më e cekët. Nuk i dihet: Shumë shpejt kjo mund të jetë gjithçka që i ka mbetur. /FP/

e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button