Horizonti.al

Mos ndërhyni mbi çdo zënkë që u ndodh fëmijëve tuaj në oborrin e shkollës, por ndihmojini të mësojnë t’i zgjidhin vetë ato


Nga Jessica Grose

“New York Times”

Në shumicën e rasteve kur i merrja dy vajzat e mia nga shkolla fillore, ato dilnin me kënaqësi nga dera e shkollës. Rrugës më tregonin se çfarë kishin bërë atë ditë, me cilët kishin luajtur gjatë pushimit, apo disa fakte rreth Betejës së Saratogës.

Por herë pas here në oborrin e shkollës ka ndonjë zënkë të vogël. Ndaj ndodh ndonjë herë që njëra prej tyre të dalë jashtë nga shkolla e tërbuar nga inati për ndonjë gjë të vogël që ajo e percepton si të pakëndshme, dhe të cilën ma rrëfen ne detaje gjatë rrugës për në shtëpi.

Dhe zakonisht unë kam mundësi të dalloj pa shumë vështirësi, nëse fëmija im ka pasur ndonjë rol në atë zënkë. Për shembull, askush nuk të kërcënon pa asnjë arsye se nuk do të të ftojë në festën e tij të ditëlindjes. Por kohët e fundit, një nga fëmijët e mi më tregoi për një sulm të paprovokuar nga një fëmijë i vogël çamarrok që e ofendoi atë.

Këshilla ime disi e çuditshme ishte: Ktheji përgjigje me disa fjalë të zgjedhura, që nuk mund të thuhen këtu mes nesh. Ai nuk ishte momenti im më i mirë si prind. Por as më i keqi. E kuptoj që t`i japësh leje një 9-vjeçareje për të reaguar njolloj si ai që e ofendoi nuk është ideale, dhe më pas ne zhvilluam një bisedë të dytë mbi këtë çështje.

Ne diskutuam që ajo të mos hakmerrej në mënyrë agresive, por në mënyrë të atillë që askush mos t`i flasë më në atë mënyrë. Edhe pasi e tërhoqa përgjigjen time fillestare, parimi bazë mbeti i njëjtë: Unë dua që fëmijët e mi të jenë në gjendje të dinë ta mbrojnë vetë veten e tyre, brenda arsyes, dhe dua që ata të ndërtojnë aftësitë sociale të nevojshme për të menaxhuar konfliktet me bashkëmoshatarët, pa pasur nevojë që të vrapojnë dhe të kërkojnë ndërhyrjen e një të rrituri.

Në sinjalizimet e mëhershme për ngjarje të tilla, mësuesit më kanë thënë se zgjidhja e konfliktit është një aftësi sociale që është dobësuar shumë: Fëmijët vrapojnë sot më shpejt tek një i rritur për të zgjidhur një problem, sesa ndodhte përpara pandemisë.

Këtë pranverë, kur kolegët e mi të NYT anketuan 362 këshilltarë shkollorë, 73 për qind e tyre thanë se nxënësit po hasin shumë vështirësi në zgjidhjen e konflikteve me shokët e tyre të klasës. Unë doja të kuptoja më mirë motivimet e fëmijëve të mi dhe shokëve të tyre të klasës, ndaj telefonova Skot Hershovic, profesor i filozofisë dhe ligjit në Universitetin e Miçiganit.

Ai është autor i një libri të ri të mrekullueshëm “E ndyrë, e shëmtuar dhe e shkurtër: Aventurat në filozofi me fëmijët e mirë”, që analizon në detaje etikën e zënkave në terrenet e lojërave. “Kultura e fëmijëve është në shumë mënyra një hakmarrje, një kulturë e bazuar tek parimi i nderit. Këndi i lojërave është një vend, sidomos për ata në shkollën fillore dhe të mesme, i hierarkisë sociale. Ndaj ata janë shumë vigjilente ndaj mënyrën se si shihen dhe perceptohen sipas rendit”- më tha Hershovic.

Ai mendon se prindërit duhet ta kuptojnë këtë gjë, dhe të jenë realistë. Hershovic nuk rekomandon që ne t’i lejojmë fëmijët të jenë pjesë e ndonjë peizazhi të dhunshëm si tek filmi “Zoti i Mizave”, apo të lejojmë që të ngacmohet cilido.

Libri i tij synon të na ndihmojë të formulojmë përgjigje që adresojnë shqetësimet reale të fëmijëve tanë, të cilat thotë ai, kanë të bëjnë me respektin për veten dhe statusin shoqëror. Asnjë fëmijë nuk dëshiron që të shihet si lloji i fëmijës të cilin fëmijët e tjerë mund ta shtyjnë pa u ndëshkuar.

Një nga mënyrat se si Hershovic dhe 3 ekspertë mbi shëndetin mendor të fëmijëve me të cilët bisedova rekomandojnë për t’i ndihmuar fëmijët të përballen me konfliktin që mund të kenë me bashkëmoshatarët, është duke u mësuar atyre t’i injorojnë ata thotë Xhejkëb Taueri, psikiatër për fëmijët, adoleshentët dhe të rritur në Palo Alto, Kaliforni, dhe autor i “Librit kundër depresionit: Një udhëzues praktik për adoleshentët dhe të rinjtë për të kapërcyer depresionin dhe për të qëndruar të shëndetshëm”.

Doktor Taueri jep shembullin e mëposhtëm, me dy fëmijë që ulen bashkë në një bankë në klasë: “Njëri nga fëmijët bezdiset, pasi tjetri vazhdon të bëjnë një tingull që është irritues, enkas për të mërzitur shokun. Por sa më shumë që fëmija i dytë ka mundësi ta injorojë atë situatë dhe të mos veprojë si i shqetësuar, duke mos i dhënë fëmijës së parë asnjë kënaqësi, shumë shpejt zhurmuesi do të mërzitet, dhe mund ta ndalojnë sjelljen e gabuar. Ju mund ta ktheni vëmendjen tek fëmija tjetër kur ai nuk është aq irritues”- thotë Taueri.

“Hierarkia sociale ka potencialin të funksionojë për fëmijët. Njerëzit me një status të lartë nuk lëndohen nga personat me status të ulët. Nëse unë i jap të kuptojë ngacmuesit se “Nuk jam i lënduar”, kjo është një mënyrë për t’i sinjalizuar atij statusin tim të lartë”- shton eksperti.

Të katërt specialistët me të cilët fola rekomanduan gjithashtu përpjekjen për ta bërë fëmijën tuaj të ndjejë empati për fëmijën me të cilin është duke u zënë. Salli Hanter, profesoreshë e asociuar klinike e studimeve për fëmijë dhe familjet në Universitetin e Tenesit, Noksvil,

tha se përpiqet t’u tregojë fëmijëve të saj se ata mund të mos kenë të gjithë informacionin e plotë mbi atë që po ndodh në jetën e një fëmije tjetër, gjë që mund t’i çojë ata drejt sjelljeve të tilla.

Ajo u thotë djemve të saj se nuk mund të kontrollojnë dot mënyrën se si sillet dikush tjetër, por mund të kontrollojnë vetëm reagimin e tyre. “Jeta është 10 për qind ajo që ju ndodh juve, dhe 90 për qind reagimi juaj”- thotë ajo. Për sa i përket reagimeve, nëse fëmijët tanë nxehen shumë në një debat me një shokun e tyre, thotë doktor Taueri, megjithëse kjo kërkon shumë pjekuri, ne mund t’i këshillojmë që të distancohen derisa të jenë më pak të lodhur.

“Lëreni debatin me atë tjetrin, dhe rikthehuni kur të jeni më të qetë”- thekson ai. Ndërsa ne prindërit duam t’u japim fëmijëve tanë mjetet për t’u përballur me konfliktin pa pasur nevojë që të përfshihemi drejtpërdrejt, kjo s’do të thotë që duhet t’i lëmë ata të kujdesen për veten e tyre në një situatë të bullizmit. E pyeta mbi këtë situatë Saskia Ferrar, psikologe në Spitalin e Fëmijëve në Montreal, Kanada, e cila ka bërë kërkime mbi adoleshentët dhe zgjidhjen e konflikteve, dhe mbi mënyrën se si bëjmë dallimin midis bullizmit dhe konfliktit “normal” mes fëmijëve.

“Dallimi më i madh midis konfliktit të zakonshëm midis bashkëmoshatarëve dhe bullizimit ka të bëjë me pozitat e fuqisë. Në konfliktet e zakonshme, fëmijët janë në pozita të barabarta. Ndërkohë, bullizmi përfshin akte të përsëritura dhune të shkaktuara nga dikush që ka më shumë fuqi ndaj dikujt me më pak fuqi.

Kjo fuqi mund të jetë fizike, ku ngacmuesi dominon viktimën pasi është më i fortë fizikisht. Por mund të bazohet edhe në status, si për shembull kur një fëmijë më popullor në klasë apo në shkollë, tall në mënyrë të përsëritur një bashkëmoshatar më pak të spikatur. Në secilin rast, fëmija i viktimizuar nxitet të ndihet inferior. Shenjat shqetësuese kur duhet kujdesur vërtet, mund të përfshijnë shpeshtësinë dhe intensitetin e konflikteve dhe perceptimin e fëmijës se çfarë mund të bëjë në këtë situatë.

Kur një fëmijë i thotë prindit se ai nuk mund të mbrojë veten, sepse filani është më i fortë, ose ka një grup më të madh shokësh, apo se nëse ankohet mund ta pësojë edhe më keq, atëherë mund të jemi përballë një rasti të bullizmit. Nëse dyshoni se fëmija juaj po bullizohet apo është vetë dhunuesi, do të ishte e përshtatshme të flisni me mësuesin e fëmijës suaj, prindin e fëmijës tjetër ose ndonjë autoritet tjetër.

Por atëherë kur mundemi, duhet të përpiqemi që të largohemi nga këto zënka, sidomos kur fëmijët tanë janë më të rritur. Unë do t’i inkurajoja prindërit të ndjekin shembullin e fëmijëve të tyre: disa do të duan ndihmën dhe këshillat e prindërve të tyre, ndërsa të tjerët mund të duan thjesht mbështetje psikologjike”- thotë Ferrar.

Në rastin e vajzës sime, ajo thjesht donte të shfrynte dufin, dhe u tmerrua paksa nga sugjerimi im për një kundërpërgjigje të ashpër. Edhe pse e dinte që unë nuk po ia sugjeroja seriozisht që ajo të tallej menjëherë me fëmijën që e kishte ofenduar, unë mendoj se ajo e vlerësoi faktin që unë ia bëra të qartë se ai kishte gabuar, dhe se ajo nuk duhej ta pranonte mungesën e respektit nga ana e tij.

“Edhe pse e urrej idenë që dikush mund të ofendojë fëmijët e mi, një pjesë e jetës është të mësosh se si të çash nëpër shtigjet e saj të vështira, ndaj të duhet një “lëkurë shumë e trashë”. Sa më shumë prindër të qëndrojnë jashtë këtyre zënkave të vogla, aq më shumë fëmijët do të mësojnë se si t’ia dalin vetë mbanë”- përfundon Dr.Taueri.

Back to top button