Analiza

Mos u mbështetni tek Myler e Rusia: S’ka shkop magjik, për të na çliruar nga Trump apo Brexit

Nga Nesrine Malik

Gati një vit më parë, Radio Publike Amerikane, NPR, intervistoi biografin e Robert Mylerit, Garet Graf. Libri ishte një hagiografi klasike amerikane. Myleri “i pasur”, shkoi të studiojë në Universitetin e Prinstonit, pastaj ndoqi shokun e tij të ngushtë Dejvid Haket në Luftën e Vietnamit, pasi Haket u vra në përpjekje për të shpëtuar një togë ushtarësh që kishte rënë në një pritë.

Biografi i tij, ishte kujdesur të përmendte që në fillim se Myleri në fakt, nuk kishte të drejtë të shërbente në ushtri. Një gju i lënduar, e kishte përjashtuar nga rradhët e ushtrisë, por pas 1 viti shkëputje, ai kërkoi më ngulm të shkonte në front. Në Vietnam u mbulua me lavdi, dhe fitoi medaljen e trimërisë për shpëtimin e 2 marinsave të plagosur.

Intervista ishte e ngarkuar me shumë nëntekste. Kishim pra një njeri, që ishte antimateria e Donald Trumpit. Një njeri, që kishte një arsye legjitime të mos shkonte në luftë, ndryshe nga ai që ju e dini, dhe që megjithatë luftoi. Detyra për të shkatërruar Trump, dhe rikthimin e SHBA-së në statusin e saj të dikurshëm, nuk mund t’i jepej një figure më të përshtatshme se ai.

Një republikani, që ka luftuar në frontin e luftës. Legjenda e Mylerit, u shkrua përpara se ai ta jetonte atë. Perversioni historik i ngjarjeve që e çuan Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, mund të kishte ndodhur vetëm nëse do të kishte ndërhyrë një fuqi e huaj nihiliste. Kjo, dhe telashet e tij ligjore, me siguri që do ta fundosnin Trumpin.

Por nuk qe e thënë. Ndërsa raporti i Mylerit nuk është publikuar tërësisht, tanimë është e qartë se Trump nuk do të fajësohet për ndonjë shkelje, dhe do të garojë për një mandat të dytë. Për SHBA-në nuk do të ketë pra një ndryshim të shpejtë të gjendjes ku ndodhet.

Midis besimtarëve të një “Russiagate”, ka nga ata që mund ta ketë shfrenuar deri diku fantazinë. Por është një pilulë që është kuptueshmërisht e vështirë për t’u gëlltitur, që pavarësisht të gjitha shkeljeve të Trump, nuk do të ketë asnjë gjykim penal. Dhe çfarë ndodh tani? Raporti i Mylerit, kishte investuar shumë tek ideja, se e gjitha kjo mund të jetë thjesht një ëndërr e keqe.

Kjo është një jehonë e refrenit të vitit 20017, se “Hilari Klinton e fitoi votën popullore”. Edhe nëse kolegji zgjedhor nuk është më i përshtatshëm për qëllimin, rreziku i vërtetë me të cilin duhet të ballafaqohemi, është fakti pse Trump mori kaq shumë vota.

Por jo, liberalët i thonë vetes se fajin e ka sistemi, se është Rusia ajo që sulmoi Komitetin Kombëtar Demokrat, se këtu ka ndikuar edhe shkarkimi i Xhejms Komejt, dhe se është përgjegjësi e ‘The Neë York Times” që mbuloi gjerësisht hakerimin e vjedhjes kibernetike të e-maileve të Klintonit.

Ajo që ne duhet të pranojmë, është se mund të jenë edhe që të gjitha këto gjëra, por ato sërish nuk ndryshojnë faktin se miliona njerëz votuan për Trumpin, për të rikthyer nativizmin, dhe për t’u shkaktuar dhimbje të tjerëve. Ta mohosh këtë, do të thotë të jesh ende i dehur nga teoria e “jashtëzakonshmërisë amerikane”, pavarësisht të gjitha fakteve kundër në 3 vitet e fundit.

Kjo tregon se sa shumë të izoluar janë disa, nga mënyra se si funksionon aktualisht SHBA-ja. Ata që merren me politikat më të zhurshme të Trump – mbi njerëzit me ngjyrë, emigrantët dhe myslimanët – nuk kanë fantazi të tilla për SHBA-në ”e vërtetë”.

Një arratisje e ngjashme nga realiteti, ndodh edhe me shkeljet mbi financimin e fushatës, apo parregullsitë e financimit të fushatës pro Brexit. Votuesit iu nënshtruan propagandës së djathtë kundër BE-së dhe emigracionit, shumë kohë përpara se të mbahej referendumi.

Masat financiare shtrënguese dhe fragmentarizimi, bënë pjesën tjetër. Asnjë nga këto nuk është e thjeshtë për t’u përtypur. Dhe kështu, në vend të kësaj, një referendum i dytë bëhet shkopi ynë magjik, “raporti Myler” i Mbretërisë së Bashkuar. Por nuk ka asnjë mënyrë për të dalë nga ky debat.

Fiksimi pas diferencës së ngushtë të humbjes në referendum, e humbet fokusin nga thelbi. Miliona votues britanikë, mund të mos e dinin në detaje se mbi çfarë po votonin, ata mund të mos ishin në gjendje të kuptonin dallimin midis një bashkimi doganor dhe anëtarësimit në një treg të përbashkët.

Por ata e dinin se çfarë ishin duke refuzuar:emigrantët, një sistem ekonomik të fragmentarizuar, një parlament jo përfaqësues. Disa votues pro Brexit, janë duke i kërcënuar gazetarët, dhe sillen rreth figurave të Tereza Mej dhe Sadik Khan, të tjerë thjesht e shohin Brexit-in si mënyrën e fundit për të rifituar njëfare kontrolli mbi jetën e tyre.

Brexit dhe Trump, nuk ishin perversione të shkaktuara nga aktivistët e korruptuar, por kulmime natyrale të dështimeve disa dekadëshe të politikës. Është koha të përballemi me këtë realitet, dhe të heqim dorë nga “mbulesat komode” psikologjike. Sikurse thoshte Maja Angelu, kur kombet tregojnë se kush janë, besojuni atyre herën e parë.

“The Guardian” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button