Shkence

MREKULLITE E SHKENCES / Qelizat si mjet shërimi

qelizatEdhe mjekësia e ka patur momentin e artë, të ngjashëm me atë të ndarjes së atomit në fizikë: aftësia për të ndarë, bashkuar dhe çliruar fuqinë e jashtëzakonshme që ndodhet tek genet dhe qelizat. Momenti i madh ka ardhur nga shkrirja e dy fushave – terapia e gjeneve dhe terapia e qelizave – që sot po sjellin kura dhe trajtime prej mrekullish. Por në një kohë që kërkimet e atomit patën një debutim të vetëm dhe shpërthyes, trajtimet e bazuar tek gjenet dhe qelizat kanë patur disa faza, pas fillimeve jo shumë premtues. Një hap i madh përpara u hodh në vitin 1985 kur shkencëtarët nisën të lëvizin gjenet në qelizat e gjitarëve, duke i transferuar më parë në një virus. Gjenet, ndonëse hasnin fillimisht vështirësi, më në fund hynin në bërthamën e qelizës dhe nisnin të punonin përkrah gjeneve të lindur, që ndodheshin tashmë aty. Më pas, gjërat shkuan keq. Jo vetëm që terapia e gjeneve nuk arriti të kurojë sëmundjen, por Jesse Gelsinger, një djalë me një çrregullim të rrallë metabolik, vdiq gjatë një eksperimenti klinik në vitin 1999.

Vetëm kohët e fundit kanë nisur të triumfojnë terapia e gjeneve dhe qelizave, duke huazuar dhe shkrirë në një qasjet e njëra-tjetrës. Një provë e jashtëzakonshme erdhi në vitin 2007, kur shkencëtarë gjermanë trajtuan një pacient 40 vjeçar për HIV dhe leuçemi me anë të qelizave të cilave u mungonte receptori i HIV, gjë që i bënte ato rezistente ndaj virusit. Pacienti u kurua dhe, tre vjet më vonë, mbetet në gjendje të mirë. Në një tjetër sukses mbresëlënës, shkencëtarët në Itali dhe në SHBA kuruan fëmijë me keqfunksionim që shkaktonte një grumbullim të produkteve toksikë, që shkatërrojnë sistemin imunitar. Doktorët u dhanë pacientëve qeliza që përmbanin kopje të një gjeni që funksiononte mirë për enzimën; pas kësaj, sistemi imunitar i bebeve ishte në gjendje të rindërtohej vetë.

Terapia e kombinuar po fiton edhe më shumë fuqi teksa shkencëtarët manipulojnë gjenet për të kthyer qelizat e zakonshme në gjendjen e tyre embrionale. Qelizat embrionale mund të rikthejnë në gjendje të mirë trurin dhe sistemin imunitar, si dhe të rigjenerojnë organet. “Po vjen koha kur në te jemi në gjendje të riparojmë indet e zemrës pas një ataku dhe të rikthejmë prurjen e gjakut në gjymtyrë, që përndryshe do të ishin amputuar”, thotë profesor Robert Lanza. “Atëherë do të shohim pas në kohë e do të themi: A e besoni dot sa shumë kanë vuajtur njerëzit?”

bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button