
MSS-i kinez, me 800.000 agjentë dhe operacione globale, i tejkalon CIA, FBI dhe MI6 së bashku dhe është një nga aktorët më “të frikshëm” në botë. Ja çfarë dimë për të
Në epokën e rivaliteteve të reja globale, lufta për informacion është bërë po aq vendimtare sa edhe ajo për territore. Në qendër të kësaj beteje të padukshme qëndron Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit (MSS), një aparat inteligjence që, sipas shumë analistëve, po zgjeron ndikimin e tij në mënyrë të paprecedentë në mbarë botën.
Me rrjete rekrutimi që shtrihen nga rrjetet sociale deri te strukturat shtetërore, dhe me operacione që prekin teknologjinë, mbrojtjen dhe politikën ndërkombëtare, MSS po shihet gjithnjë e më shumë si një nga instrumentet më të fuqishme të ndikimit strategjik të Kinës në shekullin XXI.
Një episod i fundit spiunazhi që ndodhi në Greqi ka rikthyer në qendër të vëmendjes aparatin e fuqishëm të inteligjencës kineze, Ministrinë e Sigurisë së Shtetit (MSS). Çfarë ndodhi në hijen e Athinës? Ja faktet, shkurtimisht: një komandant i forcave ajrore greke pranoi se ishte rekrutuar përmes LinkedIn nga një agjent kinez, i identifikuar si “Steven Wayne”, i cili u prezantua si përfaqësues i një kompanie teknologjike.
Bashkëpunimi, fillimisht i padëmshëm dhe i lidhur me studime për një faqe interneti fasadë, u shndërrua shpejt në presione dhe shantazh për të marrë informacione të rezervuara mbi aplikacione dhe platforma telekomunikacioni, pa asnjë pagesë.
Metoda të sofistikuara rekrutimi
Sipas portalit grek Protothema, MSS përdor metoda të sofistikuara rekrutimi, përfshirë kërkime në rrjetet sociale, oferta pune dhe kompani guackë, për të tërhequr ekspertë në sektorët e mbrojtjes, teknologjisë dhe komunikimeve, me vëmendje të veçantë ndaj Shteteve të Bashkuara, vendeve anëtare të NATO-s dhe Tajvanit.
Rasti grek ka nxjerrë në pah shtrirjen globale të ministrisë, e cila, sipas ekspertëve, është e përfshirë në operacione spiunazhi dhe ndikimi në shumë nivele, nga kontrolli i disidentëve të brendshëm deri te mbledhja e informacioneve strategjike për kundërshtarët ndërkombëtarë.
Sa CIA, FBI dhe MI6 të marra së bashku
MSS nuk ka të krahasuar në Perëndim: ai bashkon funksionet e CIA-s, FBI-s dhe MI6-s në një aparat të vetëm, me rreth 800.000 agjentë dhe mbi 220 operacione të dokumentuara vetëm në Shtetet e Bashkuara, siç ka theksuar Center for Strategic and International Studies (CSIS). Nga viti 2000 deri në mars 2023, për shembull, i njëjti institucion ka zhvilluar aktivitete të spiunazhit kibernetik, vjedhje teknologjike, rekrutim agjentësh dhe infiltrime në sektorë kritikë si hapësira ajrore, komunikimet dhe siguria ushtarake.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është se MSS vepron në mënyrë të decentralizuar: ndërsa selia qendrore ndodhet në Pekin, operacionet në Shtetet e Bashkuara drejtohen nga Byroja e Sigurisë së Shtetit e Shangait, ndërsa ato në Evropë nga Byroja e Sigurisë së Shtetit e Zhejiangut. Kombinimi i spiunazhit kibernetik, mbledhjes së të dhënave dhe fushatave të dezinformimit dixhital e bën këtë “agjenci” një nga më agresivet në botë.
Si funksionon MSS
Shtrirja dhe ndikimi i MSS janë zgjeruar edhe më shumë që kur ministria drejtohet nga Chen Yixin, një aleat i ngushtë i Xi Jinping. Që nga viti 2013, nën udhëheqjen e Xi-t, agjencia ka intensifikuar operacionet ndërkombëtare dhe të brendshme, duke përditësuar ligjet e sigurisë dhe duke zgjeruar kontrollin e brendshëm.
Por si funksionon kjo ministri? MSS përqendron shumicën e burimeve të saj në katër objektiva kryesore: kontrollin e disidentëve të brendshëm, mbikëqyrjen dhe presionin ndaj Tajvanit, spiunazhin kundër Shteteve të Bashkuara dhe operacionet e ndikimit në vende të tjera, përfshirë anëtarët e NATO-s.
Sipas Financial Times, përdorimi i kombinuar i teknologjisë së avancuar, sulmeve kibernetike, rekrutimit të synuar dhe propagandës dixhitale e vendos MSS-in si një aparat pa precedent, “më i fuqishëm se CIA, FBI dhe MI6 së bashku”, i aftë të veprojë pa pengesa në mbarë botën dhe të përfaqësojë një sfidë të paprecedentë për sigurinë perëndimore. / il giornale – bota.al