Bota

Myslimanët bëhen mburojë për të krishterët. “Nëse doni të na vrisni, atëherë na vrisni ne!”

 

cnn

Mënyra e tyre e veprimit është e provuar dhe e tmerrshme: Kryejnë një sulm, veçojnë të krishterët dhe pastaj i bëjnë shoshë me plumba.

Por kur militantët e Al Shabaab sulmuan një autobus të hënën, gjërat nuk shkuan sipas planit.

Një grup myslimanësh nga Kenia mbrojtën pasagjerët e krishterë dhe u thanë atyre që u sulmuan se ishin gati të vdisnin së bashku. Pasagjerët myslimanë, që ishin shumica gra, u thanë militantëve islamikë që t’i vrisnin të gjithë, ose t’i linin të qetë, sipas dëshmitarëve.

Autobusi ishte drejtuar për në qytetin e Manderas, pranë kufirit me Somalinë dhe Etiopinë.

Udhëtimi është kaq i pasigurtë, saqë shumica e autobusëve udhëtojnë të shoqëruar me eskortë policore. Megjithatë, në këtë rast makina e policisë pësoi defekt dhe autobusi vazhdoi udhëtimin e tij. Pak orë më vonë, u sulmua nga militantët.

Akte brutale

Al Shabaab, një grup somalez që SHBA e ka futur në listën e organizatave të huaja terroriste, dëshiron ta kthejë Somalinë në një shtet islamik fondamentalist. Ai ka kryer një seri sulmesh në Kenia, që kur forcat e Kenias shkuan në Somali në vitin 2011 për të luftuar ekstremistët. Qëllimi i tij është që të mbjellë përçarje në rajonet kufitare të Kenias dhe Somalisë, ku shumë njerëz janë somalezë etnikë, thonë analistët.

Mes sulmeve më brutalë të Al Shabaab ishte ai në unviersitetin e Garissas në prill, ku mbetën të vdekur 150 vetë. Dëshmitarët përshkruan se si personat e armatosur u kërkonin studentëve të recitonin vargje nga Kur’ani. Nëse nuk mundeshi, ata vriteshin.

Grupi sulmon rregullisht autobusë, sidomos në këtë kohë të vitit – një prej sezoneve me më shumë udhëtime. Udhëtarët shkojnë në shtëpitë e të afërmve për sezonin e pushimeve, teksa mjetet e transportit janë të tejmbushur. Në një sulm të tillë vitin që kaloi, ata sulmuan një autobus dhe vranë 28 vetë që nuk dinin të recitonin vargje nga Kur’ani.

Sulmi

Në sulmin e të hënës, terroristët urdhëruan myslimanët që të dilnin nga autobuzi dhe të ndaheshin nga të krishterët. Në autobus kishte më shumë se 100 pasagjerë. Pasagjerët myslimanë refuzuan.

Gratë myslimane u dhanë grave të krishtera shamitë e tyre dhe i ndihmuan të fshihen prapa çantave në autobus, i tha CNN një prej pasagjerëve.

“Ato u thanë: Nëse doni të na vrisni, atëherë na vrisni. Këtu nuk ka të krishterë”, tha ai.

Një i krishterë që u përpoq të largohet u kap dhe u vra. Edhe shoferi i një kamioni që vinte pas autobusit u qëllua për vdekje.

Më pas terroristët u larguan, por paralajmëruan se do të rikthehen./Cnn

Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button