Alberto Cei
E bukura e universit sportiv është se përbëhet nga shumë botë të ndryshme. Ka po aq të tilla, sa ka edhe sporte. Javët e fundit si spektatorë kemi qenë dëshmitarë të asaj që ka ndodhur në galaktikën e futbollit. Ndoshta më i ndjekuri. Heronjtë e tij më të mirë arritën në gjysmëfinale, duke luajtur për dy ekipe evropiane, Francën dhe Kroacinë, një të Amerikës së Jugut, Argjentinën dhe një afrikan, Marokun. Publiku dhe ekspertët janë dakordësuar se më i miri ishte Lionel Messi, i cili tashmë kishte fituar pothuajse gjithçka, i mungonte vetëm Botërori.
Futbolli na entuziasmon dhe atë e kuptojmë menjëherë: ose kalon kundërshtarin, o bllokohesh. Godet në portë dhe shënon gol, ose gjuajtjen ta pret portieri. Fiton një përplasje ose e humbet. Mjafton një gol i vetëm për të fituar. Në realitet është shumë më i ndërlikuar, por fëmijët që e luajnë dhe ne që e shikojmë, nuk shkojmë shumë përtej këtyre vëzhgimeve të thjeshta. Në këtë kontekst shfaqet kampioni, ai që në momentet vendimtare nuk të tradhëton, që shpesh herë përcakton rezultatin, lojtari të cilit kundërshtarët i tremben më shumë, dhe ai tek të cili shkojnë të gjithë, për të kufizuar aksionin. Të vetëdijshëm se do të jetë shumë e vështirë ta pengojnë të bëjë atë që do. Këtë dashurojmë tek futbolli dhe me këtë identifikohet çdo i ri që luan me fanelën e kampionit të vet të preferuar.
Të pyesësh se kush është më i miri i të gjitha kohërave, ka kuptim pikërisht sepse futbolli luhet në këtë mënyrë, plot pasion. Nuk bëhet fjalë vetëm për emocionet që shkaton një ndeshje, por për lidhjen emocionale, dashurinë, që na lidh me kampionin. Në këtë përballje, fiton kush luan në të tashmen, të gjithë mund ta shohim dhe jemi dëshmitarë të veprimeve të tij, prandaj përballja nuk është mes Pelesë, të kaluarës së largët dhe Maradonës, të kaluarës së afërt, por mes këtij të fundit dhe dominuesit të kohës sonë, Messi, i cili përfaqëson të tashmen. Kështu, është e mundur që pas disa vitesh krahasimi të jetë midis Messi dhe Mbappe.
Megjithatë, sot për sot, më i miri i të gjitha kohërave është Leo Messi, i cili për t’u bërë i tillë është dashur të fitonte këtë titull, duke lënë pas një kundërshtar të të tashmes, gjithashtu fitues. Përballja e një dekade midis Cristiano Ronaldos dhe Leo Messit, e zhvilluar me topa të artë dhe suksese titujsh, ka përfaqësuar këtë sfidë. Ronaldo në fund humbi, sepse ashtu si Hektori kundër Akilit, u braktis nga perënditë, që përfaqësohen nga vetë narcizizmi i tij, i cili e pengoi që të gjente zgjidhje të tjera për t’u përballur me moshën e pashmangshme. Nuk diti të vihet në shërbim të skuadrës, të hiqte dorë nga diçka e vetja për një të mirë më të madhe, dhe këtë e pagoi me çmimin më të lartë. Vdiq mbreti, rroftë Messi! / HuffPost – Bota.al