Analiza

NATO duhet të ndalë kaosin në skajet e Europës

NATO duhet tw ndalw kaosin nw skajet e EuropwsRory Stewart
Strategët ushtarakë kanë bërë prej kohësh dallimin mes ndreqjes së “shteteve të dështuar” në Lindjen e Mesme, dhe frenimit të shteteve si Rusia. Qasja e parë përfshinte “kundër-rebelimin”, fokusuar tek luftëtarë dhe terroristë të huaj, jo të rregullt; tjetra kish të bënte me kundërvënien ndaj sfidës së divizioneve të armatosur, të njohur që prej kohës së Luftës së Ftohtë. Por dallimet e vjetër nuk ekzistojnë më. Nuk ka patur pushtim, e megjithatë kufijtë e një vendi europian janë ribërë me forcë. Ukraina Lindore është sot po aq e paqëndrueshme, sa edhe çdo territor tjetër i paqeverisshëm, por rebelët kanë sofistikuar armatimin dhe financohen dhe drejtohen prej një shteti europian. Perëndimi po përpiqet të ruajë ritmin.
Liderët e separatistëve duket se kanë ndjekur karriera të ngjashme me ato të myslimanëve perëndimorë që shkojnë për xhihad. Në rajonin lindor të Donbasit, për shembull, shefi ushtarak Igor Strelkov doli vullnetar që të luftojë jashtë vendit që kur ishte adoleshent, i frymëzuar prej zakoneve mesjetarë dhe teksteve të shenjtë. Për dy dekada ai luftoi në krah të gangsterëve në konfliktet më të tmerrshëm të botës, financuar dhe armatosur prej shërbimeve të fshehtë. Ai u kthye në shtëpi i skalitur në beteja dhe i radikalizuar, i neveritur prej dekadencës perëndimore dhe i vendosur për të pastruar qytetërimin.
Strelkov nuk është mysliman, por një ortodoks nga Moska, që shkoi të luftojë për ëndrrën e tij në Bosnje, Transnistri dhe në Kaukaz. Në kohën e lirë, ai shkruante për fatin historik të Rusisë së Madhe Ortodokse. Fundjavave ai vishej si oficer i Gardës së Bardhë, që luftoi në luftën civile të Rusisë.
Pala tjetër përfshin njerëz me një histori çuditërisht të ngjashme: idealistë të rinj nga Sheshi Maidan i Kievit, secili me nga dy ditë stërvitje ushtarake, veteranë të fushatës sovjetike në Afganistan, dhe njësi të financuara prej oligarkëve ukrainas. Një konflikt, i cili që në krye të herës u nxit prej parave të Rusisë dhe udhëhoq nga nacionalistë ekscentrikë, tani po fiton gjithnjë e më shumë vrull.
Në dy dekadat e fundit është folur shumë për ndreqjen e “shteteve të dështuar” në Uaziristan, në kufirin afgano-pakistanez dhe në bregun somalez. Por tani, hapësira e paqeverisëshme është në pragun e Europës dhe kryengritësit po mbështeten nga një vend i cili ka disa prej pajisjeve ushtarake më të sofistikuara në botë, si dhe një preh shërbimeve të fshehtë më efiçientë. Kjo është një hapësirë jashtë kontrolli, ku vërtiten lirshëm oficerë, me raketa dhe stërvitje të mjaftueshme për të rrëzuar një avion në 12 mijë metra lartësi.
Rreziku tjetër, ende i vogël por jo i papërfillshëm, është që konflikti do të përhapet. Ukraina nuk është i vetmi vend ish sovjetik ku Kremlini ndien se ka interesa jetikë ushtarakë dhe ekonomikë, apo ku Vladimir Putini dhe ideologët e tij besojnë se “Rusia e Madhe” ka pretendime që i përkasin kohëve, qysh nga Mesjeta. Po kështu, nuk është i vetmi vend ku jetojnë rusisht-folës të zemëruar me qeverinë dhe të gatshëm të përthithin propagandën e Moskës për një perëndim në dekadencë. Rusia ka krijuar konflikte në Moldavi dhe në Gjeorgji, duke i ndërlikuar marrëdhëniet e tyre me perëndimin. Kazakistani, ku rusisht-folësit zënë deri 30 përqind të popullsisë, duhet të shqetësohet se çfarë do të ndodhë pas vdekjes së presidentit të tij të sëmurë. Pastaj janë shtetet balltike, që NATO ka premtuar se do i mbrojë.
Në Britani, Ministria e Mbrojtjes e mbylli grupin e saj të analizës së Rusisë në vitin 2010. Ushtrimet e NATO-s në Europë janë një fraksion i vogël i përmasës që kishin në vitet 1980. Kjo është mungesë maturie.
Anëtarët e NATO-s duhet të shpenzojnë të paktën 2 përqind të prodhimit të tyre për mbrojtjen; shumë prej tyre shpenzojnë më pak se gjysmën e kësaj shifre. Ata duhet të përmbushin detyrimet e tyre. Dhe paratë duhet të shpenzohen jo për pensione apo pajisje ekstravagante, por për stafe vlerësimi, komunikimi strategjik, ushtrime në shkallë të gjerë, forca në terren dhe mbrojtje kibernetike. Nëse duam ta frenojmë Putinin në Ukrainë, nuk duhet të bëjmë asgjë më pak se kaq.
Më pas duhet të merremi me pikëpyetjet e mëdha. Cfarë hapash jemi të përgatitur të ndërmarrim për të mbrojtur kufijtë ndërkombëtarë, apo për të mbështetur qeveritë demokratike që duan të bëhen aleate me Europën? A dimë ne si të frenojmë agresionin e një regjimi paranojak, të pajisur me armë bërthamore, që provokohet lehtë?
Sistemi demokratik paqësor që u krijua në Europë gjatë 70 viteve të fundit është arritja më e madhe e qytetërimit tonë. Nëse nuk punojmë për ta mbrojtur, nuk do të zgjasë.
Deputet konservator në Mbretërinë e Bashkuar, Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button