AnalizaMAIN

NATO mund të mos i mbijetojë epokës së Trumpit

Nga Ivan Krastev

Evropa ishte e zhytur në ankth pas Luftës së Parë Botërore. Për të forcuar mbrojtjen kundër Gjermanisë, francezet ndërtuan në vitet ‘30 Vijën Maginot, një sistem gjigant fortifikimesh, pengesash dhe instalimesh ushtarake përgjatë kufijve te Francës me Germaninë. Në vitin 1940, Gjermania e anashkaloi atë, duke pushtuar mespërmes Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut në veri, dhe në fund e mundi Francën brenda gjashtë javësh.

Besimi pothuajse mistik i elites franceze në paprekshmërinëe Vijës Maginot ishte një nga arsyet e humbjes së çuditshme në vitin 1940, argumentonte historiani William L. Shirer në librin e tij të mirënjohur “Ngritja dhe rënia e Rajhut të Tretë”. “Francezët besuan fort te një vijë fortifikimi që, në fund, rezultoi më shumë një patericë psikologjike sesa një aset strategjik,” shkruante ai.

Sot po bëhemi dëshmitarë të shpërbërjes së rendit evropian të pas Luftës së Ftohtë dhe rrezikut real të një çarjeje në aleancën transatlantike, si pasojë e sulmeve të Presidentit Donald Trump ndaj Evropës dhe vendosmërisë së tij për të blerë ose aneksuar Groenlandën. Kjo gjendje na detyron të pyesim nëse historianët e së ardhmes do të argumentojnë se besimi evropian te Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) ishte Vija Maginot e mendësisë evropiane, një patericë psikologjike që krijoi një ndjesi të rreme sigurie dhe e pengoi Evropën të përgatitej për t’u përballur me sfidat e veta ekzistenciale.

Si e formësoi NATO-ja Evropën

A mos vallë ndjesia aktuale e brishtësisë së Evropës është mbi të gjitha një dështim i imagjinatës evropiane? Shumica e vendim-marrësve evropianë bien dakord në biseda private, se amerikanëve nuk mund t’u besohet më mbrojtja e aleatëve të tyre. Megjithatë, publikisht ata këmbëngulin se NATO-ja mbetet jetike për mbrojtjen e Evropës. Publiku evropian është më pak diplomatik. Një studim i fundit i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR) tregon se vetëm 16% e evropianëve shohin Shtetet e Bashkuara si aleat. Ndoshta edhe më domethënëse është se një e pesta e të anketuarve e përshkruajnë SHBA-në si kundërshtar ose rival.

Në periudhën pas Luftës së Ftohtë, NATO ishte “feja” e fundit e Evropës. Ajo ishte më shumë sesa një aleancë mbrojtëse; ishte Fryma e Shenjtë që sundonte botën në fundin e historisë. Evropianët ishin të magjepsur nga fuqia ushtarake amerikane dhe nuk shihnin arsye për të dyshuar në angazhimin e Uashingtonit për sigurinë e Kontinentit të Vjetër. Ekzistenca e NATO-s u mundësoi shumicës së evropianëve të fantazonin se një luftë e madhe në Evropë ishte e paimagjinueshme në shekullin XXI. Besnikëria evropiane ndaj NATO-s i pengoi ata të kuptonin se, në mjedisin pas Luftës së Ftohtë, veçanërisht në Evropën Lindore, çmilitarizimi i Evropës, dhe jo ndërtimi i kapaciteteve të saj mbrojtëse, ishte shndërruar në detyrën qendrore të aleancës.

Në kundërshtim me bindjen që ekziston, zgjerimi i NATO-s drejt Evropës Qendrore në vitin 1999 nuk erdhi si përgjigje ndaj ndonjë kërcënimi të përjetshëm rus, por nga frika e rikthimit të nacionalizmit dhe luftërave të frymëzuara prej tij. NATO u zgjerua drejt Evropës Lindore pas luftërave në ish-Jugosllavi dhe e shihte veten si një mburojë që mbronte Evropën nga demonët e së kaluarës së saj. “Paqja evropiane sot nuk është thjesht mungesë lufte, por margjinalizimi i luftënxitjes nga jeta e shteteve, një ndryshim i thellë kulturor dhe institucional,” shkruante James J. Sheehan në historinë e tij të vitit 2008 për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore, “Ku kanë shkuar të gjithë ushtarët?”

Trajtimi i pakicave kombëtare, më shumë sesa kapacitetet mbrojtëse, u bë një nga arsyet kryesore për t’iu bashkuar aleancës atlantike. Për dekada me radhë, forcat evropiane nuk u stërvitën për mbrojtje autonome, por për të luftuar së bashku me amerikanët dhe, pothuajse gjithmonë, nën komandën amerikane. Roli paradoksal i NATO-s si instrument çarmatimi, më shumë sesa ndërtimi i ushtrive të afta, gjen ilustrimin më të qartë në një dyshe të pazakontë: Suedia dhe Finlanda, të cilat për dekada i rezistuan anëtarësimit, iu bashkuan NATO-s vetëm pas pushtimit rus të Ukrainës dhe sot përfaqësojnë anëtarët më të gatshëm për luftë të aleancës.

Rreth 15 vjet më parë, Robert Gates, Sekretar i Mbrojtjes në administratën e Barack Obamës, artikuloi padurimin amerikan ndaj vetëkënaqësisë evropiane për sigurinë ndërkombëtare dhe boshllëqeve në financimin e mbrojtjes brenda NATO-s. “Nëse prirjet aktuale të rënies së kapaciteteve mbrojtëse evropiane nuk ndalen dhe nuk përmbysen, udhëheqësit e ardhshëm politikë amerikanë, ata për të cilët Lufta e Ftohtë nuk ka qenë përvojë formuese, siç ishte për mua, mund të mos e konsiderojnë më të vlefshëm kthimin e investimit amerikan në NATO, në raport me me koston,” paralajmëroi Gates.

Evropianët nuk ishin gati ta besonin.

Dhe më pas, në skenën politike u shfaq Donald Trumpi. Pasi pranoi nominimin republikan për president në korrik 2016, ai foli për kushtëzimin e mbrojtjes amerikane për aleatët e NATO-s që do gjendeshin të sulmuar, në varësi të kontributeve të tyre në aleancë. Pas zgjedhjes së tij, Trumpi kërcënoi privatisht tërheqjen nga aleanca gjatë një samiti në Bruksel. Evropa e lexoi këtë si retorikë boshe dhe priti që ai të largohej nga detyra. Në janar 2025, Trumpi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Dhe për evropianët, tashmë ishte tepër vonë për të ndërtuar alternativa.

Trumpi dhe e ardhmja e NATO-s

Cila është e ardhmja e NATO-s në një botë trumpiane, ku Evropa ka humbur rolin e saj qendror për Shtetet e Bashkuara? Dhe çfarë mund të themi për llogaritjen e re, që deri tani është pëshpëritur, por që po besohet gjithnjë e më shumë, se të qenit aleat i Amerikës po bëhet më e rrezikshme, sesa të qenit armik i saj?

Trumpi nuk ndryshoi thjesht pozicionin e Evropës në hartën amerikane të botës; ai solli një hartë të re me të cilën Uashingtoni e sheh botën. Ai nuk e konsideron sistemin e aleancave amerikane si një aset. Ai e percepton atë si një barrë. Ndërsa disa e kanë zili Uashingtonin për rrjetin e tij të aleancave, Trumpi ka zili Kinën pikërisht sepse ajo nuk është e kufizuar prej aleatëve.

Mospëlqimi i tij ndaj aleancave shpjegon, të paktën pjesërisht, faktin pse ai e sheh luftën në Ukrainë si të ngjashme me vitin 1914, kur vrasja e Dukës Franz Ferdinand në Sarajevë nga një nacionalist serb, e shtyu Austro-Hungarinë t’i shpallte luftë Serbisë dhe të niste një zinxhir ngjarjesh, që solli shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Kur Trumpi vështron krizën në Evropë, ai nuk duket se mendon për gabimin britanik, kur Londra besoi se kishte blerë paqen pas firmosjes së marrëveshjes me Adolf Hitlerin në Mynih, në vitin 1938. Trumpi e vlerëson rrezikun që SHBA të rrëshqasë pa e kuptuar drejt një lufte katastrofike dhe të panevojshme me Rusinë e Vladimir Putinit si shumë më të madh, krahasuar me rrezikun e qetësimit të një fuqie revizioniste që kërkon të rikthejë nën kontroll disa pjesë të Evropës. Për Trumpin, lufta e Rusisë në Ukrainë është Sarajevë, jo Mynih.

Pyetja për të ardhmen e NATO-s duhet kuptuar si përgjigje ndaj dy çështjeve të ndara. Për administratën Trump, pyetja është se çfarë roli ka NATO-ja në një moment kur Amerika nuk e sheh më Bashkimin Evropian si një projekt amerikan, por megjithatë dëshiron ta mbajë Kontinentin e Vjetër brenda sferës së vet të influencës. Ky është një vizion ku SHBA kërkon të zëvendësojë Perëndimin e Luftës së Ftohtë, i përshkruar si “bota e lirë” dhe i përkufizuar nga vlera liberale të përbashkëta, me një Perëndim kulturor, të rrënjosur te krishtërimi dhe raca e bardhë.

Për evropianët, pesha e kësaj dileme është e ndryshme, por jo më pak urgjente. Ata e shohin NATO-n si thelbësore për t’i bërë ballë sulmit të Trumpit dhe për të ndërtuar kapacitetet e tyre mbrojtëse në një botë gjithnjë e më anarkike, ku garancitë amerikane të sigurisë nuk mund të merren më si të mirëqena. Trumpi mund të tundohet të besojë se, nëse NATO-ja nuk ekziston, nuk ka asnjë arsye pse presidenti rus Vladimir Putin të mos bëhet miku më i mirë i Uashingtonit. Ndërsa evropianët mund të tundohen të besojnë se rritja e buxheteve të mbrojtjes do të mjaftojë për të mbrojtur Evropën, në mungesë të Shteteve të Bashkuara.

Teatri i Perandorisë Amerikane

Operacioni i guximshëm special i SHBA-së në Venezuelë ishte një shfaqje e fuqisë perandorake. Ai shërbeu si një parathënie e asaj që mund ta quajmë imperializëm teatral, një fenomen në zhvillim, në të cilin fuqitë e mëdha demonstrojnë forcë për të sunduar, pa qeverisur realisht. Njëkohësisht, ai është edhe një sinjal se strategjia më e fundit e sigurisë kombëtare e Uashingtonit duhet marrë fjalë për fjalë. I kuptuar kështu, qëndrimi i administratës Trump bëhet i lexueshëm: Trumpi nuk synon të shkatërrojë NATO-n, por të përdorë ankthin evropian nga braktisja amerikane, si një mjet presioni për të riformatuar Evropën.

Me gjasë, evropianët do të jenë në gjendje të mbrojnë veten, por Evropa ka njëkohësisht një “problem kohe” dhe një “problem politik”. Ajo duhet të reduktojë varësinë nga teknologjitë dhe armët amerikane, ndërkohë që në të njëjtën kohë, duhet ta mbajë Trumpin të kënaqur dhe të ruajë iluzionin se mund të mbështetet ende te fuqia ushtarake amerikane. Për Trumpin, lufta e Rusisë në Ukrainë duket se përfaqëson një mundësi. Ashtu si një kompani private sigurie që shfrytëzon rritjen e rrezikut për të rritur çmimin e shërbimeve të veta, Uashingtoni shfrytëzon brishtësinë evropiane dhe përfiton nga përshkallëzimi i tensioneve mes Rusisë dhe aleatëve evropianë.

Nga ana e tyre, rusët e shohin Evropën si armik dhe Trumpin si një aleat natyror. Lord Hastings Lionel Ismay, gjenerali dhe diplomati britanik që shërbeu si i pari Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, thoshte se qëllimi i aleancës ishte “t’i mbante amerikanët brenda, sovjetikët jashtë dhe gjermanët poshtë.” Strategjia aktuale e Rusisë mund të përshkruhet kështu: t’i mbajë amerikanët brenda, evropianët jashtë dhe ukrainasit poshtë. Evropianët duhet të përgatiten për kërcënimet e vazhdueshme të Trumpit për aneksimin e Groenlandës, një akt që do të shkelte integritetin territorial të një shteti anëtar të NATO-s. Ekziston një mundësi reale që një aneksim i tillë, Krimea e Trumpit, si të thuash, të ndodhë brenda këtij viti.

Udhëheqësit evropianë kaluan një vit duke u përpjekur ta lajkatonin Trumpin dhe duke premtuar blerje armësh amerikane, por ultimatumi i tij ndaj Evropës, që të heqë dorë nga Groenlanda ose të përballet me tarifa më të larta, po i shtyn ata me shpatulla pas murit. Duke e përshkruar sjelljen e Trumpit si shkelje të disa “vijave të kuqe”, kryeministri belg Bart De Wever vërejti se Evropa duhet të bëjë një zgjedhje dhe se “të jesh një vasal i lumtur është një gjë, të jesh një skllav i mjerë është diçka tjetër.” Evropa do të detyrohet ta bëjë këtë zgjedhje.

Evropa ende ka një nevojë të dëshpëruar për NATO-n. Dhe rëndësia e saj në botë do të varet nga gatishmëria për të jetuar në një botë pa aleancën atlantike. Çdo shpresë se evropianët do të mobilizohen përballë kërcënimeve të dyfishta nga Trumpi dhe Putini është frymëzuese, por jorealiste. Sipas një sondazhi të fundit të ECFR-së, 20% e atyre që e shohin Amerikën si kundërshtare janë njëkohësisht edhe më pak entuziastët për rritjen e buxheteve të mbrojtjes.

Udhëheqësit evropianë duhet t’i bindin shoqëritë e tyre se e kuptojnë dallimin mes të luajturit e rolit të budallait dhe të qënit vërtet budalla. Të jesh budalla do të thotë të besosh, pavarësisht provave që tregojnë të kundërtën, se Amerika do të qëndrojë krah Evropës në rast të një pushtimi rus, apo të besosh se, sapo Trumpi të largohet nga pushteti, SHBA-ja do ta rifitojë arsyen e humbur. Sfida kryesore strategjike e Evropës është të rikujtojë parullën: NATO-ja ka vdekur. Rroftë NATO-ja! / TIME – Bota.al

Back to top button