Sipas mediave lokale, në vendngjarje janë gjetur disa pilula. Po zërat për një veprim të mundshëm të agjentëve iranianë?

Dana Eden, producentja dhe krijuesja e serialit izraelit “Tehran”, një serial spiunazhi i transmetuar nga televizioni shtetëror izraelit Kan 11 dhe i shpërndarë në mbarë botën nga Apple TV, u gjet pa jetë të dielën në një hotel në Athinë. Gruaja ndodhej në hotelin e Athinës që prej 4 shkurtit për të mbikëqyrur xhirimet e sezonit të katërt të serialit. Vendimi për ta xhiruar thrillerin e spiunazhit në Athinë, në vend të Teheranit, ishte marrë pikërisht nga Eden, e cila kishte vizituar Greqinë gjatë një pushimi me familjen dhe kishte mbetur e impresionuar nga ngjashmëria mes dy qyteteve.
Sipas rindërtimeve të bëra nga mediat greke, personi i parë që ka hyrë në dhomën e hotelit ku po qëndronte gruaja 52-vjeçare ka qenë vëllai i saj. Policia lokale ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe ka nisur të mbledhë pamjet e kamerave të sigurisë si dhe dëshmitë e stafit të hotelit. Aktualisht pista më e besueshme është ajo e vetëvrasjes. Në dhomë, sipas raportimeve, janë gjetur pilula.
Agjencia Reuters, bazuar në informacionet e bëra publike nga policia, konfirmon se hetuesit po e trajtojnë vdekjen si vetëvrasje, por raporton gjithashtu se një mjek ligjor ka konstatuar mavijosje në qafën e Eden. Disa media izraelite kanë hedhur hipotezën se producentja mund të jetë vrarë nga agjentë iranianë, duke qenë se që nga transmetimi i parë në vitin 2020, seriali është cilësuar nga mediat e Republikës Islamike si propagandë armiqësore.
Dana Eden dhe teoritë e komplotit
Shtëpia e prodhimit e “Tehran” ka publikuar ndërkohë një deklaratë ku përgënjeshtrohen këto zëra. “I ftojmë mediat dhe publikun të mos publikojnë teori të pabazuara dhe të veprojnë me përgjegjësi dhe ndjeshmëri”, thuhet në komunikatë, ndërsa transmetuesi Kan i ka bërë homazh një “figure të shquar të industrisë televizive izraelite”, trashëgimia profesionale dhe personale e së cilës “do të vazhdojë të formësojë televizionin izraelit për shumë vite në vijim”.
Seriali i spiunazhit i vendosur në Teheran ka si protagoniste një agjente të Mossad-it me origjinë iraniane, por e rritur në Izrael, e interpretuar nga aktorja Niv Sultan. Transmetimi i sezonit të tretë dhe më të fundit të “Tehran”, i përfunduar në vitin 2024, ishte shtyrë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe më pas u transmetua duke filluar nga janari në Apple TV.
Seriali fitoi në vitin 2021 çmimin për serialin më të mirë dramatik në edicionin e 49-të të International Emmy Awards. Në mesin e aktorëve të tij janë Glenn Close në sezonin e dytë dhe Hugh Laurie në të tretin.
Misteri rreth vdekjes së Eden vjen në një moment kur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të mbështetura nga Izraeli, janë në rritje. Presidenti amerikan Donald Trump ka autorizuar vetëm pak ditë më parë dërgimin e një aeroplanmbajtëseje të dytë në rajonin e Lindjes së Mesme. / bota.al



