Bota

Ndodhi e pamendueshmja për Gjermaninë e pasluftës. Angela Merkelit, tani i duhet t’i bindë të gjithë

Nga Jenny Hill
Angela Merkel dukej e lodhur dhe e tensionuar, teksa mbërrinte në selinë qendrore të partisë së saj, mbrëmjen e djeshme pas përfundimit të votimeve.
Duke dalë nga makina, ajo u përpoq të sajojë një buzëqeshje, fillimisht për kamerat dhe më pas për besnikët e partisë, që ishin mbledhur në selinë qendrore të CDU.
Kancelarja e dinte që gjasat ishin që do t’i fitonte këto zgjedhje. Por nuk është fitorja që kishin shpresuar ajo, apo partia e saj. Eshtë rezultati më i keq zgjedhor i konservatorëve, nën udhëheqjen e saj. Një verdikt ndoshta, ndaj vendimit të saj për të hapur dyert e Gjermanisë për një milion refugjatë.
Duke iu drejtuar partisë, Merkeli e pranoi se katër vitet e fundit kanë qenë të vështirë. Megjithëkëtë, partia sërish e ka arritur objektivin e saj – është e para.
Brohoritjet ishin pak si të zbrazëta. Sepse historia e vërtetë e suksesit në këto zgjedhje i takon AfD-së.
Në anën tjetër të qytetit, në një sallë të mbushur me tollumbace blu dhe të bardha, anëtarë të partisë anti-imigrantëve dhe anti-euros brohorisnin, teksa bëhej e qartë se jo vetëm që do të hynin në parlamentin gjerman për herë të parë, por edhe se do të jenë partia e tretë më e madhe në Bundestag, pas konservatorëve të Merkelit dhe rivalëve të saj më të afërt, socialdemokratëve të SPD.
Alexander Gauland është një prej udhëheqësve të AfD – dhe tani një prej deputetëve të saj. Triumfalisht, ai iu drejtua një turme që festonte, duke thënë se partia e tij do i qepej pas Merkelit. “Të rimarrim vendin dhe popullin”: për një Gjermani të pas Luftës së Dytë Botërore, është një retorikë e pazakontë.
Por pastaj fushata tejet ksenofobe e AfD, si dhe pyetjet e pakëndshme që shoqëruan të gjithë fushatën e Merkelit, janë gjithashtu pothuaj të paprecedenta. Jashtë partisë që festonte, policia mbante nën vëzhgim protestuesit e AfD, që demonstronin kundër atij që për shumëkënd, është një zhvillim politik tronditës.
Ishte një ditë kaotike për politikën gjermane. Dhe për Berlinin gjithashtu, i cili organizonte maratonën e përvitshme, ndërkohë që votuesit shkonin të votonin.
Ka ndarje, pakënaqësi në zemër të këtij vendi. Mes turmave që shihnin maratonomakët të kalonin finishin, një burrë më tha se ishte i tmerruar prej ngjitjes së nacionalistëve të krahut të djathtë. “Ata janë si nazistët nën Hitlerin”, tha ai. “Unë kam lindur në 1939. Jam fëmijë i luftës. Jam rritur në rrënoja dhe tani na rikthehet prapë kjo gjë. Ata janeë kriminelë. Gjithmonë kam votuar CDU-në dhe Angela Merkelin”.
Tani, Merkelit i duhet të gjejë partnerë koalicioni. Mos prisni që të ftojë AfD-në. Ajo duhet të bindë gjithashtu vendin e saj – ndoshta edhe disa brenda partisë – se është gruaja e duhur për këtë punë. Ka qenë një fushatë elektorale e gjatë dhe plot goditje. Merkeli mund të ketë fituar zgjedhjet, por kjo nuk ndjehet shumë si fitore.
Këto zgjedhje do të hyjnë në librat e historisë për dy arsye. Angela Merkeli mund të ketë fituar një mandat të katërt, por është rezultati i saj më i keq historik. Dhe nacionalistët e krahut të djathtë janë tashmë pjesë e establishmentit gjerman.
Ajo që është politikisht normë në shumë vende të tjera evropiane, konsiderohej e pamendueshme në Gjermaninë e pasluftës. Jo më. / BBC – Bota.al

 

 

Leave a Reply

Back to top button