BotaMAIN

’ndrangheta në dyert e Milanos

Thomas Saintourens

Rocco Papalia, 72 vjeç, është një person i heshtur dhe i ngrysur, i cili vjen vërdallë me tuta. I pëlqen të shëtisë qenin dhe të bëjë pazaret në supermarketin afër shtëpisë së tij. Në Buccinasco, një periferi e pasur në jugperëndim të Milanos, të gjithë e dinë se kush është. Pavarësisht paraqitjes, ai është një bos i ‘Ndrangheta’s. Ai dikur negocioi dërgesat e kokainës me kartelin kolumbian Medellin. Ai ishte kontraktor ndërtimi dhe buldozerët e tij punonin në të gjitha kantieret e zonës. Ato të konkurrentëve shumë të guximshëm zakonisht përfundonin të djegur. Në atë kohë, Papalia quhej “u nginu”, një fjalë e pakuptimtë që ai e përsëriste qysh kur ishte fëmijë.

Papalia e ka njohur burgun: njëzet e gjashtë vjet për vrasje – larje hesapesh para një diskoteke milaneze – pasuar nga nëntëmbëdhjetë muaj për mosrespektim të kushteve të provës. Në vitin 2020 ai u kthye në Buccinasco, një qytet me njëzet e tetë mijë banorë. Shteti italian i ka konfiskuar një pjesë të vilës dhe ia ka caktuar bashkisë për punë vullnetare. Papalia ka paditur bashkinë për të përdorur një oborr të brendshëm. Vendimi pritet në fillim të vitit 2023. Nëse do të fitonte ato pak metra katrorë të oborrit, do t’i duhej të varte rrobat, të rregullonte koshat e plehrave dhe të bënte barbekju. Por objektivi është simbolik: kur oborri ishte i tij, kishte një statujë të Madonës nga shenjtërorja e Polsit, një qytet kalabrez ku për një kohë të gjatë u mblodhën klanet kryesore të ‘Ndrangheta’s, përfshirë klanin Papalia.

Dritarja mbi oborr

Ky “konflikt lagjeje” është simboli i tensionimit midis autoriteteve lokale dhe “u nginu”. “Këtu kam bërë më shumë se kryetari i bashkisë, sepse kam ndërtuar gjysmën e qytetit. Nëse dikush duhet të ikë nga këtu, është ai!”, deklaronte bosi në vitin 2021 para kamerave. Ishte zemëruar me Rino Pruitin, i cili e kishte sfiduar duke organizuar këshillat e qytetit në oborrin e tij të famshëm, nën dritaret e mafiozëve.

“Papaliat mbërriti në Buccinasco në vitin 1974 me fluksin e madh migrues të kalabrezëve në Lombardi. Ata gjetën në këtë qytet, në atë kohë një periferi rurale, bazën ideale për zgjerimin e tyre. Kishte pasurinë e fabrikave dhe shumë për të bërë në sektorin e pasurive të patundshme”, thotë kryebashkiaku Pruiti.

Dy vëllezërit Papalia, Antonio dhe Domenico, u dënuan me burgim të përjetshëm. Buccinasco fitoi kështu pseudonimin “Platì del nord”, me aludim për komunën në Aspromontes, e njohur për praninë e fortë mafioze dhe atdhe i Papalias dhe klaneve aleate, në veçanti Sergi dhe Barbaro. Janë 2200 familje të Buccinasco-s që vijnë nga Plati.

Magjistrati Alberto Nobili, i dalë në pension në tetor 2022, pas 42 vitesh shërbimi në Milano, përjetoi zgjerimin e ‘Ndrangheta-s në Lombardi: “Familjet filluan me rrëmbime. Me paratë e shpërblimeve ata mundën të zhvillonin fillimisht trafikun e heroinës dhe më pas atë të kokainës. Rëndësia e tyre në rajon është rritur me menaxhimin e mbetjeve të ndërtimit. Prej disa vitesh ata janë pjesë e strukturës së sipërmarrjes dhe nuk preferojnë të tërheqin vëmendjen”.

Në Buccinasco, njëzet e shtatë pronat e paluajtshme të sekuestruara dëshmojnë për këtë rrënjë. Në via Aldo Moro, një garazh nëntokësor përdoret nga një shoqatë skautësh për të ruajtur materialet, por në vitin 1988 djali i pronarit të një përfaqësie në Pavia u mbajt i burgosur këtu, i liruar 743 ditë më vonë në Aspromonte, në këmbim të një shpërblim prej një miliard liretash.

Pak rrugë më tutje, vila ku ndodhet Kryqi i Kuq lokal ka gjithashtu një histori plot ngjarje. Antonio Papalia, gruaja e tij Rosa Sergi dhe tre fëmijët e tyre jetonin në ndërtesën që kushtonte më shumë se tre milionë euro. Por trashëgimia e Papalia-Sergis është e vështirë për t’u menaxhuar. Kur bashkia hapi tenderin për rinovimin e vilës, asnjë kompani vendase nuk guxoi të merrte pjesë. “Çdo vendim që merr bashkia është delikat”, vëren Pruiti. “Duhet t’u kushtojmë vëmendje të gjithë tenderave dhe të kontrollojmë ndryshimet e pronësisë së kompanive të ndërtimit”. Muajt ​​e fundit disa lokale, një servis dhe një dyqan gomash janë mbyllur për shkak të infiltrimit mafioz. Por oreksi i klanit shkon shumë përtej kufijve të Buccinascos. Kështu, shpronësimet që lidhen me punimet për Lojërat Olimpike Dimërore 2026 në Milano-Cortina duhet të monitorohen me kujdes nga gjyqësori. Arrestimi i parë ndodhi në qershor 2022 dhe kishte të bënte me një sipërmarrës me origjinë nga Plati, i cili gjithashtu kishte biznes në Buccinasco.

Në gjysmën e parë të dhjetorit 2022, disa operacione të kryera nga gjyqësori dhe policia dobësuan klane të tjera të pranishme në Lombardi të dyshuar për zhvatje, fajde dhe mashtrime zgjedhore: më 12 dhjetor, dhjetë persona në periferi të Milanos dhe në Kremones. Një ditë më pas, 65 persona në Reggio Calabria dhe në provincën e Brescias.

Për Alessandra Dolcin, magjistrate dhe koordinatore e Drejtorisë së Qarkut Anti-Mafia të Milanos, rrënjosja e ‘Ndrangheta në veri është një kërcënim serioz. “Është një mafie që fokusohet në falimentimet e kompanive, faturat false, kreditë tatimore dhe përdor kontabilistët dhe ekspertët e financave. Por nuk është autonome: vendimet strategjike, si emërimet, merren në Kalabri”. “Dega” e Lombardisë është një ndihmë për kompanitë vendase, duke ofruar fuqi punëtore dhe kredi të lira në një mënyrë më të thjeshtë se bankat. Pra, për t’u pasuruar ajo nuk ka nevojë të jetë e dhunshme. Vrasja e fundit në zonë që i atribuohet organizatës kriminale daton tridhjetë vjet më parë.

Që atëherë Buccinasco ka jetuar në një lloj qetësie të rreme, një formë e çuditshme bashkëjetese mes kriminelëve të mëdhenj dhe pjesës tjetër të banorëve. Takohen në dyqane, në shkollë, në palestra. Dhe të vegjlit që luajnë futboll dhe vijnë nga klanet mafioze shpesh trajtohen me nderim: janë ata që marrin penallti dhe mjerë kushdo që përpiqet t’i bëjë faull djalit të një bosi.

Francesca Grillo, e lindur në Buccinasco, merret me lajmet e qytetit të saj, për gazetën Il Giorno. Ajo nuk numëron më kërcënimet, aktet vandaliste dhe pështymat e marra nga gratë e shefave. Na lë një takim në lokalin e vetëm ku ndihet e sigurt. “Fillimisht, banorët kishin frikë, edhe pse më pas do të vinte një formë e rezistencës qytetare. Ndaj, për të vazhduar të bëjnë biznesin e tyre, disa mafiozë janë zhvendosur në qytete më anonime në provincën e Pavias”.

Koloneli Domenico La Padula drejton 170 karabinierët në periferitë jugperëndimore të Milanos: “Këtu asnjë nga brezat e rinj nuk shkëputet nga familja kriminale. Takimet e tyre bëhen duke ecur, për të mos u përgjuar. Ata nuk kanë nevojë të trembin, ata kërkojnë konsensus”. Droga nuk tregtohet në Buccinasco. “Ata e mbajnë qytetin e tyre të pastër,” thekson koloneli. “Në vend të kësaj, në zonat e tjera, përfshirë Milanon, ata përdorin shitësa nga Afrika e Veriut”.

Mbetje toksike

Krenaria e “u nginu” është Buccinasco Più, një lagje me ndërtesa me tulla okër dhe parkingje të mëdha. Klaudio (emri është fiktiv) ishte ndër të parët që bleu një apartament në katin e fundit të një pallati në këtë zonë. “Dihet që Buccinasco Più është ‘shtëpia e shefave’. Por ndërtimi nuk është i një cilësie të keqe. Herë pas here ka erëra të çuditshme dhe kam pak frikë nga pluhuri në nëntokë, por nuk i bëj shumë pyetje vetes dhe nuk flasim për këtë me fqinjët”.

Aludimi për erërat dhe pluhurin i referohet një problemi të njohur: nëntoka e mbushur ndër vite me mbetje toksike. Një mënyrë që klanet të fitojnë nga gërmimet, menaxhimi i mbetjeve dhe ndërtimi i ndërtesave, e ndonjëherë edhe përmes një kompanie “mikE” që merr pjesë në tenderin për bonifikimin e tokës. Përgjatë autostradës është një zonë tjetër e ‘Ndrangheta. Dyert e çelikut të mbyllura me zinxhirë bllokojnë hyrjen në disa kopshte të rrethuara. Për rreth njëzet vjet, këto dhjetë hektarë gjelbërim i përkasin Papaliasve dhe filialeve të tyre. Sipas Karabinierëve, ato ndonjëherë përdoren si vende fshehjeje ose për t’u mbledhur.

E përbashkëta është dëshmia e aleancave mes familjeve të krimit: regjistri i martesave. Në çertifikatën e gjendjes civile Papalia, Barbaro dhe Sergi nuk mund të fshihen pas emrave të parë. Ato janë martesa strategjike.

“Rëndësia e këtyre emrave mbetet e fortë,” thotë Pruiti. “Fëmijët e tyre ndihen si superheronj”. Në rrjetet sociale ata tregojnë krenarinë e suksesit familjar dhe shpërndajnë foto nga mbrëmjet në diskotekat e Milanos. Qyteti ku gjyshërit e tyre bënë pasurinë e tyre me armë në dorë, duke e përmbytur me drogë dhe duke ndërtuar periferitë. / Le Monde – Bota.al

Back to top button