Analiza

Në anën e gabuar të luftës asimetrike

Si duhet ta përballojë Perëndimi Rusinë?

Fareed Zakaria

Si duhet ta pwrballojw PErwndimi RusinwVeprimet e forcave proruse, që me sa duket janë fajtore për rrëzimin e një avioni me pasagjerë, në pamje të parë mund të duken mizorë dhe të pasofistikuar. Por, në një farë kuptimi, ata përfaqësojnë dicka që e shohim kudo përreth nesh këto ditë: demokratizimin e dhunës.

Le ta shpjegoj.

Për pjesën më të madhe të historisë, pala me ushtrinë më të madhe zakonisht e fitonte një konflikt. Por, gjatë dekadave të fundit, kemi parë shfaqjen e një tjetër modeli – fuqinë e luftës asimetrike. Shihni separatistët prorusë, ose Hamasin, ose Hezbollahun, ose kryengritësit në Afganistan dhe Irak, dhe do të gjeni sulme që janë fare të pakushtueshëm, në krahasim me reagimin masiv të ushtrive tradicionale.

Në librin e shkëlqyer të Moises Naimit, “Fundi i pushtetit”, ai përllogarit se për çdo dollar që al Kaeda ka shpenzuar në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve të 11 shtatorit, SHBA kanë shpenzuar 7 milionë dollarë për t’iu kundërvënë, ose për të përballuar humbjet. Eshtë një raport 1 me 7 milionë dollarë. Vërtetë i frikshëm. Prandaj Naim thotë se kurrë më parë në historinë e konflikteve njerëzorë, pakica nuk ka patur kaq shumë potencial për të bërë kaq shumë dhe me një kosto kaq të ulët.

Naim citon akademikun Ivan Arreguin-Toft, i cili ka studiuar konfliktet asimetrikë të historisë dhe ka zbuluar se, ndërkohë që 150 vjet më parë pala më e dobët fitonte vetëm afro 12 përqind të luftërave të tilla, në 50 vitet e fundit ajo ka dalë mbizotëruese në 55 përqind të kohës.

Por le të jemi të qartë në lidhje me krizën aktuale në Ukrainë. Kjo nuk është një histori për një bandë rebelësh që janë ngritur kundër qeverisë ukrainase. Eshtë një histori e Ukrainës që është ngritur kundër Rusisë, një vend që shpenzon 35 herë më shumë se sa Ukraina për forcat e armatosura. Përpjekjet e Rusisë për ta shndërruar në një konflikt asimetrik duke përdorur Forca Speciale, rebelë dhe ndoshta edhe mercenarë, është një strategji e vetëdijshme për të përfituar prej fuqisë së asimetrisë.

Moska po përpiqet ta destabilizojë Ukrainën me kosto të ulët, dhe ndoshta më e rëndësishmja, me aftësinë për të mohuar përfshirjen e vet. Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë strategjisë së Rusisë, është t’i mohosh asaj avantazhin që kërkon. Bota duhet ta bëjë të qartë se e di fare mirë që Rusa ka një politikë të vetëdijshme, të qëllimshme, të drejtuar në qendër, për të destabilizuar Ukrainën, dhe për të bërë këtë gjë ka dërguar në fushëbetejë armë të rënda, duke përfshirë edhe kundërajrorë.

Ky nuk është një rast ku terroristët po veprojnë pa një adresë apo një bazë. E kanë, dhe quhet Kremlin. Nëse bota dhe Perëndimi e quajnë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj në Ukrainën lindore dhe këmbëngulin që qeveria e Ukrainës – që Rusia pretendon se e njeh – të lejohet të marrë kontrollin e të gjithë rajoneve si dhe të ndihmojnë udhëheqësit e zgjedhur demokratikisht në Kiev, atëherë strategjia e Putinit për të përdorur kaosin pa kosto nuk do të funksionojë.

Në fund të fundit, pavarësisht buxhetit shumë të madh që Rusia ka për mbrojtjen, pavarësisht përmasave të saj shumë të mëdha, pavarësisht një vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB, ajo po e sheh fqinjin e saj, që ka qenë historikisht pjesë e Rusisë, t’i largohet mbërthimit të saj. Dhe përse? Sepse Rusia ka provokuar forcën më të rëndësishme në botën moderne: nacionalizmin.

Ndjenjat publike ukrainase, dhe ato në Europën Lindore e më tej ndoshta, janë bërë thellësisht antiruse. Kjo është një forcë e paprekshme, por është një forcë që ka rezultuar shumë e fuqishme në historinë moderne. Në këtë kuptim, është Kremlini në anën e gabuar të luftës asimetrike.

Leave a Reply

Back to top button