Analiza

Në bordellot e Kalifatit, që i menaxhojnë xhihadistet britanike

xhihadistetAshtu siç e ka treguar shumë qartë historia, horrori kërkon një organizim të tijin. Persona të ngarkuar të menaxhojnë dhe rendisin viktimat, mendje “racionale” në gjendje të marrin maksimumin nga shfrytëzimi i të tjerëve. Kjo logjikë duket se gjen zbatim edhe tek ISIS, e në mënyrë të veçantë tek xhihadistet britanike. Sipas The Mirror dhe HuffPost UK, një grup grash britanike menaxhon sot “bordellot” (ose më saktë shtëpitë-burg) ku militantët e Shtetit Islamik përdorin përditë si skllave seksuale vajzat dhe gratë jazide dhe pakicave të tjera, që i kanë rrëmbyer në Irak.
Këto britanike – shpjegon e përditshmja The Mirror – janë transferuar në Siri apo në Irak pasi janë martuar me luftëtarë xhihadistë. Këty kanë hyrë shpejt në rol, duke kontribuar në mënyra të ndryshme për luftën e armatosur. Në mënyrë të veçantë duket se në Raqqa, në Siri, ekziston një brigadë me një prani shumë të madhe femërore: brigada al Khanssaa.
Janë pikërisht britaniket e kësaj brigade që merren me menaxhimin e shtëpive-burg ku mbyllen qindra gratë dhe vajzat (mbi të gjitha jazide), të rrëmbyera nga qendrat e veriut të Irakut dhe të detyruara të shndërrohen në skllave seksuale, si mall i militantëve.
Sipas disa dëshmive, në këto “bordello” që janë konceptuar për të shpërblyer vlerën e luftëtarëve në betejë, ka edhe fëmijë 12 vjeçare, që fillimisht dhunohen nga komandanti dhe më pas i kalohen ushtarakëve të tjerë. Pasi skllavërohen, këto vajza përdhunohen shumë herë në ditë nga ushtarët e IS. Në total mendohet të jenë 3000 gra irakene tashmë në skllavëri.
Sipas burimeve të cituar nga e përditshmja angleze “këto gra [britaniket] i bëjnë interpretime barbarë fesë islame vetëm për të justifikuar veprimet e tyre… Mendojnë që militantët mund të përdorin të burgosurat për kënaqësinë e tyre, duke qenë se ato nuk janë myslimane”. Deri tani, populli jazid ka patur trajtimin më të keq, diçka shumë e ngjashme me një spastrim etnik. Dhe mes jazidëve janë gratë që pësojnë poshtërimet më brutalë.
Në kufirin mes Irakut dhe Sirisë ka shumë shtëpi-burg. Në një prej këtyre, në jug të Mosulit është mbyllur Mayat, 17 vjeçe, e cila i rrëfeu historinë e saj të dërguarit të gazetës italiane La Repubblica.
“Cfarë më bëjnë? Kam shumë trup për ta rrëfyer, dhe nuk gjej as fjalët për të përshkruar martirizimin tim. Ju lutem, mos e shkruani emrin tim, sepse jam e turpëruar nga ajo që më bëjnë. Një pjesë e imja dëshiron që të vdes në moment, të futem nën dhe e të qëndroj aty përgjithmonë. Por një pjesë tjetër e imja shpreson ende që të shpëtoj dhe të mundem të përqafoj sërish prindërit. Kjo është pjesa që më jep forcë të flas”.
“Në shtëpinë e madhe jemi mbi 40 vajza e gra dhe jemi të gjitha viktima. Torturuesit tanë nuk kursejnë as ato që kanë fëmijë të vogël me vete. As nuk shpëtojnë fëmijët: disa prej nesh nuk kanë mbushur ende 13 vjeç. Janë ato që reagojnë më keq. Disa kanë pushuar së foluri. Njëra nisi të shkulë flokët dhe e larguan”.
Përdhunimet, ka treguar Mayat, “ndodhin edhe tre herë në ditë. Na trajtojnë sikur të jemi skllavet e tyre. U jepemi burrave gjithmonë të ndryshëm. Disa vijnë nga Siria. Na kërcënojnë dhe na rrahin kur tentojmë të rezistojmë. Shpesh herë uroj që të më rrahin aq fort sa të më vrasin. Por janë të poshtër edhe në këtë drejtim: askush nuk ka kurajën t’i japë fund vuajtjes sonë”.
Ditët e fundit kanë dalë dëshmi të ndryshme të vajzave jazide të përfunduara në duart e IS. Disa kanë arritur të arratise. Të tjera nuk i kanë përballuar traumat dhe kanë preferuar t’i japin fund jetës./HuffPost/
PERGATITI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button