
Lauren Sánchez Bezos donte me çdo kusht prototipin e çantës “Birkin” të Hermès që doli në ankand javën e kaluar, por nuk arriti të mposhtte ofertën prej 8,6 milionë eurosh të koleksionistit japonez që e fitoi. Zonja do të bëhet pronarja e re e Vogue: burri i saj Jeff ia jep revistën si dhuratë martese. Ndoshta Anna Wintour ka lënë drejtimin e revistës pikërisht për t’i lënë vend asaj. Në dasmën e tyre në Venecia më 27 qershor, Lauren Sánchez Bezos (ajo do të mbajë mbiemrin e dyfishtë, me dëshirën e vet, duke e ndryshuar emrin e përdoruesit në Instagram pak pas ceremonisë), ftoi kaq shumë njerëz saqë bllokuan të gjitha taksitë ujore të Lagunës.
Edhe po të duash, në këto ditë është e pamundur të mos të flasësh për të. Është pothuajse e kotë të përpiqesh të mohosh apo të hedhësh poshtë lajmet: zëdhënësi i saj mohoi përpjekjen për të blerë Birkin, edhe pse, po të kishte dashur, paratë për ta blerë nuk i mungonin. Gazetarja Lauren Sherman hodhi dritë mbi thashethemet për Vogue: më tepër flitet për një marrëveshje mes Amazon dhe Condé Nast, se sa për një marrëveshje personale. Ajo që i dha zemër kësaj teorie ishte kopertina dixhitale e Vogue America, e realizuar tre orë përpara dasmës, ku shfaqej me një fustan nusërie të markës Dolce&Gabbana.
A mos vallë është një skenë nga “Djalli vishet me Prada”? (Pyetja i drejtohet atyre që e kanë parë filmin ose kanë punuar ndonjëherë në Milano apo Paris), në të cilin ish-asistentja e Miranda-s, e luajtur nga Emily Blunt, martohet me një italian, miliarder i sektorit të teknologjisë, në një dasmë madhështore. Për momentin, lajmi i vetëm i sigurt është: një invazion civil në Venecia. Dje u publikua lajmi për 45 mijë euro dëmshpërblim, që iu kërkuan personelit të Hotelit Aman, ku ata qëndruan.
Thashetheme apo jo, është e pamundur të mos flitet për të sot. Lady B është personazhi i verës, në mos i gjithë vitit.
Ajo është personi më i diskutuar, më i analizuar, më i përfolur. Ajo e di dhe, si grua me përvojë – mos ta harrojmë të kaluarën e saj si prezantuese televizive – nuk i shmanget thashethemeve. Përkundrazi, i ushqen ato. Dhe për ta bërë këtë, përdor modën, një mjet i përsosur për të komunikuar pa folur. Mesazhi është i qartë: ajo bën ç’të dojë, sepse mundet dhe sepse i pëlqen. Dhe pothuajse të gjitha daljet e saj shquhen për një koherencë që bie në sy: ka plot shembuj.
Si për shembull pantallonat e bardha të Alexander McQueen, me një korse të punuar me dantellë në pjesën e sipërme, në të cilën ajo spikati gjatë betimit presidencial të Trumpit në janar. Skandal – u shprehën të dyja palët politike.
Asgjë nuk krahasohet me skandalin që shpërtheu kur ajo u nis për udhëtimin në hapësirë, për 11 minuta, organizuar nga Blue Origin, kompania e hapësirës së burrit të saj, bashkë me shoqen e vet, Katy Perry. Një shpërdorim, tha shumëkush. Përgjigjja e saj? Një intervistë për “Elle” USA, ku tregoi se kishte riprojektuar vetë kostumet e astronautëve me markën Monse dhe kishte zgjedhur vetë makeup-in për misionin.
Pika kulmore, megjithatë, ka qenë padyshim martesa tre-ditore në Venecia: çdo dalje e saj ishte një sfilatë më vete për të cilën flitet ende. E veshur gjithnjë me një korse, kaloi nga fustani që dukej si prej xhami i Schiaparelli te një trëndafil i artë i Versace-s, e deri te një fustan i bardhë i Dior-it prej më shumë se 50 orësh punë dore – tashmë i famshëm.
Dhe dalja e saj e fundit e paparashikuar ishte në sfilatën haute couture të Balenciaga-s në Paris. Sipas kronikave, ajo tregoi çantën e mëngjesit me një filxhan kafeje, të blerë në një dyqan për 5.334 euro, ku gjendeshin të gjitha: buzëkuq, telefon, shami letre.
A e mbani mend kur dominonte koncepti i “quiet luxury”? Lauren Sánchez Bezos nuk ka më asgjë për të mbajtur në heshtje. Ajo është e lirë të shijojë gjithçka. Një qëndrim që nuk ka të bëjë me modestinë, por me lavdinë e vetëdijshme. Jo një lloj dukjeje e hapur, por diçka që e sfidon diskrecionin, përdorimin ironik të modës dhe qasjen që shumë gra e kanë fituar në mënyrë të pakthyeshme, përmes kohës dhe arritjeve të tyre. Ajo nuk ka nevojë të pëlqehet, nuk i intereson të jetë e dashur nga publiku. Nuk ka nevojë për këtë. / bota.al