Ekonomi

Ne dhe Greqia / Kujdes me mësimet e të shkuarës: historia nuk përsëritet

Screen Shot 2015-04-13 at 2.41.24 PM

Jemi të gjithë të shqetësuar për krizën greke, si për vuajtjen që ajo po i shkakton një vendi të Evropës, ashtu edhe për rreziqet që po has e gjithë arkitektura e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar. Prandaj është e kuptueshme, që vëmendja e politikanëve dhe e publikut përqëndrohet tek ky “rast i vogël”, dhe e ndjek atë çdo ditë nëpër kronika, përmes një lupe që zbulon çdo detaj: kronika, hollësitë, mund të bëjnë dallimin, mes një katastrofe që nuk u dëshirua dhe rikthimit në një “normalitet” të dhimbshëm.

Screen Shot 2015-04-14 at 10.16.29

Kriza greke, është një rast ekstrem i vështirësisë së Evropës, për të dalë nga “Recesioni i Madh”, që e ka origjinën nga kriza financiare amerikane e viteve 2007-2008, dhe që u transferua menjëherë në Evropë, me një ndikim shkatërrues ekonomik. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian, jashtë monedhës së përbashkët euro, vendet që kanë adaptuar PBB reale, pas rënies së vitit 2009, edhe në fillim të këtij viti, nuk kanë arritur ende nivelet e vitit 2008, ndërsa shumë më keq paraqitet gjendja në disa shtete, duke përfshirë edhe vende të mëdha si Italia dhe Spanja.

“Rasti i vogël” grek nuk mund të kuptohet tërësisht, përveçse në kontekstin e Recesionit të Madh. Por përse shpërtheu një krizë aq e rëndë, e krahasueshme vetëm me “Depresionin e Madh” të viteve ’30 të shekullit të kaluar? Dhe përse duket kaq e vështirë, për të dalë nga kjo krizë, sidomos për vendet evropiane që përdorin monedhën e përbashkët? Merita e madhe e librit të fundit të Berri Ajshengrin “Holli i Pasqyrave” (Oxford University Press), është ajo e shtrimit të këtyre pyetjeve, duke u zhvendosur në anën tjetër të Atlantikut, për të krahasuar Evropën dhe Amerikën (ndonjëherë duke kapërcyer Paqësorin, për të analizuar rastin japonez); duke lëvizur nga një shekull në tjetrin për të krahasuar “Depresionin e Madh” me “Recesionin e Madh”; duke kaluar me kompetencë të madhe historike nga analiza ekonomike në atë politike; duke duke ia dalë të zhbërthejë analizën me shembujt brilantë mbi episode të veçanta dhe tiparet individuale të dy krizave të mëdha: heronjtë, aventurierët, mashtruesit.

Pavarësisht nga narrativa, medaljonët udhëzues dhe të këndshëm, stili i shkëlqyer si dhe përpjekja maksimale për t’u kuptuar edhe nga lexuesit me kompetenca të kufizuara në ekonomi dhe me kujtime të paqarta të historisë politike, libri është sfidues, për shkak se analiza është serioze dhe nuk vulgarizohet. Dhe kjo për shkak se mesazhi, që Ajshengrin (ekonomist në Universitetin e Berklit në Kaliforni) dëshiron të përcjellë për lexuesit e tij, nuk është i thjeshtë.

Duke e thjeshtëzuar shumë, reduktuar një trup të madh (500 faqe) në një skelet të hollë, libri përbëhet nga dy pjesë, të lidhura së bashku: njëra më analitike dhe metodologjike, tjera më interpretuese dhe më shumë e lidhur me shqetësimet bashkëkohore. Shqyrtojmë pjesën e parë. Të kuptosh origjinën dhe zhvillimin e krizave të mëdha të një rendi ekonomik, politik dhe social në aq shumë aspekte dhe të ndryshueshme moderne, sikurse është kapitalizmi modern, është thelbësore nëse doni të parandaloni që ato të ndodhin përsëri.

Por kjo është e vështirë, për dy arsye kryesore. Së pari, sepse, duke e krahasuar me një krizë tjetër më të largët në kohë – Depresionin e Madh me Recesionin e Madh – kapitalizmi nuk mbetet i njëjtë, dhe për pasojë mjetet e përpunuara për të kapërcyer të parin, nuk mund të jenë më efektive për të reaguar ndaj krizës së dytë. Në Shtetet e Bashkuara, në fillim të Depresionit të Madh, kreditimi përbëhej në thelb nga kredia bankare, dhe mësimi që u nxorr nga gabimet e atëhershme, çoi tek progresi i përparimeve të mëdha në teorinë monetare dhe organizimin e ri bankar në dekadat që pasuan.

Por në prag të Recesionit të Madh, pjesa dërrmuese e kredive e kishin origjinën nga sistemi financiar, ku kishte çuar liberalizimi në fund të shekullit, duke garantuar një “sistem bankar hije”. Kontrolli ndaj bankave nuk mjaftonte më, dhe gabimi i madh në menaxhimin e krizës financiare amerikane të dekadës së fundit – dështimi për të shpëtuar Lehman Brothers – është pjesërisht për shkak të mungesës së të kuptuarit, sesa të ndërlidhura mes tyre ishin bankat dhe institucionet financiare jo bankare.

Dhe është e vështirë për të kuptuar origjinën dhe zhvillimin e krizës, sepse nuk ka një kapitalizëm, por ka kapitalizma, sisteme ekonomike të ngulitura në institucionet kombëtare, me shumë dallime mes tyre: për shembull masat shpëtuese në një sistem politik dhe institucional, si ai në SHBA, nuk mund të jenë të përshtatshme për në Evropë, Evropën e euros – për të dhënë një tjetër shembull të madh.

Shtetet e Bashkuara janë një vend sovran, epiqendra e sistemit financiar global; Evropa e euros është një grupim shtetesh gjysmë-sovrane, që kanë pranuar një monedhë të përbashkët, por ende rezistojnë për të unifikuar sistemet e tyre bankare dhe agjensitë kreditore, për të mos folur pastaj për sistemet e tyre tatimore. Sikurse shprehej me shaka Henri Kisinger, nuk ka asnjë numër telefoni që mund të marrësh, për të mësuar se cilat politika do të ndjekë Evropa.

Pavarësisht nga këto vështirësi, ekonomistët dhe politikanët mësojnë dhe kanë mësuar shumë nga Depresioni i Madh viteve ’30 të shekullit të shkuar: mjafton të kujtojmë kontributin thelbësor të Xhon Mejnard Kejnesit. Por pikërisht se po mësojnë dhe kanë mësuar, përderisa arritën ta parandalojnë shndërrimin e Recesionin e Madh në Depresionin e Madh shkatërrimtar të 80 viteve më parë, stimujt për të adresuar shkaqet e krizës mund të zvogëlohen më shpejt sesa është e nevojshme, pra para se të jenë shkulur nga rrënjët.

Kjo është pjesa e dytë e mesazhit të këtij libri, ajo që i referohet më shumë gjendjes aktuale. Pasi kalon më e keqja, presionet e interesit për rikthimin në “normalitet” – ose më saktë, mbi praktikat e para krizës – bëhen gjithnjë e më të forta, dhe mund të parandalojnë reformat e thella. Presidenti Barak Obama është lodhur jo pak, për të miratuar “Dodd-Frank Act” në vitin 2010, një projektligj për reformimin e sistemit financiar të SHBA-së, që me siguri shkon në drejtimin e duhur, si do të shpreheshin me eufemizëm politikanët.

Por shkon vetëm për një shtrirje shumë modeste: institucionet e mëdha financiare, bankat e investimeve “shumë të mëdha për të dështuar”, pra në gjendje për të shantazhuar politikanët, janë rikthyer më të forta se më parë. Në Evropë, situata është edhe më e keqe për shkak se kontrasteve dhe presioneve nga interesat ekonomike dhe financiare, i shtohen mosmarrëveshjet e shteteve të ndryshme kombëtare, që ndonëse nuk duan të kalojnë në një shtet të vërtetë federal, ose pikërisht sepse nuk duan ta bëjnë këtë kalim, të paktën duhet të koordinojnë ngushtë politikat e tyre ekonomike në kontekstin e monedhës së vetme. Gjëra që kujdesen të mos i bëjnë.

E nisa këtë shkrim me krizën greke dhe shqetësimet, që ajo ngre për performancën e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar. Greqisë së sotme dhe unionit monetar, Ajshengrin i kushton analiza të shqetësuara dhe të ndara në kapitujt e fundit të librit. Por jam i sigurtë se edhe ata që e lexojnë librin e tij vetëm për këtë qëllim, nuk do të jetë në gjendje të ndalojnë: analogjitë historike me “mbytjen” e tipareve të ekonomive të ndryshme kombëtare, të prodhuara nga Standardi i Arit mes dy luftrave, do ta shtyjnë atë të lexojë edhe kapitujt e përkushtuar për këtë sistem këmbimi, dhe sesi vendet e ndryshme që e kishin adoptuar përfundimisht e braktisën atë, disa të tjera mjerisht jo para se të pësonin dëme politike të pariparueshme.

Gjendja e sotme është shumë e ndryshme, ndërsa Ajshengrini është i pari që e nxjerr në pah. E vërtetë, por të paktën Standard i Arit ishte një sistem i kursit të këmbimit fiks mes valutave të ndryshme, nga i cili mund të dilej me një lehtësi relative: nga eurozona nuk mund të dalësh dot, pa shkaktuar një katastrofë ekonomike dhe financiare.

Dhe në qoftë se lexuesi fillon të lëvizë, për të qëmtuar materialet në interesin e tij të menjëhershëm, të shfletosh pjesët e tjera të librit, nuk ka gjë tjetër veçse sikletit të përzgjedhjes: mes një shekulli dhe një tjetri, mes një vendi dhe një tjetri, në mes të një arsyetimi ekonomik dhe rindërtimit të historisë politike. Do të qëllojë përherë mirë.

Të njohësh historinë, është thelbësore për të kuptuar ekonominë. Por të nxjerrësh nga historia mësime të thjeshta, sesi të vendosësh në situata në mënyrë të pashmangshme të ndryshme – të tjera nga ato të marra si model – nuk është e thjeshtë. Edhe nëse lexuesi i këtij libri, do përvetësonte vetëm një qëndrim të kujdesshëm ndaj atyre, të cilët nga historia mëtojnë të nxjerrin mësime, do të ketë bërë një hap të madh përpara në kuptimin e historisë, politikës dhe ekonomisë. Nga Michele Salvati/La Lettura/ a.g./www.bota.al

Screen Shot 2015-04-14 at 10.23.19

Leave a Reply

Back to top button