Mistere

Në gjurmët e Parajsës biblike

Sipas Biblës, kopshti i Parajsës gjendej pranë katër lumenjve: «Emri i lumit të parë është Pison; ai kalon rreth të gjithë rajonit të Avila, ku gjendet floriri dhe floriri i këtij vendi është i pastër. Atje ndodhet madje rrëshira e parfumuar dhe oniksi;/ dhe emri i lumit të dytë është Gihon: ai rrethon të gjithë vendin e Etiopisë;/ dhe i treti quhet Tigër dhe rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati» (Zanafilla 2, 11-14).

imageNga ky lokalizim i Parajsës godasin realizmi i dukshëm dhe saktësia e detajeve: në pamje të parë është e vështirë t’i tërhiqesh ndjesisë se këtu është përshkruar një vend real, lehtësisht i gjetshëm në hartë gjeografike. Problemi është se në zonën mesopotamike disa prej këtyre lumenjve nuk janë të gjetshëm; veç kësaj, sipas asaj që kemi lexuar më sipër, dy prej lumenjve që e kanë burimin në zonën e Parajsës, Gihoni dhe Tigri, shkojnë duke prekur respektivisht dy rajone, Etiopinë dhe Asirinë, të vendosura madje në kontinente të ndryshme! Bëhet fjalë për absurditet – për të mos folur për atë “rajon të Avilas” misterioz, me floririn e pastër të tij, deri më tani të pa lokalizuar në ndonjë vend – që e bëjnë rrëfimin biblik, megjithëse tejet të detajuar, gjeografikisht të pamundur, veç në mos supozohet se lumenjtë e quajtur nga biblisti me emrin e “Tigrit” dhe “Eufratit” të identifikohen jo me ata të mirënjohur, por të jenë prototipet e tyre në një kontekst të ndryshëm. Por nëse “vendi i Etiopisë” do të ishte Etiopia homerike, që tek Homeri në Balltik është lokalizuar në ekstremitetin verior të Europës, gjithçka duket se bie në vend. Në fakt, le të shqyrtojmë një prej lumenjve që e lagin, Tanan (që mund t’i korrespondojë Gihonit biblik): ai lind në një zonë të Laponisë finlandeze, në zonën Enontekiö (emër që do të thotë “që bën lumenj të mëdhenj”), nga ku praktikisht dalin rrjedhje të tjera uji. Njëri është Ivalo, të cilin laponët (ose samit) e quajnë “Avvil”. Ngjashmëria me “Avila”, rajonin biblik të floririt, i vetëm mund të jetë i rastësishëm, por pikërisht ky territor është i pasur në flori, ashtu siç e vërteton muzeumi i floririt i Tankavaaras, pak kilometra larg nga lumi Ivalo. Për më tepër, bëhet fjalë për një flori jashtëzakonisht të pastër, pikërisht siç e konfirmon pasazhi biblik: ai arrin në 23 karat, gjë që e dallon nga floriri i nxjerrë në pjesë të tjera të botës. Rrëshira del nga pishat e bredhat dhe, përsa i përket oniksit, kjo zonë e Laponisë është e pasur me gurë, midis të cilëve kalçedoni dhe kuarci i kuq, të ngjashëm me oniksin për nga kompozimi i kristaleve po dy lumenjtë e tjerë, domethënë “prototipet” e Tigrit dhe të Eufratit?
“Mesopotamia” është në Finlandë?
Gjithmonë në zonën Enontekiö lindin një degë e Mounio – Tornionjoki dhe Ounas – Kemijoki, që rrjedhin pothuajse paralel drejt jugut, për t’u afruar më pas dhe të derdhen përkrah njëri tjetrit në afërsitë e ekstremitetit verior të Gjirit të Botnisë. Kompleksi i këtyre lumenjve, me territorin e përfshirë prej tyre, ravijëzon një lloj “Mesopotami” finike, jashtëzakonisht e ngjashme me atë aziatike, siç dhe duket nga fotoja e mësipërmje. Një koinçidencë tjetër e veçantë përfaqësohet pastaj nga emri i fshatit kryesor në zonën Enontekiö: ai quhet Hetta (Heahttá në samishte), e afërt me vetë emrin e Parajsës. Kështu, mund të jetë ky rajoni nga ku zbritën sumerët (me të cilët disa studiues kanë vërejtur konvergjencat me kulturën tradicionale të Letonisë), që do ta spostonin më pas në Mesopotaminë për ne të mirënjohur (dhe në këtë pikë do të vinte të dyshoje që vetë “Ur i kaldeasve” nga ku u nis Abrahami, i drejtuar për nga Toka e Premtuar, gjendej edhe ai në këtë tokë të hershme). Ftohja e klimës e verifikuar rreth vitit 2000 B.C., pas mijëvjeçarësh “optimumi klimaterik” me temperatura që deri më atëhere e kishin bërë të banueshëm të gjithë territorin evropian deri në Veriun ekstrem, do ta bënte më pas jomiqësor, siç kujton profeti Izaia: «Ja që Zoti e shpopullon Tokën, e shkatërron, ia ndryshon pamjen, ia shpërndan banorët» (Izaia 24, 1). Janë territoret e ashpra që gjejmë në mitet arturine, me origjinë kelte: «Toka e izoluar, e braktisur nga banorët e saj, e privuar nga kultivimet, e zhytur në një dimër të parakohshëm».
Në një kontekst të tillë, Avila – Avvil të kujton legjendarin “Avalon”, ishullin parajsor të botës arturine, që mund t’i referohet selisë fillestare të keltëve (të cilët, sipas rrëfimit irlandez të Cath Maige Tuired, domethënë Beteja e Mag Tuired, vinin nga “ishujt e veriut të botës”): kjo duket se bën të dyshohet një raport midis kaldeasve dhe keltëve, që gjen prova në analogji të ndryshme midis botës kelte dhe asaj hebraike (mbi të cilët Homeri në Balltik ndalet gjatë). Koncepti i tokave të egra, “toka e izoluar”, nga ana e tij ka një provë domethënëse në “selinë e shkatërruar të Ades”, e përmendur tek Odisea, me të cilin lidhen lumenj të ndryshëm dhe që është edhe ai i lokalizueshëm në ekstremin verior. Përsa i përket emrit Ade, zoti homerik i të vdekurve, duket se kujton Adamin biblik dhe vetë Parajsën. Po kështu, edhe në letërsinë nordike gjejmë një mbretëri e mallkuar, e quajtur Hel, në veriun ekstrem; nga ana tjetër, lokalizimi arktik i tokës së të vdekurve është e zakonshme edhe në tradita të tjera: për shembull, “prapa erës së Veriut”, shprehje e përdorur nga Pindari për të vendosur gjeografikisht vendin e hiperboreasve, është akoma sot një sinonim gaelik i zakonshëm për Vendin e Vdekjes; por deri në Kinë veriu konsiderohet rajoni i të vdekurve. Gjithmonë sipas mitologjisë mornike, në afërsitë e Helit kalon lumi Gjöll, emër që të sjell në mendje Gihonin biblik.
Veç kësaj, sipas një tradite indiane, «Gangu i ka burimet e tij në parajsë». Duke kujtuar konvergjencën midis uttarakuruve hindù dhe etiopianëve homerike, mund të provojmë ta identifikojmë me Gihonin, lumin që rrethon Etiopinë biblike, dhe praktikisht ngjashmëria Gang – Gihon duket se futet mirë në kuadrin e paraqitur kështu. Nga ana tjetër, studiuesi amerikan Reginald A. Fessenden citon një shprehje të përcjellë nga zëri “Babiloni” i Enciklopedisë Britanike, sipas të cilit «vendi ishte i ndarë në dysh, Sumer (Sungir ose Shinar) në veriperëndim dhe Accad në juglindje, që korrespondojnë në mënyrë të jashtëzakonshme me Suomi dhe Akkarak, rajonet në të cilat finët konsideronin se kishin qenë ndarë në selinë e ttyre primitive malore. Ashtu si Suomi, Sumer nënkuptonte “njerëzit e lumenjve” dhe, pikërisht si një traditë fine konsideron Kemin një distrikt të Suomit, po kështu Came ishte një emër tjetër i babilonezit Sumer».
Por tani po lexojmë një varg tjetër të Biblës: «Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në vendin e Veriut, në lindje të Parajsës» (Zanafilla 4, 16). Tani, në lindje të Enontekiö, domethënë “në lindje të Parajsës”, në Laponinë ruse gjenden lumi Nota dhe liqeni Nota (Notozero). Veç kësaj, duke zbritur në lug të basenit të Notas, haset rajoni Kainuu, në territor finlandez, i ndodhur në lindje të Gjirit të Botnisë. Ai i korrespondon territorit të lapitëve homerikë, midis të cilëve Iliada kujton Kaineon, paraardhës i një heroi lapit që mori pjesë në luftën e Trojës në krah të akeasve. Kjo mund të tregojë se trashëgimtarët e Kainit atëhere kur klima filloi të prishej dhe tundra filloi të fitojë terren duke i bërë të pabanueshme rajonet e ndodhur sipër rrethit polar, u spostuan në basenin e Notas drejt një territori më të banueshëm, i ndodhur në një gjerësi gjeografike lehtësisht më të ulët.

Përmbytja Universale
Në këtë pikë mund të supozohet se përmbytja e Noes është kujtimi (më pas i postuar në botën kaukaziane, udhëkryq i rëndësishëm e migrimeve nga veriu në jug) i një përmbytjeje katastrofike që ka prekur një zonë të madhe të Laponisë veriore, territori i së cilës është karakterizuar shpesh nga një prani e dendur liqenesh, lumenjsh dhe moçalesh. Në fakt, nëqoftëse pranohet se rrëfimi i përmbytjes, i përhapur midis shumë popujve, mund të ketë një bazë historike, konsiderimi se mali i shpëtimit është i vendosshim në rajonin kaukazian, midis majave më të larta se 5000 metra, ndershmërisht duket absurd! Në fakt është e arsyeshme të supozohet se ai ka pasur një prototip tjetërkund, domethënë në një territor të rrafshët, të karakterizuar aty këtu nga ngritje të izoluara dhe subjekt përmbytjesh, pikërisht si territori i Laponisë. Nga ana tjetër, në emër të shamanëve laponë, të quajtur noai’de, duket se gjendet vetë emri i Noes, i cili mbi bazën e një rrëfimi biblik ka një karakterizim shamanik tepër të spikatur: është në kontakt të drejtpërdrejtë me Zotin, profetizon përmbytjen (dhe, më pas, edhe ndodhitë e trashëgimtarëve të tij), kalon i paprekur nëërmjet ujërave, ka të bëjë me substanca dehëse. Vetë lakuriqësia e tij pas dehjes, e rilexuar në këtë prizëm, mund të fitojë një ndjesi të mirënjohur për specialistët, përsa mund të jetë i lidhur me ambiguitetin seksual dhe me pirjen e tepruar të lidhura me figurën e shamanëve: për shembull, praktika seidhr, shamanizmi lapon, sipas studiuesve «sjell për meshkujt pacipësi dhe sjellje homoseksuale». Nga ana tjetër, Libri i Enoch-ut (kap. CVI) përcjell një përshkrim kurioz të Noès të sapolindur, që e kishte «mishin e bardhë si dëbora dhe të kuq si trëndafili dhe flokët si lesh i bardhë»: duket pikërisht portreti i një fëmije nordik (dhe, në këtë pikë, mund të mos jetë rastësi që në letërsinë skandinave “Noatun” është “qyteti i anijeve”). Vërejmë edhe se në mitologjinë kelte, e cila jo rrallë duket e futshme në aspekte të caktuara të botës më të lashtë biblike, duket se ai që ka shkaktuar një përmbytje katastrofike ka qenë një “pijanec”. Në çdo rast, raporti i ngushtë midis botës fillestare semitike dhe asaj indoevropiane, përveç prejardhjes së përbashkët nga Sem dhe Jafet, edhe nga pasazhi biblik që shpall afinitetin midis hebrenjve dhe spartanëve: «Ario, mbret i spartanëve, për Onia, Kryeprift, përshëndetje! Në një shkrim që ka të bëjë me spartanët dhe judeasit, është gjetur se janë vëllezër, pasi janë të njëjtës linjë me Abrahamin (…) Bagëtitë dhe të mirat tona janë tuajat dhe ajo që është e juaja është e jona» (Makabesit 12, 20-23).

Gjithmonë lidhur me Sem, të godet ngjashmëria e emrit të tij me atë të samëve, banorëve nomadë të Laponisë. Veç kësaj, këta kanë një mal të shenjtë, malin Saana, që të kujton malin Sinai, malin e shenjtë të hebrenjve (në shpatet e Saana-së ndodhet liqeni Kilpis, nga ku rrjedh një degë e Mounio – Tornionjoki, lumit që i korrespondon Eufratit mesopotamik).

Në këtë pikë, për të verifikuar besueshmërinë e këtij kuadri, do të ishte me interes të madh që të procedohej në një krahasim midis ADN-së të sami-ve dhe asaj të hebrenjve. Po Cam, djali tjetër i Noès? Rikthehemi tek Kemijoki, “lumi Kemi”, që zbret nga Laponia drejt ekstremitetit verior të Gjirit të Botnisë: në shpatullar e tij lind lumi Tana, i cili më pas drejtohet për nga ajo Etiopi e lashtë që e gjejmë si tek Homeri, ashtu dhe në rrëfimin biblik të Parajsës. Një konfigurim i tillë përfaqëson pothuajse një pasqyrë të Egjiptit afrikan, “toka e Kem-it”, e banuar nga trashëgimtarët e Cam e ndodhur përgjatë Nilit, që vjen nga Etiopia dhe nga liqeni Tana (nga ku ka origjinën Nili i Kaltër). Nga ana tjetër, në të ashtuquajturën Kronikë të Nestorit, që i përket shekullit të XII-të, flitet për «lumin Geona të quajtur Nil»: kështu, edhe Nili, përveç Gangut, mund të jetë një imazh i Gehonit biblik (që në Laponi e kemi parë t’i korrespondojë lumit aktual Tana). Dhe një koinçidencë tjetër e veçantë qëndron në faktin që përgjatë Ounasjoki, degë e Kemijoki, gjenden Kuusajoki (“lumi Kuusa”) dhe Kuusajärvi (“liqeni Kuusa”): kjo, e sjellë në gjeografinë afrikane, i korrespondon tokës së Cus-it, në Egjipt dhe përpara Etiopisë. Kështu, egjiptianët primitvë, siç e konfirmojnë treguesit e përcjellë më parë lidhur me një origjinë të mundshme nordike të tyre – në radhë të parë kulti diellor – ndoshta vinin edhe ata nga zona lapone: pastaj ata, në analogji me sa ka ndodhur në Mesopotami, sapo kanë arritur në luginën e Nilit (duke kaluar ka mundësi nëër Kaukaz, ku lanë gjurmë toponomastike të gjetura ngë egjiptologu i madh Flinders Petrie) ndërtuan sipas mënyrës së tyre botën e thellë arktike nga e cila kishin ardhur. Lidhur me këtë, ekziston një ngjashmëri e jashtëzakonshme midis mitit të Osirisit, të bërë copa copa, të hedhur në ujërat e Nilit, të gjetura, të mbledhura dhe të ringjallur, dhe një fatkeqësie pothuajse identike të ndodhur heroit fin Lemminkäinen (runi XIV e XV të Kalevala), të dy lehtësisht të shpjegueshëm në terma të metaforës të ciklit vjetor të diellit në rajonet arktike, ku ditën e vazhdueshme gjatë solsticit verior e pasojnë fazat e alternimit të saj me natën (Zoti “copëtohet”), pastaj errësirat e solsticit të dimrit (zhdukja në ujërat), rikthimi i alternimit midis ditës dhe natës (gjetja e copave) dhe, më së fundi, përsëritja e diellit pa perëndim në verën pasuese (rivendosja e integritetit). Kësaj i shtohet që imazhi Isisit, gruaja e Osirisit, shpesh e paraqitur me një lopë të drunjtë të stolisur me një diell të florinjtë midis brirëve, është identike me një lopë, gjithmonë të Kalevala, me brirët vezulluese prej floriri dhe diskun e diellit në kokë.

Rrënjë indoeuropiane
Domethënë, siç e kemi demonstruar tek Homeri në Balltik, nëse tashmë Laponia na ka dhënë jo pak të dhëna për ta lokalizuar selinë e selisë fillestare indoevropiane, tani këto konvergjenca me Parajsën biblike nga njëra anë përfaqësojnë një konfirmim, nga ana tjetër e zgjerojnë kuadrin me perspektiva akoma më të mahnitshme, duke u dhënë një substancë si historike, ashtu dhe gjeografike, konceptimit tradicional të origjinës “hiperboreje” të qytetërimit tonë dhe duke e salduar ndërkohë me konceptin biblik të origjinës së përbashkët të semitëve, të cam-itëve dhe të indoeuropianëve. Por e gjitha kjo përplaset pashmangshmërisht me idenë e vjetër të origjinës lindore të qytetërimit europian (“Ex Oriente Lux”). Në një konceptim të tillë kanë kontribuar ndoshta si lashtësia e madhe e qytetërimeve mseopotamike, ashtu dhe indikacioni (i keqkuptuar, siç e kemi parë) i Zanafillës lidhur me lokalizimin e Parajsës në afërsi të rrjedhës së Tigrit dhe të Eufratit. Veç të tjerash, një koncept i tillë është vënë prej kohësh në krizë nga futja e datimit me radiokarbon të korrigjuar me dendrokronologjinë. Me një fjalë, spostimet e origjinës të qytetërimit tonë nga lindja në veri rezulton thelbësisht në linjë me arritjet më të fundit të shkencës. Veç të tjerash, është evidente se konsideratat e mëparshme kërkojnë verifikime dhe thellime të mëtejshme nga ana e specialistëve të fushave të ndryshme të prekura prej tyre: preferojmë që t’i konsiderojmë një pikë nisjeje, sigurisht jo mbërritjeje, në kërkimin e origjinës së qytetërimit tonë. Lumenjtë që dalin nga “Parajsa” lapone, korresponduese me zonën aktuale Enontekiö (e ndodhur në 68.23 gjerësi gjeografike veri, 23.38 gjatësi gjeografike lindje), në Finlandën veriore.

Përgatiti për bota.al
ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button