Analiza

Në një botë të shkatërruar prej fanatizmit, një “mesazh” nga Damasku, prej Ibn Arabit

arabi

Michael Wood*

Do të jenë Krishtlindje të zymta për shumëkënd në Lindjen e afërme, vendlindjen e Kristianizmit. Konflikte po ndizen kudo, rrugët e vjetra të Sirisë janë shkatërruar, dhe trashëgimia e saj e madhe po shuhet.

Jo shumë kohë më parë shkova në Damask, dhe vizitova varrin e një prej figurave më të spikatura të Islamit, filozofit dhe mistikut Ibn Arabi, i cili vdiq aty në vitin 1240, në prag të shkatërrimit të lindjes së afërme prej mongolëve.

Ai kishte lindur në Andaluzi, ku traditat hebreje, kristiane, islamike dhe greke shkriheshin nën jë sintezë mrekullisht të pasur kulturore. Ai shkroi afro 400 libra (ishte më pjellor se Aristoteli!), tema kryesore e të cilëve ishte uniteti i qenies, uniteti i feve. Vepra e tij pati një ndikim shumë të madh në të gjithë botën myslimane, në Indi, e madje edhe në Islamin kinez, që nga shekulli 17. Atë e duan ende në shoqëritë tradicionale myslimane, ndonëse që nga ajo kohë, shumëkush nga autoritetet e kanë konsideruar si heretik, me ide që pothuajse mund t’i përkasin panteizmit. Por veprat e tij kanë më shumë se kurrë vlerë sot, në një botë të tronditur prej injorancës dhe fanatizmit.

Varri i tij ndodhet në një lagje piktoreske të Damaskut, një milje përtej mureve të qytetit, në krye të një rruge me mermet, e zbukuruar me pemë frutore dhe lule të gjata. Mbërrin në një mensë otomane me një kube mbi të, e cila është ndërtuar nga arkitekti i madh, Sinani, për të ushqyer vizitorët e varfër të varrit, i cili është ende shumë popullor mes vendasve. Varri ndodhet në një dhomë të nëndheshme në xhaminë ngjitur: muret janë ngjyrë e gjelbër e errët, të mbushur me piktura në korniza, fotografi dhe tekste. Vetë varri ndodhet në brendësi të një “shtëpie xhami”, të rrethuar me lule. Në tapetët e vjetër, njerëzit uleshin dhe faleshin në heshtje, ndërkohë që roja bisedonte me mua për “sheikun”, siç e quante ai.

Unë nuk jam një person fetar, por jam i magjepsur prej impulsit fetar, format e devocionit dhe historinë që ato transmetojnë, sidomos në vendet e shenjtë sufite: streha mikpritëse e Nizamuddinit në Delhi; kutia e shndërritshme e xhevahirëve e Gailanit në Bagdad; vendet e shenjtë të Sindit; razmatazi i moulidëve egjiptianë, me kërcimet “trance” dhe shfaqjet mjekësore. Këto mënyra alternative të të parit, tashmë rrezikohen kudo prej ngjitjes së formave vahabiste të Islamit. Por ato janë një pjesë kyçe e historisë së fesë Myslimane.

Idetë kryesore të Ibn Arabit i kishin rrënjët tek vetë Kur’ani: Nuk duhet të ketë imponim në fe, gjithësecili ka të drejtën të ndjekë shtegun e tij drejt hyjnores, zbulimet e mëhershëm të feve të tjera janë të gjitha pjesë e një plani hyjnor. Duke shkruajtur rrjedhën e plotë të qytetërimit Islamik, përpara plaçkitjes së Bagdadit në vitin 1258, qëndrimi i Ibn Arabit ishte se, Islami ishte shtylla orientuese më e fundit, por se, asgjë nga përpjekjet e gjata të njerëzimit për dituri nuk mund të lihej jashtë, pasi çdo gjë që është njerëzore, është hyjnore; ndëshkimi për të keqen i korrespondon të keqes; mungesa e tolerancës bie ndesh me karakterin e njerëzimit.  “Asgjë nuk është më e bukur se sa bota”, thoshte ai. Pavarësisht zhurmës së pandalur të ideologëve fondamentalistë, shumica e myslimanëve të botës, jam i sigurtë që bien dakord: në përvojën time, ata i jetojnë dhe i ndiejnë jetët e tyre, në një mënyrë shumë të ndryshme, nga ajo e pakicës fanatike. Traditat e mëdha të Islamit, me kaq shumë shtresa dhe kaq të shumëllojshme në të gjithë manifestimet e tyre rajonale, janë shumë më të pasuran dhe të thella se sa një degë sektare.

Kështu që, për sezonin e festave, ja një mesazh nga Damasku, me fjalët e famshme të Ibn Arabit:

“Zemra ime është e aftë për çdo lloj forme,

Një manastir për një murg të krishterë,

Dhe një tempull për idhujt e Hinduve,

Një kullotë për gazelat, udhëtarin e Mekës,

Tabletat e Torahut, Kur’anin.

Dashuria është feja që unë ndjek,

Kudo që t’i kthejë gamiljet e veta, Dashuria është sërish feja ime,

Dhe besimi”.

Gëzuar!

  • Michael Wood është profesor i Historisë në Universitetin e Manchesterit /Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button