Shkence

Në një Univers ose në tjetrin. Ja pse botët paralele ekzistojnë

Botët paralele ekzistojnë. Fjala e tre shkencëtarëve, që me këtë ide kërkojnë të shpjegojnë një nga misteret e mëdha të natyrës

Screen Shot 2015-07-05 at 11.41.47

Tre shkencëtarë të respektuar shpallin: nuk jemi vetëm në Univers. Por mos mendoni për marsianët dhe për planetët e yjeve të largëta, jashtëtokësorët nuk kanë të bëjnë fare. Nuk flitet vetëm për racën njerëzore që nuk është vetëm, por gjithë kozmosin. Që do të ishte njëri ndër shumë të tjerë, ku secili ekziston sipas ligjeve të veta të fizikës. Propozimi revolucionar është që çdo univers ndikohet nga të tjerët, dhe ky bashkëveprim është shkaku i fenomeneve që sot i shpjegojmë me një teori të famshme, për vështirësinë e saj, mekanikën kuantike. E cila do të lejonte madje të sajonim eksperimente për të numëruar këto botë paralele, si dhe do të kishte disa avantazhe praktike, për llogaritjet atomike apo për industrinë.

NJË IDE E RE
Argumenti është sigurisht i denjë për një film fantastiko-shkencor, siç ka patur shumë në të shkuarën. Për shembull seria e famshme televizive britanike “Doctor Who”. Këtu universet paralele ishin të ndarë nga asgjëja absolute, “boshllëku”, që nuk mund të kalohet nëse nuk jemi në kushte të përsosura. Kur u transmetua episodi i parë i serive, në vitin 1963, botët paralele sapo ishin marrë në konsideratë nga shkenca. Në vitin 1957, fizikanti Hugh Everett III i kishte përdorur për të kapërcyer disa paradokse të mekanikës kuantike, teoria që shpjegon sjelljen e thërrmijave elementare.

Si për Everettin, ashtu edhe për autorët e “Doctor Who” nuk ka bashkëveprim midis një universi dhe të tjerëve, pikërisht ashtu si vijat paralele, që nuk takohen kurrë, (të paktën nëse nuk zotëron Makinën e Kohës së Doktorit, pajisja si kabinë e vjetër telefonike e policisë angleze, që lejon të udhëtohet përmes dimensioneve hapësinore e kohore…)

Përkundrazi Michael Hall dhe Howard Wiseman, nga Universiteti Griffith në Brisbane, në Australi, dhe Dirk-Andre Deckert, nga Universiteti i Kalifornisë në Davis, të Shteteve të Bashkuara, propozojnë një teori të re, sipas të cilës ekzistojnë universe të tjera përveç këtij që njohim, siç është ngritur tashmë hipoteza nga Everett, por në gjendje për të influencuar ngjarjet, moment pas momenti. Puna e treshes së shkencëtarëve është shfaqur në revistën shkencore “Physical Review X”.

I GJALLË APO I NGORDHUR?
“Pika jonë e nisjes është e njëjta me Everett, që është nevoja për të shpjeguar në mënyrë të kënaqshme çuditë e mekanikës kuantike”, ilustron Michael Hall. Ligjet e fizikës klasike që rregullojnë ngjarjet në nivel makroskopik, ato të jetës tonë të përditshme, janë të tilla që çdo shkaku, i korrespondon një pasojë preçize: janë, pra, vendimtare. Ligjet e mekanikës kuantike, që përkundrazi aplikohen në nivel mikroskopik, janë të ndryshme: kur përmbushet një masë mbi një sistem të caktuar thërrmijash elementare, nuk mund të thuhet më parë cili rezultat do të fitohet, por vetëm të dihet nëse një rezultat është pak a shumë i mundshëm, krahasuar me të tjerët. Bashkësia e probabiliteteve është e përshkruar nga një formulë matematike e quajtur “funksion i valës”, e prezantuar në vitin 1962 nga fizikanti austriak, Erwin Schrödinger.

Atij i detyrohemi për imazhin popullor të maçokut homonimik të vulosur në një kuti, që mund të gjendet në dy gjendje: i gjallë ose i ngordhur. Para se ta hapim, nuk mundemi të dijmë në çfarë gjendje është. Funksioni i valës thotë që gjendet në një gjendje të përzierë, në të cilën është në të njëjtën kohë si i gjallë, si i ngordhur, me probabilitet të ndryshëm. E çuditshme? Po. Edhe Ainshtaini e kishte të vështirë të pranonte këtë dhe paradokse të tjera të mekanikës kuantike. Eksperimentet megjithatë, i japin të drejtë teorisë së kuanteve, edhe pse natyra reale e funksionit të valës mbetet një mister: “Eshtë thjesht arsyetimi, se cili mund të ishte fenomeni, i cili jep pikënisjen se kemi arritur të studiojmë botët paralele”, shton Hall.

EFEKTI KUNDËRSHTUES
Hall, Deckert dhe Wiseman kanë imagjinuar një bashkësi universesh të qeverisura vetëm nga ligjet e mekanikës tradicionale, ajo e Galileit dhe e Newtonit, pa funksionin e valës, për të rregulluar proçeset midis thërrmijave elementare. Të gjitha universet ndajnë të njëjtën hapësirë e të njëjtën kohë, por thërrmijat e një bote munden të ndërveprojnë vetëm me thërmija të tjera të së njëjtës botë. Paksa si shokë të një dhome të cilët banojnë në të njëjtin apartament, pa e njohur njëri-tjetrin. “Kur thërrmijat e një universi kanë pozicione dhe shpejtësi shumë të afërt me ato të thërrmijave të një tjetër Universi, ja pra që shfaqet një forcë kundërshtuese midis të dyjave”, shpjegon Wiseman.

“Kjo forcë bën që thërrmijat në një botë dhe në tjetrën ta ndryshojnë konfigurimin e tyre, në mënyrë vendimtare. Por një vëzhgues, që shikon thërrmijat vetëm në Universin e vet, nuk mund të parashikojë a priori sjelljen, pasi nuk e di në cilën midis botëve të mundshme gjendet, as me cilën është duke ndërvepruar. Mund të japë vetëm një përshkrim të mundshëm”. Funksioni i valës, kështu, do të ishte një efekt dytësor i ndërveprimit midis universeve të ndryshme, moment pas momenti. Autorët e kanë pagëzuar teorinë e tyre Many Interacting Worlds (MIW), që do të thotë “Shumë Botë Ndërvepruese”. “Ky model mund të shpjegojë një ndryshueshmëri të madhe të fenomeneve kuantike”, thotë Wiseman.

PËRGJIGJA ËSHTË…
Nëse teoria është e vërtetë, çdo moment pranë nesh gjenden versione të tjera të vetes sonë, për shembull me sytë e me flokët e ngjyrave të ndryshme, që jetojnë secila në botën e vet. Ideja duket edhe më absurde për funksionimin misterioz të valës, por Wiseman ilustron avantazhet: “Qasja jonë lejon të thjeshtësohen përllogaritjet e nevojshme në një kompjuter, për të studiuar fenomenet kuantike me aplikimin preçiz”. Për shembull, tre shkencëtarët kanë stimuluar në kompjuter një eksperiment të famshëm të fizikës kuantike, interferencën e një thërrmije kur kalon përmes një hapësire dyshe. Përputhja e rezultateve të simulimit me aq sa parashikohet nga mekanika kuantike është pothuajse perfekte në rastin e dyzetenjë botëve ndërvepruese.

Kush e di se çfarë do të mendonin të apasionuarit e romanit satirik fantashkencor “Udhëzues Galaktike për Autostop-istë”, me autor britanikun Douglas Adams, në të cilin përgjigja e një kompjuteri ndaj pyetjes themelore të jetës, universi + gjithçka = …42. ZHVILLIME TË ARDHSHME. Bill Poirier, docent në Texas Technical University, i cili qysh në vitin 2010 kishte filluar të punonte mbi një ide analoge me atë të tre kolegëve, thekson aplikacionet potenciale: “Qasja e Shumë Botëve Ndërvepruese paraqet të reja vendimtare për të llogaritur reaksionet komplekse kimike, me të cilat sintetizohen molekulat e përbërësve aktivë për ilaçet e reja”. Hall, Decket dhe Wiseman, nga ana e tyre, vazhdojnë të verifikojnë dhe ta zgjerojnë teorinë: “Kemi akoma shumë punë për të bërë, për të përshkruar shumë tipologji të fenomeneve kuantike, për të qartësuar natyrën e forcës kundërshtuese midis universeve dhe pasojat e mundshme mbi teorinë tjetër të madhe të shekullit tëkaluar, relativitetit të përgjithshëm”, konkludon Hall. Pas Schrödinger ndoshta as Ainshtaini nuk mund të bëjë një gjumë të qetë.

Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button