Lucio Caracciolo
Të gjithë janë kthyer të flasin për bombën atomike, si garancinë e vërtetë të sigurisë për vendin e tyre. Pse Ukraina duhej të çmontonte arsenalin e saj në vitin 1996? A mund t’u besojmë “garancive” franceze dhe britanike?
Në vitin 1966, “I Giganti” këndonin “Noi non abbiamo paura della bomba” (Ne nuk kemi frikë nga bomba. Kjo ishte një moto, “ne nuk kemi frikë nga bomba”, e cila sot besoj se duhet vënë disi në dyshim, sepse bomba atomike rikthehet si protagoniste në këtë luftë në Ukrainë dhe në gjithçka që lidhet me negociatat që shpresojmë vërtet të fillojnë mes Rusisë, Ukrainës dhe Amerikës. Le të fillojmë me një lajm ndoshta pak të njohur.
Pak më shumë se një vit më parë, inteligjenca amerikane zbuloi se Putini kishte vendosur të përdorte bombën atomike në hapësirë si një mjet frikësimi, një paralajmërim për Ukrainën, dhe se ishte ndalur në momentin e fundit nga partnerët e tij kinezë, të cilët i kishin thënë: “Po ku mendon se po shkon?”
Ndoshta lajmi është i vërtetë, edhe pse informacionet e inteligjencës gjithmonë duhet marrë me rezervë, por na kujton një pikë thelbësore, domethënë që kemi kaluar nga faza e gjatë e frikësimit gjatë Luftës së Ftohtë, kur nga njëra anë ishin sovjetikët dhe nga ana tjetër amerikanët të armatosur “deri në dhëmbë me bomba”, por me rregulla mjaft të qarta, që nuk do të duhej të përdorej dhe që shërbente vetëm si mjet frikësimi, si kërcënim për të parandaluar përdorimin e saj.
Tani, përkundrazi, të gjithë, edhe gazetat, diskutojnë jo vetëm për bombën si frikësim, por edhe si një armë për t’u përdorur në terren ose, siç kemi parë, në hapësirë.
Më tepër se kaq, duket se tashmë të vetmet shtete vërtet sovrane janë ato që disponojnë një arsenal bërthamor. Problemi është se ndërkohë këto shtete po shtohen dhe rrezikojnë të bëhen gjithnjë e më shumë, pikërisht sepse e shohin bombën atomike si garancinë e vërtetë të sovranitetit të tyre.
Dhe këtu vijmë tek rasti i Ukrainës, që na kthen pas në vitin 1996, kur Ukraina, pasi kishte marrë garanci – ato garancitë e famshme të sigurisë për të cilat flitet gjithmonë – nga Amerika, Rusia dhe edhe nga vende të tjera, vendosi të çmontonte arsenalin e saj bërthamor.
Më kujtohet që kur Ukraina u bë e pavarur, në vitin 1991, ajo kishte arsenalin e tretë bërthamor më të madh në botë. Në të vërtetë, ai ishte pjesë e arsenalit sovjetik dhe e kishte trashëguar nga BRSS. Rusët këmbëngulën, në marrëveshje me amerikanët, që Ukraina t’ia dorëzonte këtë arsenal, dhe rezultatin e kemi sot përpara syve.
Por mund të marrim shumë shembuj të tjerë. Për shembull, Libia e Gadafit, që ishte një hap larg armës bërthamore, hoqi dorë dhe e dimë mirë se si përfundoi. Për shembull, Iraku i Sadam Huseinit, e njëjta histori.
Ndërsa, për shembull, e kundërta ndodhi me Korenë e Veriut, e cila krijoi arsenalin e saj bërthamor duke injoruar presionet amerikane, dhe sot, falë këtij arsenali, i frikëson të gjithë ata që do të dëshironin ta zhduknin regjimin e saj nga faqja e dheut. Dhe në fund, vijmë te rasti ynë. Këto ditë kemi parë francezët dhe britanikët të tundin arsenalin e tyre bërthamor dhe të ofrohen si garantues, jo vetëm për Ukrainën, por për vendet evropiane në vend të amerikanëve.
Dhe ja tek është, Macron, ja tek është Starmer, i detyruar të flasë për bombën e tij si një garanci për të tjerët, duke shkaktuar ndërkohë reagime të ndryshme. Aq e vërtetë është kjo, saqë, në një moment të caktuar, qeveria franceze është dashur të ndërhyjë zyrtarisht, kur tashmë po flitej për një marrëveshje të mundshme franko-gjermane për të ndërtuar një arsenal të përbashkët, për t’u mbrojtur me bombën franceze. Dhe qeveria franceze, përmes ministrit të saj të Mbrojtjes, Louis Cornu, ka deklaruar se Franca ruan sovranitetin dhe kontrollin e bombës, dhe i vetmi person i autorizuar për të shtypur butonin është Macron.
Pra, ka shumë biseda dhe shumë pasiguri, mbi bombën që në mënyrë hipotetike duhet të mbrojë si garanci ekstreme Ukrainën, por mbi të gjitha vendet e NATO-s, në rastin kur amerikanët vendosin se nuk kanë më shumë dëshirë të kujdesen për ne.
Kjo ndoshta është mirë të kujtohet, duke qenë se Italia në një lojë të tillë është jashtë loje, sepse nuk e ka bombën, edhe pse kemi tentuar ta kemi. Në vitin 1957, Italia mori pjesë në një projekt sekret që duhej të çonte në ndërtimin e një bombe Italo-Franko-Gjermane përmes një marrëveshjeje të firmosur në fshehtësi në shkretëtirën algjeriane, në atë kohë franceze, nga qeveritë italiane, franceze dhe gjermane.
Projekti dukej se po përparonte, kur ministri italian i Mbrojtjes në atë kohë, Emilio Taviani, vendosi të informonte amerikanët, sepse nuk ishte shumë dakord me këtë dhe, mbi të gjitha, mendonte se amerikanët nuk do ta pranonin.
Rezultati? Projekti dështoi dhe bomba atomike sot nuk është as te gjermanët, as te italianët, por është te francezët, sepse gjenerali De Gaulle i jepte shumë rëndësi këtij instrumenti të sovranitetit, jo aq si një mjet ushtarak, por si një instrument politik për të shpallur madhështinë e Francës. Atëherë, pse po flasim për bombën?
Sepse shumë në Evropë, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Veriore, mendojnë se edhe nëse lufta do të përfundonte, edhe nëse do të arrihej një marrëveshje paqeje, rusëve nuk mund t’u besohet. Ata mund të bëjnë një pauzë, ndoshta edhe të gjatë, dhe më pas të vendosin jo vetëm të marrin pjesën tjetër të Ukrainës deri në Kiev, por edhe të kërcënojnë vendet baltike, Poloninë, vendet skandinave, pra atë krah verilindor të NATO-s që gjithmonë ka qenë veçanërisht armiqësor dhe që rusët e shohin si një provokim të hapur, njësoj si polakët, suedezët dhe baltikët i shohin rusët. Këtu duhet të arrihet një mirëkuptim.
Për momentin, sigurisht nuk kemi asnjë provë për ndonjë qëllim të Rusisë për të sulmuar këto vende, por mbi të gjitha një farë skepticizmi në lidhje me këtë planifikim strategjik të mundshëm rus, që vjen nga fusha e betejës.
Të gjithë kemi parë në çfarë gjendje është sot, për fat të keq, Ukraina dhe, mbi të gjitha, sa të rraskapitur janë ukrainasit, por shohim më pak një të dhënë tjetër, që është se edhe nëse kjo luftë është e humbur për Ukrainën, sigurisht nuk është e fituar nga Rusia. Rusët e vrarë janë qindra mijëra, opinioni publik rus, që gjithsesi është shumë patriotik dhe i gatshëm të hajë bar kur është luftë, po fillon të mendojë se ndoshta është koha për ta përfunduar, për të mos rrezikuar më tej.
Dhe kjo do të thotë se pas tre vitesh lufte, rusët nuk kanë arritur të marrin as edhe një qytet të madh ukrainas, e aq më pak Kievin. Pra, përtej synimeve të tyre, rusët mesa duket nuk kanë një kapacitet ushtarak të tillë sa të kërcënojnë fqinjët e tyre. / Limes – Bota.al