Bota

Ne, objektivi i përsosur i kultit të vdekjes

paris 2

Ian McEwan, shkrimtar

Kulti i vdekjes e ka zgjedhur mirë qytetin – Parisin, kryeqyteti laik i botës, një prej metropoleve më mikpritës, heterogjen dhe magjepsës që është krijuar ndonjëherë. Kulti i vdekjes i ka përzgjedhur objektivat e tij në këtë qytet me një saktësi makabër. Gjithçka që urrenin ndodhej aty, mu përpara syve të tyre, në atë mbrëmje të këndshme të të premtes: gra dhe burra që rrinin të qetë së bashku, verë, mendim i lirë, të qeshura, tolerancë, muzikë e shfrenuar dhe satirikë – rock dhe blues.

Ndjekësit e kultit të vdekjes erdhën të armatosur me një nihilizëm të egër, dhe një urrejtje që shkon përtej aftësisë sonë për ta kuptuar. Si koracë mbrojtëse, një rrip të mbushur me eksplozivë, ideja e tyre e fshehjes përfundimtare, një jetë e përtejme virtuoze, ku policia nuk mund të mbërrijë. (Parajsa e xhihadistëve po rezulton një prej ideve më të këqija që janë konceptuar ndonjëherë nga njerëzimi; masakro dhe digj në këtë jetë, për të fituar paqen e përjetshme në jetën tjetër).

Parisi, i hutuar dhe i ndrydhur, është zgjuar dhe ka reflektuar mbi rrethanat e tij të ndryshuara tashmë. Ata ndër ne, që natën e të premtes kishim dalë në qytet, nuk kanë mundur të mos habiten prej kapriçove të rastësisë, që na lë ne të gjallë, dhe të tjerët të vdekur.

Kur nisi kasaphana, ime shoqe dhe unë ndodheshim në një verandë tipike pariziene, stereotipi i jetës pa shumë pretendime, qysh prej vitit 1845. Në atë restorant të mrekullueshëm, ulesh në tavolina të mbushura me njerëz, nën shoqërinë e të panjohurve dashamirës, vizitorë dhe banorë vendës, në një shkrirje krejt miqësore.

Me “poully-fume”-të dhe “filet d’hareng”-et tona, do të kishim qenë objektiva të mirë, ashtu si cilido tjetër. Kulti i vdekjes preferoi lagjen Dhjetë dhe Njëmbëdhjetë, vetëm një kilometër e gjysmë më tutje, dhe ne nuk kuptuam asgjë.

Sot e dimë. Cilat janë tashmë rrethanat e ndryshuara? Siguria do të forcohet, dhe Parisi do të duhet të bëhet pakëz më pak magjepsës. Tensioni mes sigurisë dhe lirisë do të mbetet një sfidë. Plumbat dhe bombat e kultit të vdekjes do të rikthehen, këtu apo gjetkë, për këtë mund të jemi të sigurtë. Banorët e Londrës, Nju Jorkut dhe Berlinit duhet të kenë shumë kujdes. Në janar ishim të gjithë Charlie Hebdo. Sot jemi të gjithë parizienë dhe në një moment kaq të errët, ky është një motiv krenarie.

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button