Psikologji

 “Ne rritemi duke i ndihmuar edhe të tjerët të rriten me ne”. Fjalimi më i bukur rreth suksesit

“Unë nuk po ju them se jeta është një garë dhe ju duhet të mundni të tjerët për të triumfuar vetë. Përkundrazi, ju duhet të korrni sukses dhe t’i ndihmoni të tjerët të avancojnë në jetë. Ne rritemi duke i ndihmuar edhe të tjerët të rriten me ne”.

Suksesi është synimi i çdokujt. Jeta është plot me sfida dhe mundësi, por vetëm për ata që mundohen shumë për t’i arritur t’i fitojnë ato mundësi. Përkushtimi dhe puna e madhe janë çelësi i vetëm drejt suksesit. Pa ndjerë pasionin dhe pa pasur vullnetin për të punuar fort, askush nuk mund të korrë sukses. Më poshtë keni një fjalim për suksesin të mbajtur për festën e fundvitit në një shkollë të lartë. Ndër të tjera, lidhur me suksesin u thanë këto fjalë:

“Duke shfrytëzuar nderin që më është dhënë për të folur përpara jush, unë dua t’ju flas për disa sekrete të suksesit. Suksesi për ju momentalisht është t’i mbyllni projektet dhe detyrat në kohë, të ndiqni leksionet, të mos lini orët e mësimit, të jepni provimet dhe normalisht, të dilni mirë në provime. Por jeta në realitet është një det i madh; në fakt është një oqean, në të cilin do t’ju duhet të notoni për ta kaluar.

Ndonjëherë jeta mund t’ju godasë rëndë, por mos e humbni shpresën. Gjithmonë besoni se ata që nuk heqin dorë, janë të vetmit që do të korrin sukses. Nëse unë ju kërkoj të më përkufizoni suksesin, ju me siguri do të më flisni për profesione të rëndësishme, makina të mira, shtëpi të mëdha etj. Secili ka përkufizimin e vet për suksesin. Në fakt, të gjitha përmblidhen në një gjë të vetme, suksesi është lumturi dhe kënaqësi, njëkohësisht. Është shumë e rëndësishme që jut ë ndiqni pasionet dhe gjërat që pëlqeni. Mos ndiqni ëndrrat e të tjerëve; ju keni identitetin tuaj, kapacitetin tuaj dhe me punë të madhe, ato do t’ju nxjerrin në dritë.

Unë e kuptoj se shumë nga ju kanë vendosur lidhur me rrugën që do të ndjekin pas universitetit. Disa mund të ndjekin studime të mëtejshme, disa mund të futen në punë, disa të futen në bizneset e familjes etj. Çdo gjë që do të ndërmerrni, do të ketë vështirësitë e veta. Ju duhet të fokusoheni vetëm tek ato që doni të arrini dhe jo tek pasojat. Përpiquni sërish, edhe nëse dështoni diku. Kujtoni vetëm se gabimet ju japin mësime të vlefshme në fund dhe ju ndihmojnë të ndiqni rrugën e drejtë.

Unë nuk po ju them se jeta është një garë dhe ju duhet të mundni të tjerët për të triumfuar vetë. Përkundrazi, ju duhet të korrni sukses dhe t’i ndihmoni të tjerët të avancojnë në jetë. Ne rritemi duke ndihmuar edhe të tjerët të rriten me ne.

Ju jeni e ardhmja e këtij vendi; ju duhet të përmbushni edhe përgjegjësitë tuaja sociale në mënyrë që brezat e tjerë të kenë shembujt tuaj për të ecur përpara në jetën e tyre. Ne kemi nevojë përherë për njerëz të suksesshëm, ndaj përqendrohuni në synimet tuaja dhe ndiqni me kujdes rrugën tuaj drejt suksesit.

Faleminderit!” / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button