Your Life

Nëse je një nënë beqare, mos u mundo shumë. Çdo gjë do të shkojë mirë…

Dua të të them diçka. Ndërkohë që përpiqesh shumë për t’ia dalë mbanë, për të mos i lënë gjërat të përfundojnë keq, ndërkohë që sapo del nga puna shkon të marrësh fëmijët nga shkolla, kontrollon detyrat e tyre, gatuan për ta, pastron shtëpinë, dua që të gjesh pak kohë për të më dëgjuar.
Pasi lahesh dhe vjen koha për të fjetur, atëherë kur qetësia e shtëpise duket mbytëse dhe ti ulesh në një karrige për t’u menduar me një zemër të thyer dhe me mendime të errëta në mendje, ka diçka që duhet ta dish.
Ata fëmijë që po flenë në shtretërit e tyre dhe për të cilët ti merakosesh në çdo moment se mund të sëmuren ,do të jenë mirë.
Edhe pse shtëpia mund të të duket si e copëtuar, pavarësisht boshllëkut që ndihet në familjen tënde, ata fëmijë shumë shpejt do të bëhen të rritur që do të dashurojnë, do të mësojnë e do të rriten. Ashtu siç ti shpreson. Ashtu siç ti lutesh që të ndodhë.
Jo, gjërat nuk shkuan sipas planeve. Përralla jote nuk e arriti fundin e lumtur, por kjo nuk do të thotë se ti ke dështuar, sepse dashuria jote, e dashur mama, do ta shpëtojë familjen tënde.
Në momentin që u bëre nënë, në zemrën tënde të thyer u vendos një fëmijë dhe pikërisht me atë dashuri të madhe për fëmijën tënd ti do ta gjesh forcën për t’ia dalë mbanë në këto kohë të vështira.
Netët e tua pa gjumë gradualisht do të bëhen qetësuese. Shqetësimet e tua do të shndërrohen në paqe, sepse fëmijët e tu do të jenë mirë. Ata do të jenë vërtet shumë mirë.
Si jam unë i sigurtë për këtë gjë?
Sepse unë jam rritur në një shtëpi të copëtuar. Unë jam djali i një mamaje të lodhur e beqare.
Kur isha fëmijë, emocionet e mia më tërhiqnin sikur të ishin një stuhi, por mund të them vetëm diçka me siguri të plotë. Ishte dashuria e nënës që më bëri t’ia dilja mbanë.
Ajo është shoqja ime më e mirë. Heroina ime. Idhulli im. Ajo është personi që unë i besoj më shumë, bartësja më e mirë e sekreteve të mia dhe personi që gjithmonë i përgjigjet telefonatave të mia, sado vonë ta telefonoj…
Sigurisht që më mungoi babai im. Unë qaja vazhdimisht dhe lutesha që gjërat të ktheheshin ashtu siç ishin, por kur divorci krijoi një hapësirë në familjen tonë, dashuria e mamasë ishte ajo që vrapoi për ta mbushur atë.
Dhe unë jam mirë. Më shumë se mirë. Unë jam i lumtur.
Së shpejti, ti do të zbulosh se je e aftë dhe e fortë, se nuk je thjesht e mjaftueshme për t’i çuar gjërat përpara, por je më shumë se aq.
Jepi vetes tënde një mundësi të marrësh frymë, mama beqare. Ata fëmijë që po flenë në shtretërit e tyre dhe për të cilët ti shqetësohesh, ata janë të dashur prej teje. Shumë, madje. Ata e dinë këtë gjë.
Dhe si përfundim, dua të them se, dashuria e pastër është gjithmonë mjaftueshëm e madhe për çdo gjë. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button