Analiza

Nga Bethoveni, tek Pekini

Chris Patten

Nga BethoveniGuvernatori i fundit britanik i Hong Kongut. Ish Komisioner i BE për punët e jashtme. Aktualisht Kancelar i Oksfordit

Në 1 korrikun e 17 viteve më parë, po largohesha me Jahtin Mbretëror të Britanisë nga Hong Kongu, aty ku në mesnatën e një dite më parë, Kina rimori sovranitetin sipas kushteve të një marrëveshje ndërkombëtare me Mbretërinë e Bashkuar, e njohur si Deklarata e Përbashkët. Ajo marrëveshje garantoi mënyrën e jetesës së Hong Kongut për pesëdhjetë vite me radhë, sipas sloganit të Ten Hsiaopinit “Një vend, dy sisteme”. Sundimi i ligjit dhe liritë që ofron pluralizmi – proces i drejtë gjyqësor, liria e fjalës dhe e fesë – do të mbeteshin gurthemeli i begatisë dhe stabilitetit të Hong Kongut.

Rikthehemi tek ky vit. Në një datë që për mua kishte shumë rëndësi, si guvernatori i fundit i kolonisë, dhe shumë më tepër tek qytetarët e Hong Kongut, mora pjesë në një produksion të mrekullueshëm të “Fidelios” së Bethovenit, në katin përdhes të një shtëpie fshati pranë Oksfordit. Opera e vetme e Bethovenit, e kompozuar në vitin 1805 (viti i fitores së Napoleonit në Austerlitz) dhe e rikompozuar në 1814 (kur Napoleoni hoqi dorë nga froni) është një prej shprehjeve më të larta kulturore, të vlerave themelore të njeriut – liria dhe kundërshtimi i tiranisë – që gjen jehonë në çdo shoqëri.

Momenti më dramatik i “Fidelios” vjen kur të burgosurit politikë lirohen përkohësisht nga qelitë e tyre. “O Zot! Shpëtim! Lumturi”, këndojnë ata. “O Liri” A do të na jepesh?” Teksa këndonin për lirinë, rrezet e Diellit që po perëndonte verbuan të burgosurit dhe audiencën në Oxfordshire. Natyra po nxirrte edhe më shumë në pah rëndësinë e mesazhit.

Pjesa më e madhe e historisë së dy shekujve që kur Bethoveni kompozoi këtë opera, është përqëndruar pikërisht tek ky kërkim i lirisë: lufta kundër fuqive koloniale, fushatat për të drejtat themelore të njeriut, rezistenca ndaj regjimeve totalitarë dhe autoritarë të kohëve moderne. Në përgjithësi, liria ka triumfuar. Por lufta ende nuk ka marrë fund, ajo vazhdon në çdo kontinent dhe merr shumë forma.

Mendoni viktimat e torturave nga Amerika Qendrore në Bregun e Fildishtë dhe Pakistan; ngacmimet ligjorë –edhe të gazetarëve – në Egjipt; persekutimet e homoseksualëve në Rusi dhe Ugandë; trafikun njerëzor që vazhdon edhe në vendet e zhvilluar; dhe rrëmbimin e vajzave të reja kristiane në Nigeri. Në shumë vende, disidentët politikë (ashtu si të burgosurit e “Fidelios”) janë të mbyllur – apo edhe më keq – duke iu mohuar procedurat e qarta dhe të hapura që duhet të garantojnë zbatimin e ligjit.

Vendi që shqetësimi për zbatimin e të drejtave të njeriut duhet të zërë në hartimin e politikës së jashtme është një objekt debati në shumicën e demokracive, të cilat shpesh herë besojnë se realiteti brenda tyre u jep të drejtë t’u japin leksione të tjerëve. Ndonjëherë është kështu; shpesh herë jo. Për shembull, realiteti në Guantanamo Bay dhe gjetkë ka dëmtuar besueshmërinë e politikanëve amerikanë, për të dhënë leksione për këtë temë.

Eshtë edhe problemi i konsekuencës. Nuk mund të përplasësh grushtet mbi tavolinë në një vend, ndërkohë që e mban për vete opinionin tënd në një vend tjetër – gjë që ndodh shpesh, sidomos në ato raste kur do të dëmtohej, për shembull, një marrëveshje tregtie.

Mungesa e konsekuencës ka qenë një prej mëkateve të Bashkimit Europian, në përpjekjen për hartimin e një politike të jashtme të bazuar tek vlerat. BE u përpoq të ndërtojë një partneritet bashkëpunimi ekonomik dhe politik në rajonin e Mesdheut, për shembull, aty ku ndihma financiare dhe liberalizimi i tregut do të ishin të kushtëzuar me përparimin në respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e institucioneve demokratikë.

Ky objektiv i ndjeshëm u sabotua prej tendencës për të injoruar atë që po ndodhte realisht në disa vende. Shumëkush dyshon se disa shtete anëtarë të BE-së, ndërkohë që këmbëngulin për klauzola të forta sa u përket të drejtave të njeriut në marrëveshjet dypalëshe me vendet që dihet se i torturojnë të burgosurit, nga ana tjetër kanë mbështetur në fshehtësi transportin në po këta vende, për t’u torturuar, të të dyshuarve si terroristë.

Nuk kam dyshime që është në interesin kombëtar të demokracive që të promovojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut. Ndonëse këto vlera nuk mund të imponohen me forcë apo të prodhohen si një kafe e çastit, bota ka shumë gjasa të jetë më paqësore, e qëndrueshme dhe e begatë, sa më mirë t’i trajtojnë këta vende qytetarët e tyre.

Kjo nuk është një recetë për një politikë “të qullët” që mohon kërkesat e botës reale. Por mbështetja tek Realpolitika, si drita që duhet ndjekur në politikën e jashtme ka një histori të errët. Realpolitika na ka sjellë bombardimin e Kamboxhias dhe vrasjet masive të Pol Potit.

Veç kësaj, supozimet “realistë” shpesh herë rezultojnë të pambështetur. Marrëveshjet politike shpesh herë nuk sigurohen, apo mbështeten, prej marrëdhënieve politike. Vendet blejnë atë që kanë nevojë dhe shesin atë që munden në çmimin më të mirë që të munden, pavarësisht nëse një vend tjetër ka shkruar apo jo një komunikatë ministerore. Në fakt, të gjithë politikat përkatëse – që nga ndihma ekonomike, deri tek bashkëpunimi politik dhe për sigurinë – duhet të kushtëzohen me forcimin e institucioneve dhe vlerave.

Të gjithë këto më risjellin në 1 korrikun e këtij viti. Ndërkohë që dëgjoja “Fidelion”, dhjetëra-mijëra banorë të Hong Kongut po demonstronin për lirinë. Ata duan një sistem të drejtë dhe të hapur për zgjedhjen e qeverisë së tyre, si dhe të mbrojnë lirinë dhe sundimin e ligjit, që e bëjnë Hong Kongun kaq special dhe të suksesshëm, një shoqëri liberale në kuptimin klasik të fjalës.

Në fund, populli i Hong Kongut do e marrë atë që do, pavarësisht kundërshtimeve të Kinës. Në fund, liria fiton gjithmonë. Por udhëheqësit e Kinës do të duhej të bënin një hap gjigand përpara duke pranuar se aspirata të tilla nuk janë kërcënim për mirëqenien e vendit. Për momentin, Kina, një vend i madh dhe një fuqi në rritje, po i menaxhon çështjet e saj ekonomike me më shumë sofistikim dhe siguri, nga sa po adreson sfidat politike.

Linku origjinal: http://www.project-syndicate.org/commentary/chris-patten-ponders-what-the-opera–fidelio–has-to-tell-us-about-china-today#LRMBugW1C3HDvBJf.99

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button