Shkence

Nga LSD tek ekstazia, pasuesit e rinj të çmendurisë kimike

Screen Shot 2015-08-17 at 12.09.00

Në vitet e fundit, të paktën gjysma e rasteve të rinj të shqetësimeve psikike kanë një shkak toksik, domethënë nxiten prej substancave psikotrope, prej ku vijnë dhe përcaktimet si “marrëzi kimike”, apo “psikozë toksike”. Një lloj marrëzie që, një herë që ndizet, nuk shuhet më kurrë, as edhe me substancat psikotrope të ligjshme, ilaçet antipsikotikë. Për këtë arsye, drogat e reja janë një fabrikë e vërtetë, në mos vdekjeje, siç ndodh në rastet ekstremë, të paktën çmendurie dhe marrëzie. Po ku e kemi fjalën sot, kur flasim për droga? Një dikotomi e parë përafruese është mes drogave qetësuese (heroinë, alkool, benzodiazepinë), të zgjedhura nga ata që kanë nevojë të qetësohen dhe drogat stimuluese, të preferuara nga ata që duan të eksitohen, të aktivizohen, të rrëmbehen nga euforia: kokaina, anfetamina, LSD-ja, Ekstazia.

Nga drogat stimuluese, disa prej tyre (kokaina dhe anfetamina) rrisin lëshimin e dopaminës në sistemin nervor qendror: substanca “hedonike”, aktive në qarqet e kënaqësisë, që përcaktojnë edhe një stimulim konjitiv. Janë drogërat e atyre që duan të jenë hiperaktivë, të përmirësojnë performancat e tyre në punë, ato intelektuale, sociale. Të tjerat nxisin lëshimin e serotoninës (LSD apo Ekstazia, kanabisi): janë substanca “empatogjene”, që bëjnë të ndihesh më mirë në marrëdhënie me veten dhe të tjerët, shkaktojnë ndryshime në perceptim apo ndryshime të gjendjes së vetëdijes.

Etnopsikiatria sugjeron një tjetër mënyrë me të cilën substancat psikoaktive, përdoren për të nxitur gjendje vetëdijeje të ndryshuara. Për shembull, përdorimi i peyote-s nga ana e indianëve të Amerikës për të përftuar vizione fetare apo përdorimi i ayahauasca-s nga ana e popujve të Amazonës apo Andeve, për të komunikuar me hyjnoren. Në këtë rast, haluçinacionet kanë një qëllim mistik, magjik, iniciues.

Përtej këtij përdorimi që vazhdon në botën perëndimore, ka patur një përdorim “artistik dhe krijues”, nga ana e poetëve, shkrimtarëve, piktorëve, apo edhe, në vitet 60 e 70, marrja e “drogave të lehta” (kanabis, haluçinogjenë) nga ana e lëvizjes së kontestimit. Pra, këto mënyra të ndryshme të marrjes së drogave, janë ndërfutur gjithmonë në një kontekst kulturor të fortë. Prej kohësh jo vetëm që nuk është më kështu, por tashmë mbizotëron marrja e një droge sintetike, qëllimi i të cilës është vetëm arritja e një shkëputjeje pa patur kurfarë qëllimi. Dhe pikërisht nga kjo shkëputje kimike, mund të lindin probleme të natyrës psikopatologjike.

Deri disa vite më parë, edhe pse jashtë një konteksti kulturor, lloji i drogës që merrej nuk ishte rastësor: të paktën në teori, ishte instrumenti për ndryshimin e marrëdhënies me të tjerët, i modulimit të karakterit, i qenies tënde në botë. Kokainë apo anfetaminë për të mposhtur apatinë. Benzodiazepinë apo heroinë për ankthin. Vështirësi për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët? Zgjidhjen e jepte Ekstazia apo substancat psikotomimetike. Panorama është ndërlikuar vitet e fundit, me futjen e substancave sintetike. Sepse në ndryshim nga substancat e ligjshme psikotrope, që janë të njohura edhe kur përdoren pa recetë mjekësore, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për substancat e paligjshme.

Të rinjtë që kërkojnë shumëngjyrësinë e qiejve nuk e kanë idenë se çfarë fusin në trup. I besojnë një lloj rulete ruse. Mundet që në shkrepjen e radhës të bjerë plumbi që u merr jetën. Marrin një pilulë që besojnë se është Ekstazi, por nuk e dinë nëse brenda ka 50 gramë apo 250 gramë MDMA. Pra jo vetëm nuk ka asnjë lloj funksioni ritual, tradicional apo një kontekst “kulturor”, por tashmë mbret është rastësia.

Atyre që përshkruajnë festat e mëdha rave si rite të rinj kolektivë, apo diskotekat si tempuj dhe komunitete të bashkuar nga një vokacion i vetëm, mund t’u përgjigjiemi duke thënë se shamani sëmuret, për t’u bërë më pas shëruesi, ndërkohë që përdorimi i drogave sintetike i shtyn një pjesë të madhe të këtyre të rinjve që të dalin nga grupet të cilëve u përkasin. Apo ka një rrezik edhe më të madh: i fut në një karrierë prej të sëmurësh psikikë.

La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button