Analiza

Nga Napoleoni tek… Donald Trumpi. Koha të braktisim kërkimin e “Udhëheqësve të Mëdhenj”

Nga Napoleoni tek Donald Tramp, ka qenë gjithmonë joshëse për t’i fuqizuar individët të cilët duken të jashtëzakonshëm. Por kjo ka rezultuar përherë e gabuar

Screen Shot 2016-03-05 at 10.32.10

Stefan Uollt

A e mbani mend atë periudhën e lezetshme menjëherë pas Luftës së Ftohtë, kur globalizimi ishte në rendin e ditës, demokracia po përhapej si një zjarr i tërbuar, dhe sistemi politik dhe ekonomik i Amerikës dukej si një model tërheqës? Akademikët, të cilët duket se e njihnin më mirë, besonin se realizmi ishte duke përfunduar në koshin e plehrave të historisë, dhe shumë njerëz të zgjuar të menduar si tiranë, diktatorë dhe autoritarët e tjerë, jetonin një kohë të huazuar.
Ata besonin se zëri i popullit do të bëhej gjithnjë e më i fortë, dhe se vendet gjithnjë e më shumë do të instalonin institucionet përfaqësuese, adoptonin ekonominë e tregut, mbronin të drejtat e njeriut, dhe se së shpejti ne do të jetonim në një lumturi të plotë në Koshtin kantian të Edenit.
Koncepte të tilla duken sot mjaft të çuditshme, për të thënë minimalen. Në fakt, njëra nga tendencat më të spikatura në politikën bashkëkohore botërore, është numri i njerëzve të cilët mendojnë se ajo për të cilën ne kemi realisht nevojë janë Udhëheqësit e Mëdhenj – burrat dhe gratë të cilët janë të lirë nga kufizimet e brendshme të bezdisshme.

Në vend të ndërtimit të institucioneve efektive dhe forcimit të vlerat liberale, ne shohim njerëzit që nxitojnë të mbështesin një Udhëheqës të Madh i cili do t’i nxjerrë nga errësira dhe çojë drejt një të ardhme të ndritshme e të lavdishme. Ndoshta nuk është një rastësi që shumica e kandidatëve për këtë rol duket të jenë burrat. Për shembull në Kinë, dinamiku dhe i fuqishmi Xi Jiping, zëvendësoi udhëheqësin e kujdesshëm dhe jokarizmatik Hu Xhintao, dhe i pari e ka konsoliduar pushtetin në një masë të paparë që nga koha e Ten Hsiao Pinit apo edhe Mao Ce Dunit. Ai nuk po tregon shenja se ka ndërmend të ndalet, pavarësisht disa hapave të gabuara kohët e fundit dhe uljes së rritjes ekonomike të Kinës, dhe duket i prirur për krijimin e kultit të vet të personalitetit.

Ngjashëm, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, duket se mendon se vetëm ai e di se çfarë është e mirë për bashkëqytetarët e tij turq, ndërsa vazhdon të kërkojë mënyra për të shtypur disidentët dhe konsoliduar pushtetin e tij personal. (S’ka gjë se në kohën e sundimit të tij, Turqia ka kaluar nga “zero probleme” me fqinjët, tek “problemet me pothuajse të gjithë”).

Egjipti i është rikthyer sundimit ushtarak, pas një eksperimenti të shkurtër me demokracinë, dhe ish-gjenerali i zgjedhur president Abdel Al-Sisi u drejtohet me zemëratë egjiptianëve “Mos dëgjoni askënd tjetër veç meje!” Vladimir Putin ndodhet në majë të kupolës së pushtetit në Moskë, dhe si Viktor Orban në Hungari, ashtu edhe qeveria e re e së djathtës në Poloni (e kontrolluar nga kreu i partisë Jarosllav Kazsinski) po tregojnë tendenca të forta autoritare.
Ndërkohë, këtu në Tokën e Lirë, një manjat vulgar, me një dhunti për marrëdhëniet me publikun dhe një rekord mediokër në fushën e biznesit, po marshon në mënyrë të qëndrueshme drejt emërimit si kandidat zyrtar i Partisë Republikane për president të SHBA-së, bazuar në një platformë të ksenofobisë bombastike dhe premtimin se do ta “bëjë Amerikën sërish të madhe”. Ai duhet ende t’u shpjegojë amerikanëve si ka ndërmend ta bëjë këtë, por shumë votues duken të gatshëm të besojnë se sfidat e sotme komplekse, mund të zgjidhen vetëm përmes veprimeve të forta.
Çfarë po ndodh këtu? Çfarë e shpjegon besimin e rilindur, se ajo për të cilën ka nevojë vendi është një lider i fortë dhe vizionar, i cili do të kapërcejë biznesin e rrëmujshëm të politikës demokratike dhe udhëheqë popullin e tij ose të saj, drejt një të ardhmeje të re dhe të ndritshme?

Një gjë është e sigurtë:tundimi për të vendosur besimin tek një udhëheqës i forte, ka një histori të gjatë. Demokracia athinase iu nënshtrua demagogjisë së Alcibiadesit, dhe një fat të ngjashëm pati në fund të fundit edhe Republika Romake.

Meqë ra fjala, këto mësime nuk u shpërfillën nga Etërit Themelues të Amerikës, të cilët kanë sanksionuar në Kushtetutën e SHBA- së shumë dispozita kundër pushtetit të tepruar ekzekutiv. Demokracia moderne liberale është një zhvillim relativisht i ri në historinë njerëzore. Shumica e grupeve sociale nuk janë qeverisur në bazë të normave liberale, dhe nuk i kufizonin udhëheqësit nëpërmjet një sistemi të institucionalizuar të kontrollit dhe balancës, e lëre pastaj përmes një kushtetute të shkruar.

Në shumicën e vendeve dhe në pjesën dërrmuese të kohës, politika ishte shumë më pak si ajo e Athinës klasike, dhe shumë më shumë si Lojë për Frone. Për më tepër, ka shumë sektorë në shoqëri ku komanda hierarkike është ende normë, dhe ku drejtuesit kryesorë trajtohen me frikë dhe respekt. Shikoni se si ne gjunjëzohemi përballë titanëve të industrisë si Xhef Bezos, Bill Gejts, Lerri Elison, apo të ndjerit Stiv Xhobs, burra që nuk janë shquar për përunjësinë e tyre apo etjen për një autoritet të kufizuar nga të tjerët apo që të jetë subjekt i miratimit publik.

Ekziston një nderim i ngjashëm për komandantët ushtarakë, madje edhe për ata që nuk janë mbuluar nga ndonjë lavdi në luftërat e fundit kryesisht të pasuksesshme të Amerikës.

Joshja ndaj Udhëheqësit të Madh, ndjehet edhe në botën tejet të diskutueshme të akademike, teksa universitetet kërkojnë drejtues dinamikë, rektorë dhe dekanë që do të shtojnë fondet, promovojnë programe të reja, rrisin renditjen akademike të institucionit, çojnë ekipin e futbollit amerikan në një nga finalet e mëdha, dhe për të mbajtur studentët, fakultetin, personelin të lumtur.

Këto organizata janë zakonisht larg nga të qënit demokratike, dhe njerëzit në krye zakonisht trajtohen me respekt të konsiderueshëm nga ana e vartësve të tyre. Shqetësimi im është se shumë institucione moderne janë të drejtuara në linja kryesisht autoritare, madje edhe tek shoqëritë shumë demokratike.
Duke pasur parasysh se ne jemi të rrethuar nga njerëz të fuqishëm, të cilët janë të pasur dhe të famshëm për shkak se ata janë të aftë në dhënien e urdhrave, dhe gjetjen e njerëzve që u shkojnë pas, pse duhet të habitemi që shumë njerëz tërhiqen fuqimisht nga një model i ngjashëm në politikë? Shtojini manisë tekanjoze “Studimet e Lidershipit”, dhe programet e ndryshme akademike që kërkojnë të rekrutojnë dhe trajnojnë “udhëheqësit e mëdhenj” dhe mund të shihni se pse kaq shumë njerëz janë të bindur, se çelësi i suksesit qëndron tek vendosja e personit të duhur në krye të organigramës.
Unë dyshoj se tërheqja ndaj Liderit të Madh, pasqyron gjithashtu mangësitë aktuale të institucioneve ekzistuese demokratike në Evropë dhe Amerikën e Veriut, hipokrizinë transparente të shumicës së politikanëve të karrierës, si dhe mungesën e një kolone vertebrale mo tek shumë drejtues institucionesh. Nëse u hiqni salltanetet, që përpiqen t’i bëjnë presidentët dhe kryeministrat të duken të gjithë-fuqishëm dhe gjithë-ditur, udhëheqësit e sotëm demokratikë nuk janë një bandë shumë frymëzuese.

E kam seriozisht: çfarëdolloj aftësie politike që mund të kenë, a mundet të admirohet realisht një person i padisiplinuar si Bill Klinton, një i pandjeshëm dhe i privilegjuar si Xhorxh Ë. Bush, apo një oportunist paprinciptë si Toni Bler? A ju mbushin me besim dhe zell patriotik fjalët e Dejvid Kameron apo Fransua Holondit?

Unë ruaj ende një farë respekti për Barak Obamën, i cili është një person i mendueshëm dhe i lirë nga defektet e dukshme të karakterit, por askush nuk është duke folur më për të si një president “transformues”. Ndërkohë, performanca e mjerë e Hilari Klintonit në fillim të fushatës dhe shfaqjet gazmore të garave paraprake në gjirin e republikanëve, vetëm sa kanë përforcuar ndjenjën e publikut amerikan se asnjë nga këta njerëz nuk është i sinqertë, serioz, dhe vërtetë i interesuar për mirëqënien e publikut, apo që të meritojë admirim dhe respekt.

Përkundrazi, ata mendojnë kryesisht për veten e tyre, dhe ata do të thoshin dhe bënin pothuajse gjithçka nëse do të mendonin se do të zgjidheshin në detyrën e lartë. Dhe nëse ky është në fakt rasti (dhe shumë njerëz besojnë se është), atëherë një gaztor si Tramp ose një i jashtëm si Berni Sanders, do të duken për krahasim më tërheqës.

Së fundmi, besimi i fatit tonë një Udhëheqës të Madh është joshës, pasi kjo na kursen barrën e të menduarit për veten. Që demokracia të funksionojë, qytetarët duhet t’i kushtojnë një farë vëmendje, të jenë të arsyeshëm, të mirëinformuar mbi çështjet kryesore, dhe të gatshëm për t’i bërë përgjegjës politikanët për sukseset apo dhe dështimet e tyre.

Në të kundërt, varja e shpresave tona tek një Udhëheqës i Madh, na lejon të kontrollojmë vetë gjykimin tonë:gjithçka që duhet të bëjmë është t’i besojmë zgjuarësisë së supozuar të liderit, dhe gjithçka do shkojë mirë. Duke pasur parasysh katastrofat e përsëritura që sistemet demokratike kanë prodhuar gjatë viteve të fundit (kriza financiare, lufta në Irak, kriza në eurozonë, rritja e pabarazisë, etj), a ka ndonjë çudi që disa prej qytetarëve tanë janë të gatshëm për ta kthyer timonin tek dikush, që përcjell imazhin e pavarësisë, zgjidhjesdhe besimit? Pra, a duhet të ngrejmë duart lart dhe t’i besojmë fatin tonë një Udhëheqësi të Madh, i cili premton zgjidhje të mrekullueshme për pakënaqësitë e jetëve tona të tanishme? Historia na paralajmëron kundër kësaj. Liderët e Mëdhenj priren të mendojnë se janë të pagabueshëm, dhe ata shpesh janë shumë të aftë në zhvendosjen e kërcënimeve ndaj sundimit, dhe pengesave ndaj autoritetit të tyre.

Këto cilësi mund të nxisin efikasitetin, në kuptimin që shumë gjëra mund të bëhet më shpejt. Por nuk ka asnjë garanci se ajo që është bërë ka kuptim apo do të funksionojë. Dhe kur Udhëheqësi i Madh bën një gabim, kush do ta ndalojë atë nga çuarja e vendit buzë greminës?

Sikurse e kanë studiuar në thellësi Xhejms Skoit dhe Amarta Sen, diktaturat janë të prirura drejt fatkeqësive vërtet të mëdha, pikërisht për shkak se u mungojnë institucionet që i mbajnë liderët e përgjegjshëm dhe sigurojnë informacionin e nevojshëm për të bërë korrigjime në mes të rrugës.

Për çdo autokrat të suksesshëm si udhëheqësi i dikurshëm i Singaporit Li Kuan Ju, ka një mori liderësh të mëdhenj, të cilët i udhëhoqën vendet e tyre drejt katastrofës. Merrni Stalinin:politikat ekonomike dhe sociale të të cilit vrarë miliona njerëz, dhe e lanë Rusinë sovjetike të prekshme ndaj pushtimit gjerman në vitin 1941, i cili kushtoi jetën më shumë se 20 milionë rusëve.

Apo Mao Ce Dunun, “Hopi i Madh Përpara” i të cilit prodhoi urinë masive dhe politikat e gabuara të të cilit e mbajtën popullin kinez për më shumë se 3 dekada, nën një varfëri të panevojshme,

Napoleoni mund të ketë qenë një gjeni në fushën e betejës, por në fund, rezultat i udhëheqjes së tij të pasfidueshme ishte humbja e plotë e Francës, vdekja e një milionë ndjekësve të tij, dhe mërgimi i tij turpshëm dhe i vetmuar në Atlantikun e Jugut. Problemi me të besuarit e fatit tonë Udhëheqësit të Madh, është se ne jemi të gjithë njerëz, dhe askush nuk është i pagabueshëm (pa marrë parasysh se çfarë pretendon kulti i personalitetit të një lideri). Me pushtetin e madh vjen shpesh arroganca, dhe arroganca e pafre është një recetë për katastrofë. Nëse jeni duke planifikuar për të votuar diku këtë vit, merrini parasysh këto.

“Foreign Policy”

Ne shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button