Analiza

Nga Pekini në Mosul, dhëndërri dikton politikën e vjehërrit-president

Kur mendohet se pushteti i Jared Kushnerit nuk ka ku të shkojë më, këhsilltari-dhëndërr shfaqet pa kravatë në Irak, në krah të shefit të ushtrisë, Joseph Dunford. Disa javë më parë, Dunford ka ftuar atë dhe Tom Bossert, këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, që ta shoqëronin për një inspektim. Të dielën në mbrëmje, Kushneri ishte në fluturim drejt Bagdadit. Krejt papritur, portofolit tashmë shmë të pasur të dhëndërrit të Donald Trumpit, i është shtuar edhe dosja irakene, shumë delikate, po të kemi parasysh që Stëpia e Bardhë duhet të japë drejtim strategjik për luftën ndaj Shtetit Islamik, pas marrjes së Mosulit.

“Sa më shumë të arrish të marrësh vesh atë që ndodh praktikisht në terren, aq më shumë informacione të dobishme ke, kur gjendesh përballë marrjes së vendimeve strategjike”, ka thënë Dunford, duke komentuar praninë e këshilltarit të pushtetshëm në Irak.

Historikisht, këto dosje të politikës së jashtme u janë besuar figurave të tjera brenda administratës. Obama, për shembull ia kish deleguar zëvendëspresidentit, Joe Biden.

Trumpi i ka besuar Kushnerit ekipin që merret me përfaqësuesit e industrisë, mendaxhimin e procesit të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, racionalizimin e organigramës së administratës, ndërtimin e Murit në kufirin me Meksikën, ka zërine  tij në kapitullin mbi gjithë dosjet, nga ndryshimet klimatike tek diplomacia, dhe po e zgjeron shumë rolin e tij në politikën e jashtme.

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, lihet sistematikisht jashtë nga vendimet më delikate, dhe shpesh herë kur i lihet hapësirë manovrimi, Kushneri qëndron prapa shpatullave të tij për të mbikëqyrur gjithë lëvizjet. Thonë se ndihet aq mirë në Situatio Room, saqë muajin e kaluar u ul pikërisht në vendin që i është rezervuar kreut të ushtrisë. Pati një situatë tensioni, para se bashkëshorti 36-vjeçar i Ivankës ta linte “spontanisht” vendin.

Kreu i diplomacisë u anashkalua nga Kushneri, kur Trumpi vuri publikisht në diskutim, në krah të Bibi Netanjahut, politikën e dy shteteve, një qasje e diskutuar me Kushnerin, i cili bën ndërmjetësin me udhëheqjen izraelite. Tillerson është lënë mënjanë edhe në dosjen kineze. vizita e presidentit Xi Jinping në Florida këtë javë është menaxhuar nga Kushneri, me një operacion “backchannel”-i diplomatik, të autorizuar nga presidenti dhe përmes Cui Tiankai, ambasadori kinez në Uashington. Tiankai e ka kuptuar prej kohësh se cili është kanali më efikas i informacionit me Administratën dhe ka krijuar një marrëdhënie me Kushnerin, që kur ky i fundit mundësoi telefonatën mes Trumpit dhe Xi, ku presidenti amerikan dha siguri për të mbështetur politikën e “Një Kinë”.

Kinezët vlerësojnë më shumë mundësinë për një lidhje të drejtpërdrejtë me presidentin, se sa pengesat e burokracisë së Uashingtonit. Në rezidencën në Mar a Lago ku zhvillohet zakonisht diplomacia e stilit Trumpian, ky i fundit do i kërkojë liderit kinez që të ushtrojë presion mbi Korenë e Veriut. Trumpi nuk do të mundet të përdorë as golfin si instrument negociatash – Xi i ka penguar gjithë funksionarëve të partisë që të luajnë “lojën e korruptuar”. Por rezultati i takimit do të varet shumë nga puna parapërgatitore që ka bërë dhëndërri, Jared Kushner. / Me shkurtime nga Il Foglio – Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button