Bota

Nga Rusia në Amerikë, politika e patriarkalizmit

Nga Angela Saini

Në një përpjekje të dëshpëruar për të shtuar rekrutimet e reja përballë humbjeve dërrmuese në front që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ushtria ruse ka nisur një fushatë propagandistike, duke u kërkuar burrave të heqin dorë nga punët e tyre civile dhe t’i bashkohen ushtrisë. “Bëhu burrë!”- thotë slogani. Vitin e fundit, qeveria ruse i ka dhënë medaljen “Nëna Heroinë” grave që kanë më shumë se 10 fëmijë, për të ndihmuar në rritjen e nivelit të lindjeve, dhe për të rritur më shumë ushtarë të ardhshëm. Mjafton të shohim tek familja dhe miqtë tanë për të kuptuar se disa burra nuk janë të prerë për luftë dhe se disa gra preferojnë të mos kenë fëmijë.

Por ky fokus tek stereotipet gjinore – “të jesh burrë” ose të jesh “nënë heroinë” – pasqyron në fakt interesat më themelore të të gjitha shteteve patriarkale, nga Rusia në SHBA. Nuk ka rëndësi se për çfarë është i përshtatshëm një individ. Rëndësi ka që ata të përmbushin detyrën e tyre ndaj shoqërisë.

Për të kuptuar arsyen, duhet të kthehemi shumë pas në kohë. “Farat” për këtë formë gjinore të kontrollit shtetëror u mbollën të paktën 5000 vjet më parë me ngritjen e shteteve më të hershme të botës. Shqetësimi i atyre që ishin në pushtet në atë kohë ishte popullsia.

Pra si të ruanin madhësinë e saj dhe si ta mbanin nën kontroll. Midis provave të shkruara që kemi nga Mesopotamia e Lashtë, janë lista në dukje të pafundme, përfshirë regjistrimet e para të popullatës që detajojnë me kujdes mënyrën se si menaxhoheshin njerëzit.

Historia tregon se gjatë mijëvjeçarëve, mbi familjet u rrit presioni për të treguar besnikërinë e tyre ndaj shtetit, duke pasur më shumë fëmijë dhe duke qenë të gatshëm të heqin dorë nga ata për të mbrojtur shtetin. Gratë e reja u nxitën të qëndronin në shtëpi dhe të lindnin sa më shumë djem.

Në shekullin e 13-të, Xhengiz Khan, sundimtari legjendar i Perandorisë Mongole patriarkale, e bëri të detyrueshëm shërbimin ushtarak për djemtë dhe burrat. Sapo mbushnin 15 vjeç fëmijët mund të rekrutoheshin dhe të largohen nga shtëpitë e tyre për t’u trajnuar.

Në kohët e hershme, gratë duhet të ishin të afta për të mbrojtur shoqëritë e tyre po aq mirë sa edhe burrat. Legjenda thotë se vetë stërmbesa e Khan, Khutulun, shoqëroi babanë e saj në misione ushtarake dhe këmbëngulte që çdo burrë që dëshironte të martohej me të do të duhej më parë ta mundte në dyluftim.

Por më vonë, ndërsa kombet moderne u krijuan, përleshjet dhe luftimet u asociuan më shumë me burrat. Feminiliteti u bë sinonim i mëmësisë. Këto stereotipe tashmë janë kaq të thella saqë vetëm në vitin 2015 gratë u lejuan që të shërbenin në pozicione luftimi tokësore të vijës së parë në ushtrinë amerikane.

Nivelet e popullsisë mbeten një burim shqetësimi për qeveritë kombëtare. Në shkurt të këtij viti, liderët në Kinë u inkurajuan të kërkonin mënyra novatore për të rritur nivelet e lindjeve pasi popullsia e vendit ra për herë të parë në 60 vjet. Një zyrtar vendor solli si mundësi ofrimin e arsimit të mesëm falas për fëmijën e tretë në çdo familje.

Në Hungari, plani i fundit i qeverisë për të rritur normat e lindjeve përfshin eliminimin e tatimit mbi të ardhurat për nënat nën moshën 30 vjeç. Japonia sapo ka rritur shumën e përgjithshme që u ofron familjeve për t`i ndihmuar familjet me shpenzimet për foshnjat.

Nevoja për të pasur lindshmëri më të lartë mund të shpjegojë gjithashtu pse aborti është një lojë politike në vende të tilla si SHBA-ja dhe Polonia. Vendi i parë që legalizoi zyrtarisht abortin ishte Rusia Sovjetike në vitin 1920, për të mbrojtur gratë që po vdisnin nga abortet e fshehta. Kjo u kornizua si pjesë e angazhimit të regjimit për çlirimin e grave. Në vitin 1936, ai dekret u anulua nga Jozef Stalini për një arsye shumë të thjeshtë: lindshmëria kishte rënë ndjeshëm.

Popullsia është çelësi për të kuptuar se si sillen kombet, dhe arsyeja pse institucionet e pushtetit janë fokusuar rreth shqetësimit të dyfishtë të riprodhimit dhe mbrojtjes. Për shtetin e sotëm patriarkal, problemi është se qytetarët nuk janë gjithnjë të gatshëm për të përmbushur kërkesat e tij.

Presidenti rus, Vladimir Putin, është ndër mbrojtësit më të ashpër të familjes tradicionale patriarkale dhe roleve gjinore të modës së vjetër. Por edhe ai nuk mund të parandalojë radhët e të rinjve që përpiqen të shmangin rekrutimin duke u arratisur nga vendi. Rusia po përballet me një krizë të rëndë demografike.

Por kjo lloj krize nuk është unike vetëm për Rusinë. Në mbarë botën, kombet duhet të përballen me emergjencat e tyre demografike dhe betejat për të drejtat riprodhuese. Sfida për shekullin XXI-të – një epokë në të cilën normat e vjetra gjinore po përmbysen dhe janë sanksionuar të drejtat universale të njeriut – është gjetja e mënyrës që popullsia dhe siguria kombëtare të ruhen, duke garantuar në të njëjtën kohë lirinë e qytetarëve për të mos luftuar dhe për mos të pasur fëmijë. / “Financial Times” – Bota.al

Back to top button