Ekonomi

Nga Stambolli në Côte d’Azur: Pasojat më të rënda, janë ekonomike

Screen Shot 2016-07-16 at 11.10.21

Mjaftuan pak minuta për të izoluar vendin. Dhe për ta “fikur”. Rrjetet sociale jashtë përdorimi, televizioni shtetëror jashtë funksioni dhe aeroportet të mbyllura. Një situatë paqëndrueshmërie politike, që mes pasojave të tjera, rrezikun të të shuajë edhe një zë themelor në GDP-në e Turqisë: turizmin (përbën 4%), si atë historiko-kulturor, edhe atë panoramik. Një sektor i futur në krizë tashmë, prej atentateve që goditën vendin këtë vit. Atëherë, ata që ikën ishin kryesisht pasanikët rusë. Një problem shumë serioz, që e detyroi qeverinë turke në muajin shkurt, të shpallë një plan ndihme financiare prej 86.5 milionë dollarësh. Një shifër shumë e madhe. Tani, të gjithë druhen për falimentin. Pak a shumë ashtu si ndodhi një natë më herët në Nisë, menjëherë pas sulmit terrorist.

Telefonët e agjencive të udhëtimit, që kishin në portofolin e tyre prenotime në drejtim të Nisës dhe rrethinave kanë rënë gjatë gjithë ditës. “Shumë klientë kërkonin siguri”, thotë një operator. Pyetje të thjeshta. “Kam prenotuar në Bretanjë, a ka myslimanë atje?” Bilanci i ditës së parë pas atentatit në qytetin francez: nga zyra e turizmit në Nisë bëjnë të ditur se të paktën 5% e turistëve është larguar nga qyteti. Por, problemi ka të bëjë me të ardhmen. Shumë klientë kanë kërkuar pezullim të udhëtimit, apo anullim të prenotimit. Parashikohet që 20 përqind e tyre të heqin dorë.
Margaret Van De Sande, një prej përgjegjëseve të Caravans Tours, specializuar në udhëtimet në Francë, druhet se mund të përsëritet tendenca e post Bataclanit në Paris. “Që atëherë patëm një reduktim të prenotimeve në kryeqytet, me 50%. Sidoqoftë, për momentin nuk ka patur një eksod”.
Por ndoshta do të vijë. Kush kish bërë prenotim për të bërë xhiron e jugut të Francës, me kalim në Nisë, e ka zhvendosur prenotimin në një tjetër vendndodhje. Ndërkohë që shumë prej atyre që kishin vendosur të shkonin në Francë, e kanë spostuar destinacionin e tyre, drejt vendeve më të sigurtë: Skandinavi, Holandë, Gjermani, Hungari, Austri.
Christiane Dahan është titullare e Ludo’s Travel, një pikë referimi në Francë për operatorët turistikë. Ajo lëshon një sinjal shprese: “Kanë konfirmuar katër grupe. Nuk e prisja”.
Do të duhet të kalojnë muaj, për të patur një dimension realist të efektit të terrorizmit mbi Bregun e Kaltër. Nisa është qyteti i dytë turistik i Francës pas Parisit, me afro 5 milionë udhëtarë në vit. Sipas një studimi të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit, koha mesatare në të cilën sektori turistik arrin të rikthehet në nivelet e mëparshme është 13 muaj.
Në Madrid, në vitin 204 mjaftuan pak javë. Në SHBA, pas 11 shtatorit u deshën të pritej 6 vjet. Në Bruksel ka shkaktuar humbje të përditshme prej 51 milionë eurosh. Në Paris, në muajt pas Bataclanit, autoritetet deklaruan një humbje nga prenotimet në hotelet luksoze, prej 50%. /Corriere – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button