Analiza

Nga Van Gogu tek Charlie, është politika objektivi i vërtetë

Viti 2004, vrasja e regjisorit holandez të filmit “Nënshtrimi”. Viti 2015: masakra ndaj gazetarëve satirike. Një fije e përbashkët i lidh këto dy episode: goditen ata që thyejnë tabutë, për të ndezur më pas konfliktin

Nga Ian Buruma

je suis humain

Rregjizori hollandez, Teo Van Gog, i vrarë nga një ekstremist mysliman në Amsterdam, pak më shumë se 10 vjet më parë, kishte shumë gjëra të përbashkëta me gazetarët e “Charlie Hebdo”. Sikurse redaktorët dhe karikaturistët francezë, ai ishte një provokator, një moralist anarkik, një artist agresiv, që çdo herë që shihte një tabu, donte ta shkatërronte atë.
Dhe meqë dihet se antisemitizmi, është tabuja më e madhe e Evropës së pasluftës, Van Gogu fyente hebrenjtë, përmes anektodave të ekzagjeruara mbi dhomat e gazit. Duke qenë se të gjithë thoshin se duhej patur “respekt” për Islamin, Van Gog tallej me Allahun dhe Profetin, pak a shumë sikurse vepronte edhe “Charlie Hebdo”. Qëllimi i shkatërruesve të tabuve është të zbulojnë deri ku i shtyjnë limitet, ligjore dhe sociale, të lirisë së shprehjes. Sepse pavarësisht nga reagimet disi histerike që kemi dëgjuar pas valës së akteve terroriste në Paris javën e kaluar, liria e shprehjes nuk është absolute.

Thuajse të gjitha vendet evropiane kanë ligje kundër gjuhës së urrejtjes. Në fakt, liria e shprehjes është mjaft relative. Atë që mund ta thotë një artist apo një romancier, nuk mund të thotë një gjykatës apo politikan. Zhargoni që përdorin zezakët amerikanë ndërmjet tyre, do të tingëllonte me siguri tejet fyes, nëse ai përdoret nga një i bardhë dhe kështu me radhë. Rregullat e thjeshta mbi sjelljet e mira krijojnë barriera sociale, që na pengojnë të themi gjithçka që ne duam. Roli i provokatorëve është t’i sfidojnë këto barriera sociale. Duhet të ketë hapësirë, për këta ikona-thyes, në arte apo në periferi të gazetarisë qofshin, dhe që sigurisht nuk duhet të jenë objekt i sulmeve të dhunshme.

Por të barazosh Teo Van Gogun apo “Charlie Hebdo”-n me “demokracinë” apo “qytetërimin perëndimor” më duket e tepruar. Pasi sipas kësaj mënyre, i bie që të pranojmë që edhe Al Kaeda në Jemen, përfaqëson qytetërimin lindor apo islamik. Qytetërimi perëndimor, në vetvete është një koncept mjaft i paqartë. A ka të bëjë ai me qytetërimin greko-romak, atë të krishterë apo judeo-kristian? Apo me këtë term nënkuptohet Iluminizmi? Dhe nësë do të ishte ky i fundit, cila pjesë e Iluminizmit? Volteri? Loku? Adam Smithi?
Në çdo rast, nevoja për të thyer tabutë nuk është një tipar ekskluzivisht perëndimor. Kultura e fyerjes dhe e provokimit, në disa raste është e kundërta e mënyrës sesi funksionin demokracia. Kjo e fundit bazohet në gatishmërinë për të arritur marrëveshje, për të zgjidhur në mënyrë paqësore konfliktet e interesit, në kuadër të shtetit të së drejtës. Që demokracia të mund të funksionojë, qytetarët duhet të jenë të gatshëm të japin dhe të marrin. Kjo gjithashtu do të thotë, që ne pranojmë të jetojmë me dallimet kulturore apo fetare, pa fyer me dashje ata që nuk ndajnë me ne të njëjtat vlera.
Nuk është një bashkëpunim frikacak me të keqen, as edhe një heqje dorë nga liria jonë e shprehjes. Nuk është as edhe, sikundër dikush mendon, një mungesë parimesh. Toleranca, nuk është domosdoshmërisht shenjë dobësie. Toleranca dëshmon ngurrimin për të parë vlerat sociale në terma absolutë, apo për të ndarë botën në të mirë dhe të këqinj. Madje edhe toleranca vetë nuk është absolute. Ajo që asnjë shoqëri demokratike nuk mund të pranojë është përdorimi i dhunës, për të imponuar idetë tona, qofshin fetare apo politike.
Ne mundet vetëm të përpiqemi të gjejmë motivimin psikologjik të njerëzve, që vranë gazetarët dhe artistët e “Charlie Hebdo” apo edhe 4 pengjet në supermarketin hebre. Ndoshta, ata kanë qenë 3 dështakë patetikë, që kaluan nga ëndrrat adoloshenciale për vajza, futboll apo dhe para të fituara lehtë, tek lufta e shenjtë. Kemi të bëjmë me modelin e përsëritur të shumë xhihadistëve të rritur në atdhe, përfshi këtu edhe vrasësin e Teo Van Gogut.

Në çdo rast, nevoja për të thyer tabutë nuk është një tipar ekskluzivisht perëndimor. Kultura e fyerjes dhe e provokimit, në disa raste është e kundërta e mënyrës sesi funksionin demokracia. Kjo e fundit bazohet në gatishmërinë për të arritur marrëveshje, për të zgjidhur në mënyrë paqësore konfliktet e interesit, në kuadër të shtetit të së drejtës. Që demokracia të mund të funksionojë, qytetarët duhet të jenë të gatshëm të japin dhe të marrin. Kjo gjithashtu do të thotë, që ne pranojmë të jetojmë me dallimet kulturore apo fetare, pa fyer me dashje ata që nuk ndajnë me ne të njëjtat vlera

Ndërkohë, dimë diçka më shumë në lidhje me motivet politike të grupeve të dhunshme revolucionare, që rekrutojnë këta djem dhe vajza të reja për të vrarë. Dikush thotë se arsyeja kryesore që çoi në vrasjen e gazetarëve dhe Van Gogut, ishte së këta të fundit kishin kapërcyer kufijtë, duke u tallur me Profetin. Unë jam mosbesues për këtë. Është e vërtetë se shumë muslimanë mund të ndihen të fyer nga filmi apo karikaturat blasfemuese, por pas këtyre vrasjeve nuk është vetëm kjo.
Frikësimi brutal i kritikëve realë por dhe atyre të mundshëm, është vetëm njëri ndër synimet e grupeve revolucionare. Ajo çfarë revolucionarët urrejnë më tepër se çdo gjë tjetër, nuk janë sulmet e drejtpërdrejta nga armiqtë e tyre më radikalë, por kompromiset e nevojshme, negociatat dhe përshtatja që shoqëron jetën e një demokracie liberale. Qëllimi kryesor i revolucionarëve, është të fitojnë sa më shumë përkrahës të kauzës së tyre. Nëse këta të fundit janë islamikë, duhet t’i detyrojnë myslimanët paqësorë dhe që respektojnë ligjet, të heqin dorë nga kompromi me shoqëritë laike, në të cilat ata jetojnë. Revolucionarët kanë ndërkaq nevojë për një numër të madh të luftëtarëve të shenjtë.
Mënyra më e efektshme për ta bërë këtë, është të provokosh reagime anti-islamike, duke sulmuar objektiva simbolike, si Kullat Binjake në Nju Jork, një rregjizor të famshëm në Amsterdam apo të një përjavshme polemizuese satirike në Paris. Sa më shumë që shumica e myslimanëve në Evropë do të ndjehen të frikësuar, refuzuar dhe nën rrethim nga ana e shumicës jomyslimane, aq më shumë gjasa do të ketë që të mbështesin ekstremistët.
Nëse përfundimi, që ne nxjerrim nga vrasjet e javës së shkuar, është se Islami është në luftë me perëndimin, xhihadistët do të kenë rregjistruar një fitore mjaft të rëndësishme. Nëse do të përqafojmë shumicën e banorëve paqësorë myslimanë, duke i trajtuar ata si aleatët tanë kundër dhunës revolucionare, si qytetarë të barabartë me ne në të gjitha aspektet, atëherë demokracitë tona do të dalin më të forta nga këto ngjarje dramatike./newsweek/
a.g.www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button