Bota

Një domethënie historike dhe simbolike e sulmeve të Stambollit

dometheniaTerroristët kanë goditur atje ku mund të shkaktonin më shumë të vdekur, aq më mirë të huaj, aq më mirë turistë. Dhe kështu goditën në Sheshin Sulltanahmet, disa hapa larg nga Xhamia Blu, nga Shën Sofia, nga topkapi, nga Çisterna ku Den Brauni vendos ngjarjet e skenës përfundimtare të librit të tij “Ferri”, dhe ku ekspozohen vepra dhe instalacione të Bienales së Stambollit. Ky shesh i madh, pothuajse një version i zgjeruar i Sheshit Navona, ka një domethënie historike dhe simbolike. Sepse ngrihet në zonën e hipodromit të Kostandinopojës, një prej vendeve ku ka kaluar historia e njerëzimit.

Këtu, një ditë të vitit 532, shpërtheu revolta e Nika (“Fito!” në greqisht) kundër perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora, bijë e rojes së arinjve në hipodrom dhe kërcimtare. Dy grupet e kundërvënë, Të kaltërit (“të mjerët”, partia popullore, mbështetës tradicionalë të perandorisë) dhe Të gjelbërit (“kontribuesit”, partia borgjeze), për një herë të vetme bënë koalicion kundër Justinianit, të cilit iu desh të largohet nga frika prej zemërimit të rebelëve. Luftimet u zhvilluan në hipodrom, dhe u shtrinë në rrugët e qytetit; perandori përgatiti arratinë duke hipur thesarin në një anije, Teodora refuzoi të lërë regjinë; gjenerali Narsete dërgoi ushtrinë, më pas erdhën armatat e Belisarit që e shtypën revoltën. 35 mijë ishte numri i të vdekurve. Dita kur nisi gjithçka ishte 11 janari. Ajo e përplasjeve më të tmerrshme, 12 janari.

Natyrisht, terrori i sotëm nuk merret shumë me përkimet hsitorike. Por nuk godet rastësisht. Godet në kryqëzimin e kontinenteve dhe të historisë, si Kostandinopoja, Bizanti, Stambolli: qyteti ku po ndërtohet qeroporti më i madh në botë. Një kryqëzim kulturash, fesh, qytetërimesh, që ish kryebashkiaku i metropolit, Erdogan, prej vitit 2002 padron i vendit, e qeveris me grusht të hekurt, me po atë grusht që shtypi edhe revoltën e ambientalistëve në sheshin Taksim.

Pasi ka goditur në kryeqytet, Ankara, terrorizmi tani përgjak qytetin më të hapur dhe kozmopolit të Turqisë. Kur ishte kryebashkiak i Stambollit dhe kur Turqia ishte ende me të vërtetë një shtet laik, Erdogani përfundoi në burg pasi kishte recituar publikisht një poezi të frymëzuar nga profili i xhamive që shihen në Sheshin Sulltanahmet: “Kupolat janë helmetat tona / minaretë janë bajonetat tona / besimtarët janë ushtarët tanë…”.

Nuk mund ta kishte imagjinuar, Erdogani, se ai imazh poetik por i dhunshëm, shumë vite më vonë do të kishte një përkthim të urryer dhe dramatik.

Corriere della Sera – Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button