Analiza

Një filozof dhe një “garçon”

Në 16 mars ishin takuar në skenën e “Hertie School of Governance” të Berlinit, për një konferencë mbi të ardhmen e Europës, nën shoqërinë e Ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel. Pak kush e imagjinonte se me Emmanuel Macron, kandidat për president me lëvizjen e tij politike “En Marche!” dhe Jurgen Habermas, filozf gjerman i Shkollës së Frankfurtit, mund të kishte kaq shumë harmoni mendimi dhe ndarje pikëpamjesh, siç doli dje, nga faqet e francezes “Le Monde” dhe gjermanes “Die Zeit”.

Në Berlin, në mars, përballë ajkës së botës kulturore dhe politike gjermane, Habermas kishte deklaruar se Macroni kishte guxuar që të kapërcente një “vijë të bllokuar që nga viti 1789, mes të majtës dhe të djathtës politike”, dhe se ai bënte dallim nga pjesa tjetër e politikanëve, për faktin se i thotë “cilët janë problemet, pa bërë lojëra fjalësh”. Dje, në një intervistë të dhënë për të përditshmen e establishmentit parizien dhe të përjavshmen e të majtës liberale gjermane, Habermas, autor i një reflektimi të rëndësishëm mbi Europën, “Kjo Europë është në krizë”, ka nënvizuar sërish preferencën e tij për liberalin nga Amiens, duke pohuar se një zgjedhje e tij e mundshme, në 7 maj, do të ishte sinjali i një rikompozimi politik të shëndetshëm e të paprecedentë.

“Kandidatura e Emmanuel Macron jashtë çdo partie politike tradicionale, nëse do të fitojë, do të jetë një shkëputje e vërtetë në historinë e Republikës franceze, që nga koha e pasluftës”, ka thënë Habermas për “Le Monde” dhe “Die Zeit”, duke shtuar: “Kjo nismë mund të bëjë vërtetë që të shpërthejë një konfigurim i tërë politik mes të majtës dhe të djathtës, që është sklerotizuar me kalimin e kohës. Nëse kjo nismë “super partes” do të shkonte përpara, si njeri i të majtës do të shqetësohesha: ai që beson se është mbi palët nuk është apolitik, por thjeshtë i rrezikshëm. Por kandidati Macron, që ka mundësi të mira të fitojë zgjedhjet, do të japë një impuls, nëse do të zgjidhet, si dhe një rikonfigurim të forcave politike, i pritur prej shumë kohësh”.

Sipas Habermasit, kjo ndarje mund të mishërohet vetëm prej ish Ministrit të Ekonomisë.

Nga ana tjetër, një kaos i mundshëm lepenist, hipotezë kjo aspak e largët pak ditë para verdiktit në kutitë e votimit, hyn në krizën e madhe që po kalon Republika e Pestë goliste, si dhe partitë tradicionale që kanë garantuar stabilitetin për pothuaj gjysmë shekulli. “Kampet tradicionale, që janë bërë të paaftë për të gjetur një kompromis minimal, paralizojnë njëri-tjetrin; nuk janë në gjendje të prodhojnë një polarizim të duhur të formimit të vullnetit politik, si dhe pyetjet e duhura”, ka shpjeguar Habermas, duke theksuar se vetëm një “rikonfigurim” i kampeve tradicionale, koalicioni Macron, një lloj “grosse koalition” alla francez që mund të lindë pas 7 majit, do të “shfrynte fluskën e Frontit Nacional, që në ndërkohë ka rritur në mënyrë të konsiderueshme vëllimin e vet”.

Bekimi i Habermasit për presidentin e “En Mache!”, bekim politik dhe metapolitik, konfirmon tërheqjen e natyrshme të botës politike në MittelEuropa ndaj të riut Macron. Mbrojtja që ai i bën Europës dhe motorrit franko-gjerman ka ngjallur që kur ishte Ministër i Ekonomisë, reagime entuziaste nga ana e shtypit berlinez, që nuk kish hezituar ta quante “djaloshi çudibërës”. Një fitore të tij e shpreson edhe CDU e Angela Merkelit dhe Sigmar Gabrieli, një socialdemokrat në krye të diplomacisë gjermane, i cili në krah të Macronit dhe Habermasit kish thënë që BE nuk ka marë fund dhe nevojitet një “ujdi e re” mes gjermanëve dhe francezëve. “Il Foglio” – Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button