Bota

Një gjykatë në Arabinë Saudite dënoi dy gra me 10 goditje kamzhiku sepse kishin fyer në Whatsapp

Një gjykatë në Arabinë Saudite dënoi dy gra me 10 goditje kamzhiku sepse kishin fyer në Whatsapp. Të dhënat tregojnë se krimet kibernetike të procesuara nga gjykatat penale janë në rritje me 25% krahasuar me vitin e kaluar. Krimet digjitale janë të llojeve të ndryshme në vendet arabe. “Autoritetet dhe specialistët po punojnë për të intensifikuar fushatat sensibilizuese mbi rrezikun e këtyre programeve të dëmshëm. Rreziqet nga rrjetet sociale janë dhuna, spiunazhi, imitimet, ngacmimet, thashethemet, poshtërsitë, akuzimet, abuzimet, zhvatjet, mashtrimet që përndjekin shoqërinë në këto rrjete,” – u shpreh Mohammad Al-Sareei, hetues i krimit të informacionit. Edhe pse këto krime kryhen në rrjetet sociale dënimet janë të ashpra nga ana e autoriteteve arabe. Nuk është hera e parë që Arabia Saudite prononcohet kundër këtyre rrjeteve, Raif Badawi u dënua me 1000 kamzhikë dhe me 10 vite burg sepse fyeu islamin përmes blogut të tij Free Saudi Liberals. Gazetari Alaa Brinji u dënua me 5 vite burg dhe iu ndalua për 8 vite udhëtimi sepse ofendoi drejtuesit e vendit dhe nxiti tek popullata urrejtje përmes një mesazhi në Twitter.

Leave a Reply

Back to top button