Motivuese

Një histori e trishtë bulimie, që çdo femër duhet ta lexojë…

Isha vetëm 16 vjeçe kur nisi gjithçka. Nuk e di se çfarë më ndodhi. Di vetëm se gabova teksa dëgjova mendimet e të tjerëve dhe i lashë ato të ndikonin në vlerësimin që kisha për veten. Prindërit e mi po ndaheshin dhe në sytë e tyre unë isha vajza që i mbështesja në këtë vendim që kishin marrë. I kisha thënë se isha pro lumturisë së tyre, por kjo kishte mbetur vetëm në kuadrin e diçkaje të thënë, por jo të ndierë. Unë nuk ndihesha mirë në atë situatë. Isha minorene dhe si e tillë, duhet të vendosja vetë se me cilin prind të qëndroja. Kjo ishte e tepërt për mua dhe mbi të gjitha nën presionin shoqëror në të cilin ndodhesha.

Isha në vitin e dytë të gjimnazit dhe mund ta merrni me mend se sa shumë rëndësi ka në gjimnaz të kesh një trup të bukur. E kisha vënë re se cilat vajza pëlqeheshin apo ngacmoheshin më shumë prej djemve dhe ato kishin një trup thuajse perfekt, ndërsa unë jo. Unë nuk kam qenë asnjëherë e pëlqyer, sepse kam qenë e shëndoshë dhe sa herë më pëlqente dikush në gjimnaz, përpiqesha t’i bija në sy dhe në fund përfundoja duke u bërë shoqja e tij. Asgjë më shumë se një shoqe dhe kjo më dhimbte. Kisha provuar gjithçka. Që nga dietat ekstreme dhe deri tek palestra, por asnjëra nuk funksiononte. Kjo gjë nuk ndodhte se nuk kisha vullnet, por sepse sa herë që mendoja për ndarjen e prindërve, apo për faktin se isha e shëndoshë, të vetmen strehë shpëtimi kisha ushqimin e tepërt. Kjo ishte mënyra se si unë mendoja se mund të kalohej stresi.

Prindërit kishin nisur të jetonin të ndarë dhe unë kaloja njërën javë tek babi dhe tjetrën tek mami, derisa divorci i tyre të ishte zyrtar dhe të zgjidhja njërin prej tyre. Në atë kohë kisha kërkuar shumë rreth dietave apo mënyrave të dobësimit në internet dhe siç edhe u shpreha më lart, asnjëra nuk funksionoi. Në atë periudhë mësuam në biologji rreth një çregullimi mendor të quajtur “bulimi”. Nuk e kisha dëgjuar më parë, sepse në atë kohë edhe interneti nuk kishte zhvillimin dhe përdorimin që ka sot, por mbaj mend që nuk e mora shumë seriozisht pjesën se ky çregullim sillte edhe dëme shumë të mëdha në organizëm. Unë doja vetëm të dobësohesha, të hiqja dhjamin që më mundonte sa herë shihesha në pasqyrë.

Hera e parë kur vendosa të nxirrja ushqimin ka qenë e tmerrshme. Isha në shtëpinë e mamit dhe kisha shumë uri. Hëngra shumë, por e dija se çdo kafshatë më tepër do të thoshte kalori më shumë dhe më shumë depozitë dhjami në organizëm. Pasi mbarova, shkova në banjë dhe aty hapa çezmën që mami në kuzhinë të mos dëgjonte gjë se çfarë po bëja dhe të mos merakosej për mua. Këtë teknikë e kisha mësuar në internet, teksa lexoja historinë e një vajze që ishte në të njëjtat kushte si unë. Sapo futa gishtat për të stimuluar nxjerrjen e ushqimit, ndjeva një përzierje në stomak dhe mendova se mos do më binte të fikët. Më pas shija e ushqimit në gojë ishte një ndër shijet më të shpifura. Mund ta ndieje se sa gërryes ishte acidi i stomakut në gojë, por nuk doja t’ia dija. Hera e parë pritej të ishte e vështirë, por unë s’duhet të ndalesha. Kisha nisur diçka që mund të funksiononte më mirë se çdo dietë që kisha provuar. Kuptohet që kur rrija në shtëpinë e babit, e kisha shumë herë më të lehtë. Ai ishte në punë në orarin e drekës.

Në ditët e para, e stimuloja vetëm një herë në ditë nxjerrjen e ushqimit. Gjithçka ndodhte në vaktin e drekës kur edhe ushqyerja ishte më e bollshme. Pas dy javësh vura re se kisha rënë 4 kilogramë, por kjo nuk kishte sjellë asnjë rezultat të dukshëm. Mua më dukej sikur isha po njësoj. Sikur asnjë formë e imja nuk kishte ndryshuar.

Prindërit dhe miqtë e mi të ngushtë nuk dyshonin për asgjë, ndaj duke parë rezultatet në peshore dhe faktin se ata nuk kishin kuptuar gjë, vendosa të shkoja më tej. Do ta nxirrja ushqimin në çdo vakt, sepse kjo do më bënte të bija më shpejt nga pesha dhe do të isha më e pëlqyer për të tjerët nga sa isha në atë kohë. Dhe ashtu bëra. Në javën e parë sërish nuk është se u ndjeva keq, ama fiks në ditën e tetë pasi e praktikova këtë gjë në çdo vakt, ndjeva këputje totale në trup. Organizmi im nuk po merrte energjinë dhe produktet e nevojshme për të funksionuar si duhet. Gjuha po më bëhej me shenja dhe zmalti i dhëmbëve po më dëmtohej. Sa herë i prekja dhëmbët, e ndieja se ata ishin gërryer nga acidi i stomakut, por edhe pse gjendesha në atë situatë, nuk e di se çfarë më shtynte të vazhdoja.

Ndërkohë që ditët iknin, e vetmja gjë që doja të bëja, ishte të flija. Nuk kisha fuqi për asgjë. Ndonjë prej prindërve vinte dhe më shihte të zverdhur, por unë përpiqesha t’ua hiqja merakun duke u thënë se ndihesha shumë mirë. Thjesht doja disa ditë pushim. Kjo çështje vazhdoi rreth dy muaj. Në atë kohë do të zhvillohej edhe gjyqi i ndarjes së prindërve të mi. Në shkollë nuk shkoja më, sepse e dija që nuk mund të qëndroja dot aq gjatë sa duhej në këmbë dhe fatmirësisht drejtori dhe mësuesja kujdestare nuk më shqetësuan për mungesat, pasi e dinin që mësoja dhe kisha nevojë për atë kohë pushimi për shkak të ndarjes së prindërve. Por ma kalimin e dy muajve, ata lajmëruan mamin se unë nuk po shkoja në shkollë dhe mami erdhi menjëherë në dhomën time. Unë isha e zverdhur totalisht në fytyrë. Teksa shihja fotot e mia të mëparshme në celular, s’e njihja më veten. Flokët më kishin rënë. Isha dobësuar jashtëzakonisht shumë. Fytyra më rrinte e verdhë dhe gjuha e dhëmbët e mi nuk shiheshin me sy. Kur mami erdhi atë ditë në dhomë, e kuptoi gjithçka. Ajo mendonte se unë shkoja në shkollë, sepse ikte shumë shpejt në mëngjes në punë, por pasi mësoi të vërtetën dhe vuri re gjithë shenjat e mësipërme, më detyroi të shkonim tek një psikologe. Gjithçka ndodhi shumë shpejt për mua. E kuptoja se kisha gabuar në atë që kisha bërë, por tani unë kisha një trup perfekt në dukje. Vetëm se sërish nuk isha e lumtur me veten. Doja të isha akoma dhe më e dobët se aq. Por me ndihmën e vazhdueshmë të psikoterapistes I.H. arrita të kuptoj se ajo që kisha bërë ishte e gabuar dhe se nuk duhet të jetoja për opinionet e të tjerëve. Çdo gjë që del në gazeta apo revista është një mashtrim i vërtetë. Me besoni në këtë që ju them. Nuk ka vajza me trup perfekt siç dalin nëpër kopertina, e sidomos në ditët e sotme kur fotot origjinale mungojnë, pasi në të gjitha përdoret fotoshopi. Dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, unë sot jam 22 vjeçe dhe ndoshta nuk kam më shëndetin e tepërt siç e kisha dikur, por dua të them se gjëja më e rëndësishme është të duash veten. Unë nuk doja veten dhe për këtë arsye prisja të më donin të tjerët.

Normalisht që isha në një situatë të vështirë, por ashtu si unë ka plot të tjera dhe nukkanë ndërmarrë hapat që unë ndërmora. Ndaj, mos jetoni për opinionet e të tjerëve. Jini të lumtura për personin që përfaqësoni. Nëse nuk ju duan për atë që jeni, mos i kushtoni vëmendje, sepse kush të do, të do për atë që je, jo për atë që ata duan që ti të jesh…

Leave a Reply

Back to top button