Analiza

Një mesazh paqeje dhe bashkimi, në kulmin e luftës

Nga Edi Rama*
THE HUFFINGTON POST

In Albania Pope Francis

Vizita e Papa Franceskut në Shqipëri këtë jave, ishte një moment kulmor në historinë e vendit tim. Por më shumë se kaq, ishte një mesazh i fuqishëm për botën. Së pari, sepse ai zgjodhi një prej vendeve më të varfër të Europës për të nisur turin e tij europian. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, ai zgjodhi një vend ku shumica myslimane bashkëjeton paqësisht me të krishterët. Ai erdhi si një udhëheqës shpirtëror universal dhe si flamurmbajtësi i përpjekjeve njerëzore kundër paragjykimeve dhe ndarjeve mes njerëzve mbi bazën e besimit, sfondit etnik apo prejardhjes fetare; dhe ai u prit nga myslimanë e të krishterë, pa dallim. Kjo është një mrekulli e rrallë, në botën gjithnjë e më të trazuar dhe të frikësuar ku jetojmë. Unë jam krenar për fytyrën që Shqipëria i shfaqi atij, dhe botës, një shembull i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës ndërfetare.
Ishte tejet e rëndësishme për ne, që ai e nisi këtë seri aktivitetesh në Europë, jo në zemrën e Europës, jo në BE, por në Ballkanin Perëndimor. Një rajon i njohur përgjatë historisë për konfliktet, jo më pak për atë që shpërtheu në Sarajevë 100 vjet më parë; një rajon që ka përjetuar një shekull luftëra ideologjike, konflikte etnikë, divergjenca fetare, trazira të përgjakshme ndër kufij. Por që sot është një rajon paqeje dhe bashkëpunimi. Të mendosh për një moment për atë histori, është të kuptosh përse ne u ndiem kaq të prekur prej vizitës së tij, dhe pamjes së qindra-mijëra të krishterëve dhe myslimanëve që mbushën bulevardin e martirëve, që në orët e para të mëngjesit. Në Shqipërinë komuniste, klerikët u vranë, Kishat u dogjën e u bënë shkrumb e hi. Sot, udhëheqësit e besimeve të ndryshëm fetarë janë pjesë vitale e shoqërisë sonë civile, që bashkëpunojnë për të mirën e njerëzve.
Mesazhi që kjo i dërgon botës është jetik në këtë kohë. Sepse, ashtu si Papa Francesku u tha të pranishmëve, Lufta e Tretë Botërore ka filluar tashmë.
Disa mund të mos bien dakord. Por ndërsa ai fliste, përparimi barbar i Shtetit Islamik të vetëshpallur të Irakut dhe Levantit vazhdonte, duke sjellë kaos, vrasje, paqëndrueshmëri që përshkojnë kufijtë dhe që, nëse nuk kontrollohet, nuk do të lërë pa prekur asnjë vend mbi Tokë: të gjitha në emër të fesë, një pikëpamje e shtrembëruar e një besimi, Islamit, që ne e njohim si paqësor në mënyrën e të menduarit dhe qëllimet e tij.
Që kjo është luftë, këtë na e bën të qartë mënyra si po e ndjekim. Përgjigja jonë duhet të jetë po aq e qartë. Sepse na prek të gjithëve. Kur kokat e prera të të vrarëve të pafajshëm – që ndodhen atje për të ndihmuar njerëzit në nevojë, apo për t’i treguar botës atë që po ndodh – përdoren si mbartëse mesazhesh për SHBA dhe aleatët e vet, ne sigurisht që duhet ta shohim këtë si një luftë që ngjan me luftën ndaj një epidemie vdekjeprurëse, e cila përhapet pa dallim kufijsh, konventash apo rregullash të vendosur prej përvojave të mëparshme.
rama popeKëtë murtajë të neveritshme që po i kanoset botës sonë, lirisë sonë, të drejtave tona si qenie njerëzore dhe aspiratave tona si shoqëri të vendeve demokratikë mundet që ta luftojmë vetëm së bashku. Një pjesë e kësaj përpjekjeje është ushtarake. Por një pjesë e saj, është përpjekje për të treguar fuqinë dhe dobinë e bashkëjetesës në harmoni mes feve, komuniteteve, etnive dhe shteteve.
Nuk duhet t’i trembemi pjesës ushtarake të kësaj përpjekjeje. Ndonjëherë, është lufta ajo që sjell paqen. Papa Francesku erdhi në Shqipëri në po të njëjtin vit kur shqiptarët, myslimanë e të krishterë, u bashkuan me fqinjë të tjerë në rajon për të vulosur një proces historik, i cili nisi në vitin 1999 me bombardimin e Beogradit, dhe luftën kurajoze të udhëhequr prej Bill Clintonit dhe Tony Blairit, për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve nga Sllobodan Milloshevici. Veprimet e tyre i dhanë fund spastrimit etnik, sollën rrëzimin e diktatorit, gjë që coi më pas tek marrëveshja e paqes e firmosur vitin që kaloi mes Kosovës dhe Serbisë, në emër të një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Europian.
Prej këtij udhëkryqi, Ati i Shenjtë erdhi këtë për t’u folur jo vetëm shqiptarëve apo popujve të rajonit, por të gjithë Europës, në lidhje me nevojën për të patur besim dhe unitet, si dhe për të kapërcyer kufijtë dhe kufizimet e të tashmes, me qëllim mbrojtjen e të ardhmes sonë të përbashkët. Ne shohim se si konflikti ka ndikim sot mbi Turqinë, dhe shohim një kauzë të përbashkët. Ne dëgjojmë planet e grupeve terroristë për të sulmuar objektiva në Perëndim, dhe shohim një kauzë të përbashkët. Ne bëhemi dëshmitarë të përhapjes së këtij mesazhi diabolik të urrejtjes në emër të besimit fetar, dhe duhet të shohim një kauzë të përbashkët në frenimin e përhapjes së tij, të gjithë së bashku, shtete të mëdhenj e të vegjël. Europa Perëndimore dhe Ballkani Perëndimor, së bashku. Të krishterë e myslimanë, së bashku.
Ballkani ka nevojë për Europën. Por edhe Europa ka nevojë për Ballkanin. Edhe kjo, mendoj unë, është një arsye përse Papa erdhi këtu, me praninë e tij për të përhapur këtë mesazh. Në një kohë kur kaq shumë vende europianë të pasur po mbyllen në vetvete, ata duhet që të shohin jashtë vetes, në emër të ndërtimit të një mburoje të përbashkët, e cila do të na mbrojë prej një epidemie që vret të fortë e të dobët, të pasur e të varfër, nëse nuk qëndrojmë dhe e luftojmë së bashku.
Këta vrasës kanë treguar se nuk ka thellësi në barbarinë e tyre, që do të thotë se nuk ka kufi në terrorin që do i shkaktonin botës sonë. Europa demokratike, teksa lufta e tyre afrohet gjithnjë e më shumë, duhet të kundërveprojë jo vetëm me armë, por me forcën e unitetit kundër një fantazie të shfrenuar, kundër njerëzve që duan ta rikthejnë botën tonë në humnerën e zezë të mijëvjecarëve të kaluar. Ne jemi vend i varfër, por një vend i gatshëm të luajë një rol në këtë përpjekje; një rol që mund ta luajmë vetëm në bashkëpunim me të tjerë në Europë dhe më gjerë, në botë.
Historia nuk ka qenë bujare me Shqipërinë. Por ne kemi mësuar prej saj. Kjo u bë e qartë nga mënyra si populli ynë erdhi të shohë, dëgjojë dhe ndjekë meshën e Papa Franceskut. Ai, një udhëheqës katolik, e kuptoi që Shqipëria meriton respekt për përkatësinë, tonë të shprehur në mënyrë unanime, me botën demokratike, si europianë; ne nuk e meritojmë paragjykimin që ekziston ndonjëherë kundrejt vendeve demokratikë. Shqiptarët duhet të respektohen për gjithë vuajtjet dhe gjakun që kanë derdhur për Krishtërimin, duke i dhënë dyzetë martirë Kishës Katolike vetëm disa dekada më parë, dhe nuk duhet t’i nënshtrohen paragjykimit të rrejshëm dhe të padrejtë, për arsye se i falen Allahut në një vend ku Krishtlindjet dhe Bajrami festohen pa kufij të frikës.
Papa nuk është i vetmi që kupton rolin që Ballkani duhet të luajë për të garantuar paqen dhe prosperitetin në kohën tonë. Vizita e tij ndjek hapat historikë të ndërmarrë nga Kancelarja Merkel. Ajo u përpoq shumë që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat. Ajo uli gjithashtu së bashku, për herë të parë në muajin shtator, të gjithë udhëheqësit e rajonit për një takim në Berlin, për të përcjellë këndvështrimin e saj se, përtej ngërcit të politikës së zgjerimit, BE ka për qëllim të afrojë më shumë Ballkanin duke ndërtuar ura të reja mbështetjeje dhe bashkëpunimi.
Bota jonë ka nevojë për lidership përballë këtyre sfidave të shumta globale. Kancelarja Merkel e ka treguar. Po kështu edhe Papa. Një Kryeministër i Shqipërisë nuk do të ketë asnjëherë fuqinë e një Kancelari gjerman, apo ndikimin e një Pape. Por ne kemi një rol për të luajtur. Ballkani ka një rol të madh për të luajtur. Sfida jonë madhore sot është që të qëndrojmë larg kësaj epidemie vdekjeprurëse të konfliktit fetar që, në këtë rajon, do të shndërrohej automatikisht në një konflikt etnik dhe do të rindizte mosmarrëveshjet për kufijtë aktualë të paqes. Kjo është sfida jonë. Por është një sfidë për të gjithë Europën, dhe një sfidë që duhet ta përballojmë së bashku, me kurajë. Angela Merkel dhe Papa kanë prirë rrugën. Të tjerët duhet t’i ndjekin. Kjo është një luftë që Europa duhet ta luftojë e bashkuar.

http://www.huffingtonpost.com/edi-rama/pope-francis-albania_b_5881976.html?utm_hp_ref=world
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Pershtatur ne shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button