Motivuese

Një miqësi e bukur

Dikur, ishte një grua shumë e bukur që ecte çdo ditë nëpër rrugët e qytetit, dhe kudo që shkonte, të gjithë kthenin kokën. Të gjithë donin t’i flisnin, ta dëgjonin, t’i bënin pyetje dhe të kalonin kohë me të.

Në të njëjtin qytet jetonte edhe një vajzë e varfër, e veshur me rrecka. Edhe ajo ishte shumë e bukur, por askush nuk e vinte re, askush nuk donte të kishte punë me të. Ajo ishte e vetmuar dhe e trishtuar. Çdo ditë e shikonte me admirim gruan e hijshme, me rroba të bukura, dhe shihte si të gjithë i kushtonin vëmendje. Sa shumë do të donte edhe ajo që njerëzit t’i kushtonin pak vëmendje! Kishte kaq shumë gjëra në zemrën e saj që donte t’i ndante me të tjerët, por askush nuk dëgjonte.

Një ditë, vajza e varfër me rrecka mori guximin t’i fliste zonjës së bukur me petka të holla.

– Ju lutem, – tha me zë të drojtur, – më falni, a mund t’ju kërkoj një nder?

Zonja e hijshme, që ishte njeri me zemër të mirë, u kthye menjëherë dhe i buzëqeshi.

– Sigurisht, – tha ajo, – çfarë mund të bëj për ty?

— Shiko, tha vajza me drojë: ju jeni e bukur dhe e veshur me rroba të shtrenjta, dhe të gjithë ju vënë re, ndërsa unë jam e varfër dhe pa rroba të mira, dhe askush nuk më sheh. Do të isha aq e lumtur, nëse, qoftë edhe për një ditë të vetme, të mund të fshihesha nën mantelin tuaj të bukur dhe të ecja me ju nëpër qytet. Atëherë, kur njerëzit të ndaleshin për t’ju parë ju, do të shihnin edhe mua, dhe ndoshta do të më dëgjonin, sepse kam diçka të rëndësishme për t’u thënë, diçka që ata do ta vlerësonin – sikur vetëm ta dinin.

Zonja e hijshme pranoi menjëherë kërkesën e vajzës së varfër. Të nesërmen në mëngjes, ajo e mbështolli vajzën me mantelin e saj të mrekullueshëm dhe dolën bashkë nëpër qytet. Si gjithmonë, njerëzit ndaleshin për të admiruar zonjën e bukur – por këtë herë, duke parë edhe vajzën nën mantelin e saj, i kushtonin vëmendje edhe asaj.

Teksa ecnin bashkë, zonja e hijshme bisedonte me vajzën. E pyeti për jetën, për mendimet e saj, dhe u mahnit nga mençuria që fshihej pas atyre rreckave të thjeshta. Shumë shpejt, ato u bënë shoqe të pandara – aq sa, pas asaj dite, nuk deshën të ndaheshin më kurrë.

Emri i vajzës së varfër me rrecka është E Vërteta.

Ndërsa emri i zonjës së bukur, që të gjithë e admirojnë, është Rrëfimtarja.

Back to top button