Analiza

Një rol i ri për Gjermaninë

John Vincour

merkel flag

Kur Holanda, Belgjika dhe Danimarka vendosën të kryejnë misione bombardimi mbi Irak, përkrah SHBA, kundër forcave terroriste të Shtetit Islamik, me këtë vendim po zgjidhnin të merrnin një krah në një përplasje jo të vegël. Tre demokraci të vogla po pranonin edhe rrezikun e lartë të veprimeve terroriste në vendet respektivë edhe qëllimin e Barak Obamës për të “shkatërruar” ISIS-in përmes një fushate që ndoshta mund të kërkojë vite.
Gjermania, aleati i madh në NATO dhe fqinji i këtyre tre vendeve nuk u bashkua me ta. Ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier, tha në 11 shtator se “se as nuk na është kërkuar të bëjmë diçka – dhe as do ta bëjmë”. Kjo quhet “fuqi pa angazhim”.
Ishte kjo shprehja që u përdor javën e kaluar nga një zyrtar i lartë europiano-perëndimor për të përshkruar qasjen joluftarake të Berlinit, në një kohë kur është betuar për “përgjegjshmëri” dhe aktivizëm në çështjet ndërkombëtare, pas vitesh të tërë angazhimi të matur.
Një shembull: Ndërkohë që Australia dhe Kanadaja sinjalizuan gjatë fundjavës gatishmërinë për t’u bashkuar në sulmet ajrorë të koalicionit anti-ISIS, Gjermania tha se po konsideronte idenë e dërgimit të oficerëve për të stërvitur forcat kurde dhe irakene. Nëse do të ndjekë modelin e kufizuar të angazhimit në Afganistan, do të thotë se oficerët gjermanë nuk do të shoqërojnë ata që stërvisin në betejë.
Kjo gjë pason ekspozimin e gjendjes së keqe brenda forcave të armatosura të Gjermanisë. Tani ne e dimë se vetëm një në katër nëndetëse gjermane funksionojnë normalisiht dhe që një numër i madh avionësh gjuajtës dhe helikopterësh ushtarakë gjermanë nuk funksionojnë. Avioni i tij i transportit “Transall” është shumë i vjetër, aq sa xhaxhai i mamasë së vajzës sime ka pilotuar një të tillë në fillimin e viteve 1970.
Po kështu, sondazhet tregojnë se gjermanët kanë shumë pak interes për një angazhim më të madh kundër ISIS-it. Këtu ngrihet një pyetje e vjetër: Si mund të mbështetet perëndimi tek aktori kryesor në Europë, kur ky vend është kaq hezitues për t’u ngritur në këmbë në emër të sigurisë së perëndimit?
Por tani ka një tjetër kontekst për ta ngritur këtë pyetje: një ekonomi gjermane e cila ka pushuar së rrituri. Kjo lë të kuptohet se lidershipi i vendit, i cili është thelbësisht i lidhur me besueshmërinë ekonomike, po dëmtohet dyfish.
Felix Huefner, një ekonomist gjerman që ka qenë kreu i zyrës gjermane në OECD, ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e modeleve ekonomikë nga ana e agjencisë ndërkombëtare, të cilët e paraqesin Gjermaninë, pa reformat e mëdha, në stanjacion përgjatë 25 viteve të fundit.
Tashmë zëvendës drejtor në Institutin e Financës Ndërkombëtare në Uashington, Huefner më tha: “Rritja potenciale ekonomike vjetore e Gjermanisë me shumë gjasa do të bjerë nën 1% duke filluar nga viti 2020. Kjo do të jetë normalja e re”. Rrethanat nuk janë të pashpresa – një fuqizim i investimeve të brendshëm do të bënte dallimin – por këta kërcënojnë legjitimitetin gjerman. Realiteti thotë se Kancelarja Angela Merkel do të detyrohet të bëjë ndryshime të menjëhershëm, përballë një elektorati të cilin ajo e ka bindur, se ndershmëria gjermane është Rruga e Ndriçuar drejt mirëqenies ekonomike të botës.
Kombinuar me një situatë ekonomike të përkeqësuar, vendi i Gjermanisë si një invalid strategjik dhe ushtarak paraqet një problem të vërtetë. Camille Grand, Drejtore e Fondacionit Francez për Kërkime Strategjike, thotë se përballë shtytjeve nga Rusia, Gjermania është shndërruar në flamurmbajtësen e demilitarizimit të Europës, intelektualisht dhe praktikisht”.
Edhe gjermanët janë po kaq thumbues. Alexander Lambsdorff, zëvendës president i Parlamentit Europian, deklaroi në 28 shtator se pazotësitë e ushtrisë gjermane kanë qenë të njohura prej kohësh nga aleatët “të cilët nuk e llogarisin më Gjermaninë, kur vjen puna tek dominimi i krizave ndërkombëtare”.
Gjermania të dominojë ushtarakisht krizat? Mjaft bëtë shaka!
Qeveria e Berlinit ofroi në mënyrë të pavetëdijshme një shpjegim të arsyes.
Zëdhënësi i Merkelit deklaroi të enjten se Gjermania do të kërkonte presidencën e radhës të OSCE, anëtarët e të cilës përfshijnë SHBA dhe Rusinë, dhe e cila mbikëqyr përpjekjet për ndërmjetësim në situata si luftimet mes Ukrainës dhe rebelëve që kontrollohen nga Rusia në lindje të vendit.
Për mua, kjo i jep një rol ndërmjetësues Gjermanisë në këtë konflikt, përjashton mbështetjen aktive të Gjermanisë për Ukrainën, dhe si ndërmjetës zyrtarë, nënkupton që gjermanët mund të bëjnë të dy palët njësoj përgjegjëse për luftën. Kjo punë më mirë t’i lihej Andorrës.
Por i shkon shumë mirë për shtat vetëcaktimit të Gjermanisë si ndërmjetëse mes Uashingtonit dhe Moskës, gjë që ishte shprehur në mënyrë eksplicite në manifestin e socialdemokratëve të Steinmeyerit vitin që kaloi. Kjo është po aq e papërgjegjshme sa edhe përpjekja e Gjermanisë për të injoruar shtesën më të fundit që i ka bërë Rusia doktrinës së saj të mbrojtjes, që specifikon përdorimin e hershëm të armëve bërthamore taktike në konfliktet rajonalë.
Po kështu, shkon fare mirë me heshtjen e Gjermanisë, kur Rusia dërgoi vitin që kaloi raketa Iskander në enklavën e vet në Kaliningrad, mes dy anëtarëve të NATO-s, Polonisë dhe Lituanisë. Cfarë mund të bëjë SHBA dhe miqtë e vet ndaj një aleati të tillë, gjithnjë e më të tërhequr?
Në kohën e administratës së Reaganit, Sekretari i Mbrojtjes Caspar Veinberger i qetësoi një herë gjermanët duke hequr fjalën “fitojë” dhe duke thënë që në një konflikt bërthamor Amerika synon thjeshtë “të mbizotërojë”.
Obama ka deklaruar që dëshiron të shkatërrojë Shtetin Islamik. A është në rregull kjo shprehje sipas jush, zonja Kancelare? /The Wall Street Journal/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button