Analiza

Një spiun rus në Bruksel

russian spyNdonëse skandali më i fundit shihet si një çështje e brendshme e politikës hungareze, pasojat e tij shkojnë përtej kufijve të Hungarisë, duke ngritur pikëpyetje se sa thellë ka penetruar Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë në institucionet europianë, dhe sa e influencon politikën brenda Bashkimit Europian në tërësi. Që nga koha e arrestimit të Ana Chapman dhe nëntë spiunëve të tjerë rusë në New York në vitin 2010, është bërë e qartë se Rusia zhvillon operacione të gjerë spiunazhi në perëndim

Mitchell A. Orenstein, Péter Krekó

Ndërkohë që Europa po përgatitej për zgjedhjet për Parlamentin Europian në 22-25 maj, të cilat u dhanë 25 % të vendeve partive populiste antieuropiane në të majtë e në të djathtë, Hungaria i paraqiste kërkesën Parlamentit Europian që të hiqte imunitetin e Béla Kovács, një përfaqësues i njohur i partisë hungareze Jobbik, me qëllim që ta padiste për spiunim të BE-së, në favor të Rusisë. Kovács akuzohet gjithashtu se ka kanalizuar fonde të rusëve për të mbështetur krijimin e Jobbik, një parti që doli në skenën politike hungareze në vitin 2009 me një fushatë elektorale të dyshimtë për nga financimi, në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Akuzat ishin të forta, ndonëse ndoshta jo surprizë. Në prag të zgjedhjeve të muajit që kaloi, Rusia ka mbështetur partitë antiBE në të djathtën dhe të majtën ekstreme, në një përpjekje për të patur ndikim, apo edhe për të dëmtuar unionin. Një prej këtyre partive është Jobbik, e cila është partia e dytë më e madhe e Hungarisë, dhe mbështetësit e të cilës vishen me uniforma të ngjashme me nazistët, përdorin retorikë antisemite, dhe shprehin shqetësimin për “kolonizimin” e Hungarisë nga Izraeli. Dhe qëndrimi prorus i Partisë Jobbik nuk është mbajtur asnjëherë i fshehtë. Programi i partisë në zgjedhjet e vitit 2010 përshkruante vendosjen dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me “një Rusi gjithnjë e me më shumë ndikim”, duke i konsideruar të një rëndësie jetike. Në maj 2013, në një leksion të dhënë në Universitetin Lomonosov të Moskës, lideri i partisë Jobbik, Gabbor Vona e quajti Rusinë – ndryshe nga Bashkimi Europian “tradhëtar” – si mbrojtësen e trashëgimisë europiane.

Gjithashtu, prej kohësh dihej që Béla Kovács, që tani e thërrasin KGBéla në shtypin hungarez, ka lidhje të forta me Rusinë. Së pari, ai ka përfunduar studimet universitare në Moskë dhe ka fituar shumë para duke punuar për një kompani ruse të tregtisë së jashtme në mesin e viteve ’80 dhe më pas, me kthimin në Hungari në 2003. Që nga zgjedhja e tij në Parlamentin Europian në vitin 2009, ai ka bërë shpesh herë lobim në favor të interesave ruse në Bruksel, ku ka shërbyer edhe në Komisionin Parlamentar për Bashkëpunimin BE-Rusi dhe si financier për Aleancën e Lëvizjeve Kombëtare Europiane, një koleksion partish të ekstremit të djathtë që shprehen hapur pro Rusisë. Kovács ka qenë një mbështetës i zjarrtë i Rusisë gjatë krizës së Krimesë, dhe shkoi si vëzhgues ndërkombëtar në referendumin farsë për bashkimin me Rusinë.

Koha për dërgimin e kërkesës për të paditur Béla Kovács për spiunazh është një produkt i politikës së brendshme shumë të tensionuar të Hungarisë, sidomos konkurrencës së fortë mes partisë së ekstremit të djathtë Jobbik dhe qeverisë së djathtë populiste të Kryeministrit Viktor Orban. Akuzat erdhën pikërisht në momentin kur duhej, për të dëmtuar Jobbik në zgjedhjet e 25 majit. Në 15 maj, Magyar Nemzet, një gazetë me lidhje të forta me qeverinë, nxorri e para lajmin se zyra e kryeprokurorit të Hungarisë i kishte kërkuar Parlamentit Europian që t’i hiqte imunitetin Kovácsit. Katër ditë më vonë, parlamenti hungarez thirri një takim të komisionit të sigurisë, një hap i domosdoshëm ky për të akuzuar një zyrtar publik për spiunazh. Mbledhja ishte e mbyllur për publikun, por një prej deputetëve nxorri informacionin se komisioni kishte gjetur prova “të forta” që Kovacs kishte spiunuar për Rusinë, ishte takuar fshehtësisht me anëtarë të njohur të shërbimeve të fshehtë rusë, kishte udhëtuar çdo muaj për në Moskë, dhe bashkëjeton me një tjetër të akuzuar si agjente e Rusisë, bashkëshortja e tij austro-ruse.

Lajmi i largoi një pjesë të trysnisë administratës së Orbanit, e cila është nën vëzhgim nga BE-ja për shkak të sjelljes së saj jodemokratike, duke përfshirë miratimin e ligjeve për kontrollin e medias, pengimin e gjykatës kushtetuese në vend, përpjekjes për të institucionalizuar influencën politike në gjyqësor, si dhe krijimin e organeve të rinj mbikëqyrës të mbushur me besnikë të Orbanit. Në vijim të akuzave ndaj Kovacs, partia Fidesz në pushtet akuzoi menjëherë partinë Jobbik, një rivale për votën e nacionalistëve në Hungari, për tradhëti. Nënkryetari i komisionit të sigurisë kombëtare i bëri thirrje Vonas që të zbulojë nëse “ka persona të tjerë si Béla Kovács në partinë Jobbik”, dhe nëse Jobbik ka pranuar para nga Kovacs.

Këto insinuata e arritën qëllimin. Në zgjedhjet për Parlamentin Europian, Jobbik mori një rezultat të dobët. Ndërkohë që parti të tjera të ekstremit të djathtë në Europë patën përparim, Jobbik arriti të ruajë vetëm atë që kishte marrë në zgjedhjet e mëparshme për Parlamentin Europian, 15% të votave të hungarezëve. Një tkurrje për këtë parti, e cila në zgjedhjet parlamentare hungareze në muajin prill kishte marrë 21% të votave. Përshtatur në shqip nga bota.al

Nga ana e vet, Jobbik thotë se akuzat për spiunzh janë pjesë e një komploti perëndimor dhe hebre për të kolonizuar Hungarinë. Kovacs pretendon se, gjatë një telefonatenë muajin maj, zëvendës presidenti i SHBA, Joseph Biden i ka kërkuar Orbanit që të akuzojë Kovacsin, me qëllim që të pengojë ngjitjen e nacionalistëve hungarezë dhe të siguronte që socialistët të mbeteshin partia kryesore e opozitës në vend, akuza këto që janë përsëritur edhe në mediat hungareze. Kovacs ka hedhur poshtë të gjithë akuzat, ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë pjesëtar i shërbimeve të fshehtë, as hungarezë dhe as të huaj, dhe kërcënoi se do padisë qeverinë për shpifje.

Në fakt, qeveria e Orbanit është e njohur për përdorimin e zyrës së kryeprokurorit në avantazh të vet gjatë fushatave elektorale. Ajo ka një zakon që nxjer akuza për korrupsion kundër politikanëve socialistë para votimeve – ndonjëherë, siç rezulton, e bazuar mbi prova të pamjaftueshme. Këtë herë, duke qenë se provat në lidhje me spiunazhin e Kovacs janë të klasifikuara për 30 vjet, publiku mund të mos e dijë deri në vitin 2044 nëse KGBéla e ka shkelur apo jo vijën e kuqe. Përshtatur në shqip nga bota.al

Ndonëse skandali më i fundit shihet si një çështje e brendshme e politikës hungareze, pasojat e tij shkojnë përtej kufijve të Hungarisë, duke ngritur pikëpyetje se sa thellë ka penetruar Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë në institucionet europianë, dhe sa e influencon politikën brenda Bashkimit Europian në tërësi. Që nga koha e arrestimit të Ana Chapman dhe nëntë spiunëve të tjerë rusë në New York në vitin 2010, është bërë e qartë se Rusia zhvillon operacione të gjerë spiunazhi në perëndim. Ajo është edhe më aktive në ish satelitët e saj, ku kërkon informacione për interesat perëndimorë të sigurisë, politikat e qeverive dhe bizneset, si dhe përpiqet të influencojë opinionin publik. Lidove Noviny, një gazetë kryesore në Republikën Ceke, botoi kohët e fundit një artikull ku pretendohet se shërbimi i fshehtë rus ka paguar grupe të shoqërisë civile në Ceki për të kundërshtuar planet e SHBA për të vendosur radarë antiraketë në territorin e Republikës Ceke, përpara se administrata Obama ta anulonte vetë këtë projekt.

Në të vërtetë, është e habitshme që qeveria Orban është e gatshme t’i kundërvihet kaq hapur Rusisë në rastin e Kovacs. Vitet e fundit, qeveria Orban është bërë gjithnjë e më proruse. Në vitin 2013, qeveria firmosi një marrëveshje me Rusinë për financimin e ndërtimit të reaktorëve bërthamorë në Hungarinë qendrore. Dhe në fillim të konfliktit në Ukrainë, mediat proqeveritare të Hungarisë ofruan orë të tëra propagande proruse. Orbani u tregua i avashtë në dënimin e Rusisë për aneksimin e Krimesë, ndryshe nga sjellja e tij në vitin 2008, kur kritikoi ashpër Rusinë për pushtimin e Gjeorgjisë. Megjithatë, tani Orbani ka preferuar të paraqitet si një mbrojtës i interesave të BE-së, teksa nxjerr zbuluar lidhjet e Rusisë me të djathtën ekstreme të Europës.

Orbani mund të shihet si një ekuilibrues klasik, i gatshëm të mos i përulet as Perëndimit dhe as Rusisë, por të kërkojë të krijojë hapësirë manovrimi përreth të dyjave. Hungaria është e rëndësishme për Rusinë, sepse është një ndalesë e rëndësishme në projektin e gazsjellësit South Stream, që Rusia po e ndërton për të anashkaluar Ukrainën dhe për të sjellë gazin rus të Detit të Zi në Austri, Bullgari, Greqi, Hungari, Itali dhe Serbi.

Hungaria është gjithashtu shumë e rëndësishme për BE-në. Ajo është një prej shteteve anëtarë më të rinj (u anëtarësua në 2004), dhe animi i saj nga Rusia është demoralizues për BE. Brukseli ka qenë i paaftë të kontrollojë sjelljen shpesh herë jodemokratike të qeverisë së Orbanit. Dhe tani BE po përballet me mundësinë e një Parlamenti me mendësi të ngjashme me të dhe me lidhje të forta me Rusinë. Kjo nuk është Europa që projektuesit e Unionit shpresonin të arrinin kur lejuan anëtarësimin e Hungarisë dhe shteteve të tjerë të Europës Qendrore.

Tani, pas skandalit të KGBéla, Brukseli mund të jetë duke pyetur se sa shumë influencë ka Rusia në korridoret e pushtetit të shteteve anëtarë. Fakti që BE nuk ka shërbimet e vet të fshehtë ua lë investigime të tillë shteteve anëtarë, disa prej të cilëve me lidhje të forta ekonomike me Rusinë. Kjo është shumë shqetësuese, sidomos tani që Europa ngrihet dhe i vihet përballë një vendi me pasuri shumë të madhe në burime natyrore dhe një traditë të fortë spiunazhi shtetëror, i cili e sheh veten të mbërthyer në konflikt me Europën. /Foreign Affairs/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button