Covid19MAIN

Një vit i të dielave: Si koronavirusi e shtrembëroi perceptimin tonë mbi kohën

Nga Ruth Ogden

A të duket sikur 2020-a zgjati një përjetësi? A munde ta mbash mend si e kaloje kohën kur nuk jetoje nën kufizimet që na diktuar tani koronavirusi? Nuk je vetëm. Për shumë njerëz, 2020-a ka qenë viti në të cilin humbi sensi i kohës.

Këtë vit, koha ka kaluar me një shpejtësi konstante, lineare. Gjithsesi në aspektin subjektiv, perceptimi mbi kohën lidhet me aktivitetet dhe emocionet tona. Ndonjëherë, ajo fluturon, herë të tjera zvarritet aq ngadalë, saqë thuajse qëndron në vend.

Kjo mbështetet edhe nga studimet e realizuara në muajin prill, të cilat eksploruan se si muajt e parë të pandemisë së koronavirusit, kishin ndikuar në përvojat e njerëzve me perceptimin e kohës. Me interes të veçantë, ishte pyetja sesa shpejt ndihej kalimi i kohës gjatë bllokimit, në krahasim me “normalitetin”.

Unë anketova 604 njerëz, në lidhje me sesa shpejt e ndjenë ecjen e kohës ato ditë dhe atë javë, në krahasim me para bllokimit. Gjithashtu pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me gjendjen e tyre shpirtërore, jetën familjare, dhe sa të angazhuar ishin me faktorët që e bënin kohën të ecte më shpejt apo më ngadalë për njerëz të ndryshëm.

Rezultatet treguan se për më shumë se 80 për qind të njerëzve, koha ndihej sikur po kalonte ndryshe. Por bllokimi nuk e shtrembëroi njëlloj tek të gjithë perceptimin mbi kohën. Përkundrazi, koha u përshpejtua gjatë bllokimit për 40 për qind të njerëzve të anketuar, dhe u ngadalësua për 40 për qind të tjerë.

Analiza ime, sugjeron se shpejtësia e perceptuar e ecjes kohës gjatë ditës, ndikohej nga mosha e një personi, sa të kënaqur ishin ata me nivelin e tyre të ndërveprimit shoqëror, sa të stresuar apo të angazhuar me diçka.

Në përgjithësi, ditët kaluan më shpejt për të rinjtë që ishin të kënaqur shoqërisht, të angazhuar me diçka, dhe që përjetonin nivele të ulëta stresi. Në të kundërt, dita kalonte më ngadalë për njerëzit e moshuar, veçanërisht ata mbi moshën 60 vjeç, të cilët ishin të pakënaqur nga jeta sociale, të stresuar, dhe që nuk kishin diçka për t’u marrë.

Modele të ngjashme u vunë re edhe mbi shpejtësinë subjektive të kalimit të një jave. Një javë e shpejtë shoqërohej me të qenit më i ri, dhe më i kënaqur shoqërisht, ndërsa një javë e ngadaltë shoqërohej me të qenit më i moshuar, dhe më pak i kënaqur shoqërisht.

Një studim i dytë ende i pabotuar, që unë realizova gjatë bllokimit të nëntorit, zbuloi se nga 851 persona të anketuar, më shumë se 75 për qind përjetuan shtrembërim të perceptimit të kohës, dhe 55 për qind thanë se fillimi i bllokimit të ri, ndihej më shumë se ai i 8 muajve më parë.

Një bllokim i dytë më i ngadaltë u shoqërua me një kujdes, pakënaqësi ndaj ndërveprimit social, depresion dhe mërzi më të madhe. Kjo dukuri nuk vërehet vetëm në Britaninë e Madhe. Studime të ngjashme të kryera në Francë, Itali dhe Argjentinë, tregojnë gjithashtu një shtrembërim të madh të kalimit të kohës gjatë periudhave të kufizimeve të rrepta, pikërisht për shkak të Covid-19.

Ndryshe nga Britania e Madhe, në Francë dhe Itali, koha gjatë bllokimit kaloi më ngadalë sesa normalja për shumicën e njerëzve, në krahasim me ndarjen 40/40 si në studimin tim të muajit prill. Por ashtu si në Britani, mërzia ishte një parashikues i rëndësishëm i perceptimit të ngadalësimit të kohës në Itali dhe në Francë.

Në Francë, koha gjithashtu kaloi më ngadalë, dhe me një trishtim në rritje. Por pse të qenit më i moshuar, më i mërzitur, më i stresuar dhe më i pakënaqur shoqërisht, bën që koha të kalojë më ngadalë? Kësaj pyetje është e vështirë t’i jepet një përgjigje e prerë.

Ndryshe nga shqisat e tjera, ne nuk kemi një organ specifik për kohën. Në këto kushte, koha përjetohet si pjesë e inputeve të tjera shqisore, si shikimi dhe dëgjimi, dhe kjo e ka bërë të vështirë identifikimin e saktë se si truri e përpunon atë.

Një hipotezë është se kur jemi të mërzitur dhe të pakënaqur shoqërisht, kemi më shumë kapacitet njohës, të cilin më pas e përdorim për të rritur monitorimin e kohës. Ky monitorim i shtuar, bën që koha të kalojë më ngadalë se sa normalja, thjesht sepse ne jemi më të vetëdijshëm për kohën sesa normalisht.

Një mundësi tjetër është që pasoja emocionale e bllokimit, e ndryshon mënyrën se si truri e përpunon kohën. Në veçanti, emocionet negative që lidhen me izolimin, mërzinë, trishtimin dhe stresin, mund të kenë kontribuar në ngadalësimin e kohës.

Gjithsesi, efektet e paqëndrueshme të depresionit dhe ankthit nëpër studime, sugjerojnë që efekti i emocioneve në kohë është shumë kompleks. Atëherë çfarë pritet të ndodhë në 2021? A do ta rifitojë koha ritmin e saj të rregullt? Është e vështirë të thuhet po.

Me vaksinat e para që janë duke u shpërndarë aktualisht, ne kemi ndoshta më shumë shpresë se kurrë se normaliteti është afër. Por realiteti mund të jetë se normaliteti, është ende shumë muaj larg. Pavarësisht kësaj, ka disa gjëra që mund të bëjmë për të shpejtuar ecjen e kohës.

Duke qëndruar të angazhuar me diçka, duke e minimizuar stresin, duke u përfshirë në sa më shumë ndërveprime shoqërore ballë për ballë apo në internet, ne mund të ndihmojmë që udhëtimi drejt rikthimit në normalitet, të kalojë më shpejt sesa normalisht. / “The Conversation” – Bota.al

Back to top button