AnalizaEkonomiMAIN

Njerëzit mbi robotët: Ekonomia globale ka nevojë për emigracionin, përpara automatizimit

Nga Lant Pritchett

Ne jetojmë sot në një epokë teknologjike, ose kështu na thuhet. Makineritë premtojnë ta transformojnë çdo aspekt të jetës së njeriut: robotët do të zëvendësojnë njerëzit në fabrika, makinat pa shofer do të sundojnë rrugët ndërsa Inteligjenca Artificiale do të menaxhojë  sistemet e armëve.

Politikanë dhe analistë janë të shqetësuar mbi pasojat e përparimeve të tilla, sidomos për  dëmin që do t’i shkaktohet industrive dhe individëve. Ata kërkojnë që qeveritë të ndihmojnë në menaxhimin e kostove të progresit. Diskutime të tilla e trajtojnë thuajse gjithmonë ndryshimin teknologjik si diçka së cilës duhet t’i përshtatemi.

Pra sikur ajo të jetë një forcë e natyrës, e cila futet në mënyrë të pashmangshme në jetën tonë moderne. Tekno-optimistët thonë se SHBA dhe shumë vende të tjera të pasura kanë nevojë për automatizim për të kompensuar pakësimin e popullatës në moshë pune dhe boshllëqet në rritje në fuqinë punëtore.

Por këto debate dhe argumente, harrojnë ose lënë mënjanë një element shumë të thjeshtë. Sado i fuqishëm që mund të duket, ndryshimi teknologjik nuk është një forcë natyrore, por vepër e qenieve njerëzore. Natyrisht, teknologjia e ka përmirësuar rrënjësisht jetën e njerëzve. Sot askush nuk dëshiron të jetojë pa energji elektrike, tualete me ujë apo ngrohje qendrore. Megjithatë, në raste të tjera, shoqëritë kanë më shumë nevojë për politika të reja dhe jo për teknologji të reja. Por automatizimi është një zgjedhje që kanë bërë njerëzit, jo një pashmangshmëri dhe sigurisht jo një domosdoshmëri. Për shembull, Shtetet e Bashkuara po përballen aktualisht me mungesën e shoferëve të kamionëve.

Shoqata Amerikane e Kamionistëve vlerësoi në vitin 2021 se kishte 80.000 shoferë më pak sesa numri i nevojshëm. Dhe duke pasur parasysh moshën e shoferëve aktualë, mbi 1 milionë shoferë të rinj do të duhet të rekrutohen gjatë dekadës së ardhshme.

Për ta përballuar këtë deficit, shumë manjatë të teknologjisë, midis tyre edhe themeluesi i Amazon, Xhef Bezos, kanë investuar në kërkimin dhe zhvillimin e automjeteve vetë-drejtuese, teknologji që do të reduktonte kërkesën për shoferë. Për Bezos, një teknologji e tillë ka një logjikë financiare:Amazon mbështetet tek kostot e ulëta të transportit për të mbajtur çmimet e saj të ulëta.

Por kjo nuk ka kuptim më të gjerë ekonomik, sepse miliona njerëz do të ishin të lumtur të drejtonin kamionë në Shtetet e Bashkuara. Dhe ata thjesht duhet të lejohen të punojnë. Ajo që është e vërtetë për kamionët, vlen edhe për shumë industri të tjera në botën e pasur industriale.

Një raport po i 2 viteve më parë nga kompania e shërbimeve financiare Mercer vlerësoi se, deri në vitin 2025, Shtetet e Bashkuara do të përballen me një mungesë prej rreth 660.000 ndihmësish shëndetësorë në shtëpi, teknikë laboratori dhe ndihmës/infermierë.

Ndërkohë pengesat ndaj emigrimit po nxisin një keq-orientim të tmerrshëm të burimeve. Në ekonomitë më produktive të botës, kapitali dhe energjitë e drejtuesve të biznesit fokusohet tek zhvillimi i teknologjisë që do të minimizojë përdorimin e një prej burimeve më të bollshme në planet: punës.

Fuqia punëtore është pasuria më e rëndësishme (dhe shpesh e vetmja) që kanë njerëzit me të ardhura të ulëta në mbarë botën. Përpjekja për t’i zëvendësuar ata me makineri po harxhon jo vetëm para, por po ndihmon në mbajtjen e të varfërve më të varfër. Sigurisht, janë legjitime disa shqetësime sociale dhe politike në lidhje me lëvizjen ndërkombëtare të emigrantëve ekonomikë, duke përfshirë ato se si do të menaxhoheshin flukse të tilla njerëzish, apo fakti që do të preknin punëtorët vendas duke krijuar kësisoj tensione sociale.

Po ashtu aktivistët e të drejtave të njeriut kanë të drejtë të shqetësohen se si punëtorët emigrantë mund të mbrohen nga shfrytëzimi. Por zgjedhja e pajisjeve në vend të njerëzve është e gabuar. Sepse kjo e bën botën të humbasë përfitimet reale ekonomike dhe humanitare që do të vinin nga lejimi i lëvizjes së njerëzve atje ku ka nevojë për ta, në vend që të përpiqen të shpikin makina që mund të zëvendësojnë njerëzit.

Refuzimi për t’i lejuar njerëzit të kalojnë kufijtë kombëtarë si emigrantë ekonomikë, sidomos  për t’u angazhuar në punë që kërkojnë vetëm aftësi thelbësore, e shtrembëron shumë trajektoren e ndryshimit teknologjik në mënyra që i zhytin që të gjithë, veçanërisht të varfrit në botë, në një situatë akoma më të keqe.

Përkrahësit e barrierave ndaj emigrimit, këmbëngulin se ato janë të nevojshme për të mbrojtur pagat e vendasve. Por as kjo nuk është e vërtetë. Gjatë shekullit XX ka pasur raste kur qeveritë ishin të shqetësuara se vendi i tyre nuk mund të siguronte vende pune të mjaftueshme për qytetarët e tyre.

Por ndryshimi i demografisë së botës së pasur industriale e ka ndryshuar plotësisht këtë logjikë. Për të ardhmen e parashikueshme, sfida do të jetë gjetja e punëtorëve të mjaftueshëm për të plotësuar vendet e disponueshme. Edhe vendet që tradicionalisht nuk i kanë mirëpritur emigrantët, si Japonia, po rekrutojnë tani shumë punëtorë.

Një studim i Akademisë Kombëtare të Shkencave në vitin 2017, zbuloi se ndikimi neto i emigracionit në pagat mesatare të punëtorëve shtëpiak në Shtetet e Bashkuara ishte ose afër zeros ose me shumë gjasa disi pozitiv. Në terma ekonomikë, emigrantët nuk janë zëvendësues për punëtorin tipik amerikan, por plotësues, në mënyrë që më shumë emigrantë të rrisin realisht pagën mesatare të qytetarëve.

Për shembull të kesh më shumë ndihmës nuk i ul, por përkundrazi i rrit pagat e punëtorëve të kualifikuar, si infermierët, duke u lënë më shumë kohë për detyra që kanë nevojë për aftësitë e tyre unike. Sigurisht, disa punëtorë veçanërisht të pa favorizuar në SHBA mund të mos konkurrojnë drejtpërdrejt për punë me emigrantët.

Por kufizimet mbi emigrimin nuk janë një mënyrë efektive dhe as efikase për t’i ndihmuar këta punëtorë vendas. Programe të tilla si Kredia e Tatimit mbi të Ardhurat e Fituara janë një mjet me kosto shumë më efektive për të mbështetur pagat e punëtorëve vendas.

Shoqëritë e pasura dhe demokratike duhet të ndalojnë ndjekjen e verbër të përparimeve teknologjike, që kursejnë saktësisht atë që është e bollshme në mbarë botën. Vendet e pasura kanë krijuar stimuj të fortë për kompanitë që të zgjedhin makineritë në vend të njerëzve. Është koha për të vënë bast për një të ardhme të ndërtuar nga njerëzit dhe për njerëzit.

Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs”

Shënim: Lant Pritchett, drejtor kërkimor i Partneriteteve për Mobilitetin e Punës në Universitetin e Oksfordit, ish-ekonomist i Bankës Botërore.

Back to top button