Bota

Norvegjez, zviceran, turk apo kanadez: Cilin model do të ndiqte Britania pas Brexit?

Screen Shot 2016-05-05 at 10.51.41

Modeli norvegjez

Si një vend i Zonës Europiane Ekonomike, Norvegjia është pjesë e tregut të përbashkët të BE, paguan kontribute për buxhetin europian dhe pranon rregullat e lëvizjes së lirë. Ajo ka pavarësi sa i përket politikave të peshkimit dhe bujqësisë, por në të tjerat zbaton rigorozisht rregulloret e BE. Norvegjia adopton ligjet e BE për tregun e përbashkët, pa patur shumë fuqi për të ndikuar mbi to. Ajo mund të negociojë marrëveshjet e veta tregtare, duke ia nënshtruar kufizimeve mbi ato mallra që më pas mund të shiten në BE. Ajo pranon vendimet e gjykate të Zonës Ekonomike Europiane, që shpesh herë ndjek vendimet e Gjykatës Europiane.

Modeli zviceran

Zvicra negocion qasjen në tregun e përbashkët, sektor pas sektori. Në vend që të ndiqte modelin e Norvegjisë, Zvicra ra dakord për një seri marrëveshjesh tregtare dypalëshe me BE gjatë 30 viteve të fundit. Ndërkohë që pranon lëvizjen e lirë dhe paguan disa tarifa kundrejt BE, gjykatat e saj janë kryesisht jo të lidhura me vendimet e BE. Por modeli është në telashe dhe BE nuk do të donte kurrë t’i ofronte një model të ngjashëm Mbretërisë së Bashkuar. Blloku kërcënoi të ndërpresë qasjen në treg, pasi Zvicra u përgatit të frenojë imigrimin, si dhe po i bën presion zviceranëve që të pranojë vendimet e gjykatave të BE.

Modeli turk

Turqia është pjesë e bashkimit doganor të BE. Tarifa e saj e jashtme vendoset nga BE dhe eksportet turke në BE janë pa tarifa, gjë që i jep Ankarasë qasje në tregun e përbashkët europian të mallrave. Por marrëveshja përjashton fusha të tjera si shërbimet, bujqësia dhe prokurimet publike. Sipas një marëveshje të tillë, Britania do të humbiste edhe sovranitetin në tregti. Ajo nuk do të influenconte apo përfitonte drejtpërdrejtë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë mes bllokut të BE dhe vendeve si Korea e Jugut – por gjithësesi do të duhej të pranonte qasjen e Koresë së Jugut në tregun e saj.

Modeli kanadez

Marrëveshja e Tregtisë e BE me Kanadanë është më ambiciozja e saj. Përpjekja e saj për të reduktuar barrierat rregullatore mund të shërbejë si model për një marrëveshje edhe më gjithëpërfshirëse me Mbretërinë e Bashkuar. Por draft-marrëveshja ka ngecur në politikë. Marrëveshja eleminon gradualisht tarifat për të gjithë produktet industriale dhe shumicën e produkteve bujqësore. Ajo lehtëson disi barrierat rregullatore, por shërbimet financiare përjashtohen. Një marëveshje e tregtisë së lirë me Britaninë do të ishte më e thellë, por për atë arsye BE ndoshta do të kërkonte më shumë mbikëqyrje (përmes gjykatave apo organeve zbatuese) dhe bashkërendimit.

Opsioni i OBT

Nëse Mbretëria e Bashkuar nuk do të ishte në gjendje që të negocionte një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, ajo mund të bënte biznes me bllokun mbi bazën e regjimit tregtar ndërkombëtar, siç bëjnë vende si Zelanda e Re. Një marëveshje e tillë do të mbronte mallrat nga normat ndëshkuese dhe do të mbulonte shumicën e eksporteve mbi vlerën. Tarifat janë të ulëta në shumicën e sektorëve por ka përjashtime, si pjesët e këmbimit të automjeteve, që janë një prej eksporteve kryesore të Britanisë, dhe bujqësia. Mbështetësit e largimit thonë se kostoja e përgjithshme do të ishte më e ulët se sa tarifat e anëtarësimit në BE. Barriera të tjera për tregtinë do të ishin më të dëmshme, duke përfshirë barrierat rregullatore mbi shërbimet financiare.

Leave a Reply

Back to top button