Bota

“Nuk duhet të imitojmë europianët!” Antonin Scalia: Të drejtat e njeriut dhe zanati i gjykatësit kushtetues

TOGA MË E FAMSHME E AMERIKËS KUNDËR ZHVENDOSJES “MORALE” TË SË DREJTËS. RASTET E ABORTIT DHE TË HOMOSEKSUALITETIT. Po botojmë pjesë të konsiderueshme të diskutimit të Antonin Scalia, Gjykatës i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, mbajtur në American Enterprise Institute..

gjykata

Gjykata e Lartë e ka shtrirë përdorimin e ligjit të huaj përtej sferës së Amendamentit të Tetë. Në çështjen Lawrence kundër shtetit të Teksasit, të vendosur në vitin 2003, Gjykata është mbështetur mbi veprimin e Parlamentit britanik dhe mbi një vendim të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për të stabilizuar nëse ligjet që ndëshkojnë homoseksualizmin janë apo jo jokushtetues dhe, natyrisht, gjykatës të ndryshëm në mënyrë individuale kanë nënvizuar rëndësinë e ligjit të huaj. Pres ose më mirë kam frikë se përdorimi i ligjit të huaj nga ana e Gjykatës në interpretimin e Kushtetutës amerikane do të vazhdojë në një masë gjithnjë e më të madhe. E mendoj këtë për tri arësye. E para, sepse paradigma e “Kushtetutës së gjallë” në fund të interpretimit kushtetues mbizotëron në brendësi të Gjykatës dhe bile në të gjithë komunitetin juridik. Sipas kësaj paradigme, detyra e Gjykatës është që të veprojë në mënyrë të atillë që Kushtetuta aktuale, ashtu siç afirmohet në Amendamentin e Tetë, të garantojë “promovimin e parimeve të ndershmërisë që shënojnë progresin e një shoqërie të pjekur”.

Kështu, e drejta kushtetuese ndaj abortit, që sigurisht nuk ishte parashikuar gjatë dy shekujve të parë të historisë sonë, sot është e garantuar. E njëjta gjë vlen dhe për të drejtën kushtetuese ndaj homoseksualitetit. Natyrisht, nuk e ndaj këtë paradigmë të “Kushtetutës së gjallë”. Nënkupton të impenjohesh operacioni shkrimi të Kushtetutës. Supozoj se mund të theksohet që konstitucionalistët bashkëkohorë duan vetëm të krijojnë një Kushtetutë të re amerikane. Nuk besoj se shumë konstitucionalistë sot mund të qëndrojnë në kategorinë e atyre që mund t’i quajmë konstitucionalistë shovinistë, domethënë të impenjuar që të fusin në Kushtetutë vetëm modifikimet e dëshiruara nga populli amerikan. Populli amerikan mund ta shprehë tashmë vullnetin e tij duke krijuar të drejta të reja ligjore nëpërmjet qeverisë shtetërore e federale dhe, në analizë të fundit, duke e amenduar Kushtetutën me procedurat e parashikuara demokratike. Ai që beson se u takon gjykatave të azhornojnë listën e të drejtave të garantuara nga Kushtetuta zakonisht është një person që beson në një lloj të mireje dhe të keqeje platonike, beson në faktin se gjykatësit e urtë, ndryshe nga masa, janë në gjendje të dallojnë.

Praktikisht, kam përshtypjen se ky koncept i një ligji moral superior që i detyron të gjitha vendet e botës dhe që të gjithë gjykatësit e çdo vendi duhet të interpretojnë ka zëvendësuar të drejtën e bazuar mbi jurisprudencën. Kështu, pothuajse çdo vendim juridik i një shteti duhet të përmendë vendimet e marra nga shtete të tjera, sepse të gjithë gjykatësit duhet të jenë të impenjuar në ndërmarrjen e zbulimit të domethënies të asaj që Holmes e quajti “gjithëprania kërcënuese në qiell e common law”. Megjithatë, mendoj se këtë ka zëvendësuar ligji i të drejtave të njeriut, i cili është një ligj moral dhe padyshim duhet të ketë një përgjigje të drejtë dhe një përgjigje të gabuar ndaj çështjesh të tilla morale, qoftë po të bëhet fjalë për të drejtën e abortit apo të homoseksualitetit, qoftë për gjëra të tjera të kësaj natyre. Unë jam i bindur, vetëm se nuk jam i sigurtë nëse di përgjigjen e duhur – ose më mirë, mendoj se po, por dyshoj se është e njëjta që kini mendje ju. Dhe ideja që të gjithë gjykatësit e botës mund ta konsiderojnë këtë gjithëprani kërcënuese të ligjit moral dhe në njëfarë mënyre të jenë të kualifikuar nga detyra e tyre për të vendosur këto çështje shumë të vështira morale për mua është vërtet çuditëse.

Por jam i sigurtë se ndodhemi në këtë situatë, se ekziston vërtet një vëllazëri e magjistraturës, e bindur se funksioni i gjykatësve, në të gjithë botën, është që të përcaktojë domethënien e të drejtave të njeriut dhe ajo që një prej vëllezërve thotë në një vend është e rëndësishme për atë që thonë vëllezërit e tjerë në një vend tjetër. Është për këtë arësye që mendoj se sot nëqoftëse je konstitucionalist, je me siguri një konstitucionalist ndërkombëtar.

Arësyeja e dytë për të cilën ligji i huaj është i destinuar të ketë një rol gjithnjë e më të madh në Kushtetutën tonë është arësyeja e Sir Edmond Hillary: thjesht pse ekziston. Le ta pranojmë: është e vështirë të vësh sëbashku një numër të përshtatshëm faqesh që ofrojnë (siç pritet nga një vendim ligjor) arësye analitike për parashkrime apo ndalime kushtetuese që të mos mbështeten tërësisht (pikërisht si në rastin e fillestarit Bill of Rights) mbi logjikën apo analizën, por më shumë mbi bindjet morale të individit të veçantë, mbi konceptimin e tij të ligjit natyror, mbi filozofinë e tij dhe fenë e tij. Si mund të shpjegohet logjikisht dhe analitikisht motivi për të cilin kufizimi i lirisë seksuale nga ana e qeverisë është përsosshmërisht kushtetuese në rastin e bigamisë, të adulterit e të inçestit dhe pse nuk është në rastin e raporteve homoseksuale? Vendimet mbi çështje të kësaj natyre, qofshin të marra demokratikisht nga shoqëria ose jo demokratikisht nga gjykatësit, nuk kanë të bëjnë aspak me logjikën apo me analizën. Kështu, duke mos mundur të mbështeten mbi asgjë konkrete, opinionet juridike do të transformohen në shpjegime filozofike apo poetike, si për shembull kjo: “Në qendër të lirisë qëndron e drejta për ta përkufizuar konceptimin duhur të domethënies së universit dhe të misterit të jetës njerëzore”. Kjo për një gjykatë sigurisht që nuk është situatë e bukur.

Do të kishin padyshim konsistencë më të madhe si vendime ligjore nëqoftëse do të mund të citonin autoritete në mbështetje të konkluzioneve filozofike, morale apo fetare që afirmohen dhe një autoritet i huaj fare mirë mund t’i shërbejë qëllimit. Arësyeja e tretë e këtij lloji është e natyrës së pastër pragmatik: t’i shtosh ligjin e huaj kutisë së instrumenteve ligjore në dispozicion të tyre është për gjykatësit një avantazh i madh, sepse e rrit në mënrë të konsiderueshme rrezen e autoritetit të tyre diskrecional. Për shembull, le të marrim ligjin europian për të mundur ligjet mbi sodominë, por, natyrisht, Europa nuk është përfaqësuese e opinionit botëror. Nga vendet europiane askush nuk e ndalon sodominë, jo domosdoshmërisht në forcë të vullnetit demokratik të çdo vendi të veçantë, por për shkak të uniformitetit të imponuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Kurse nga 51 vende afrikane, 33 e ndalojnë sodominë, në Amerikat e ndalojnë 8 vende në 43 të tilla, në Azinë Paqësore 27 vende në 47 të tilla dhe në Lindjen e Mesme 11 vende në 14 të tilla. Domethënë, pjesa tjetër e botës përgjithësisht është e ndarë përgjysëm lidhur me çështjen e sodomisë. Referimi i gjykatave me burime të huaja ka qenë selektiv edhe përsa i përket faktit kur mund të konsultohet ligji i huaj. Për shembull, edhe pse Shtetet e Bashkuara janë në minorancë në lejimin shteteve që ta ndalojnë sodominë, nuk janë të tilla në lejimin shteteve që të kufizojnë abortin. Sipas Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara janë sot një prej 53 vendeve që e lejojnë abortin e lirë, ndërsa 139 të tjerët e lejojnë vetëm në rrethana të veçanta ose e ndalojnë krejtësisht. Midis vendeve që në vitin 2001 Kombet e Bashkuara i kanë futur në listën e atyre që nuk e lejonin abortin e lirë qenë Anglia, Finlanda, Islanda, India, Irlanda, Japonia, Meksika, Zelanda e Re, Spanja, Zvicra dhe praktikisht e gjithë Amerika Jugore. Por Gjykata e Lartë përgjithësisht e ka injoruar ligjin e huaj kur ka gjykuar çështje që kishin të bënin me abortin. Çështja Casey nuk e përmend. Çështja Roe diskuton vetëm legjislacionin anglez, që gjithësesi është shumë më kufizues nga sa është stabilizuar nga ky vendim.

Do të bindem për aftësinë, ose për mundësinë, e respektit të ri akorduar nga Gjykata urtësisë së mendjeve të huaja vetëm kur do ta zbatojë këtë urtësi edhe në rastet e abortit. Shpresoj që ta kem shprehur qartë se bindja ime në faktin që përdorimi i ligjit të huaj në kuadrin e vendimeve tona kushtetuese përfaqësojë tendencën e të ardhmes nuk implikon aspak që unë ta konsideroj një gjë të mirë. Aspak. Njerëzit që kanë themeluar republikën tonë nuk dëshironin të imitonin europianët dhe aq më pak pjesën tjetër të botës. Duhet të ndryshojmë ide? Në kapitullin e 46-të të “Federalist”, James Madison flet me përbuzje për qeveritë europiane që “kanë frikë t’u besojnë personave të armatosur”. Duhet ta rishikojmë Amendamentin e Dytë për shkak të asaj që mendojnë vendet e tjera? Nëqoftëse e gjithë europa mendon se një masë e tillë nuk e kufizon në mënyrë të tepruar lirinë e fjalës, atëhere ndoshta duhet ta rikonsiderojmë? Padyshim, themeluesit e vendit tonë nuk e kanë çuar asnjëherë për së largu në mendje që amerikanët duhet të qeverisen në të njëjtën mënyrë si europianët dhe ndoshta gjërat nuk kanë ndryshuar. Rriskoj të them se shumë pak nga ne do të donin që jeta jonë dhe liria jonë t’i nënshtrohej autoritetit të drejtësisë penale franceze apo italiane, jo pse këto sisteme janë të padrejtë, por sepse mendojmë se i yni është më i miri. Unë besoj në ligjin natyror, por problemi këtu nuk është nëse ligji natyror ekziston. Problemi është nëse perceptimi i tij është edhe perceptimi i adoptuar demokratikisht nga populli. Mendoj se populli ka përgjegjësinë që të aderojë në ligjin natyror në ligjet që nxjerr.

Çështja është nëse u duhet lënë nëntë gjyqtarëve detyra që të zgjedhin për të gjithë vendin se cili është ligji natyror dhe nuk besoj se ka ndodnjë gjë në fjalët e Etërve Themelues që të na thotë se duhet bërë kështu. Për pasojë, nuk bëhet fjalë për një përplasje midis mbështetësve të ligjit natyror dhe mbështetësve të ligjit jonatyror. Bëhet fjalë për të përcaktuar se kujt, në një shoqëri demokratike, i takon detyra që të bëjë të pasqyrohet ligji natyror në kodin e ligjeve të vendit.

Antonin Scalia

I lindur në vitin 1936 në Trenton (New Jersey) në një familje katolike me origjinë italiane, Antonin Scalia ka studiuar në Georgetown University. Ka nëntë fëmijë dhe frekuenton një prej kishave të pakta të ritit parakonciliare të zonës së Washingtonit. Ka punuar në administratat Nixon e Reagan, i cili e emëroi në Gjykatën e Lartë në vitin 1986. Konservator ironik dhe i prerë, Scalia është teoricieni më i madh i “origjinalizmit”: “Njerëzit më pyesin: kur jeni bërë origjinalist?”, sikur të jenë duke më pyetur: kur kini filluar të hani mish njeriu?”. Në vitin 1996 ka shpjeguar se “nuk ka rëndësi nëse Etërit Themelues i kishin vënë një domethënie okulte kur i adoptuan këto fjalë. I bëj të miat sikur ia promulguan popullit të Shteteve të Bashkuara”. Është shprehur shumë herë kundër vendimit Roe kundër Wade të vitit 1973, i cili ka sanksionuar një të drejtë kushtetuese të abortit: “Nëqoftëse Kushtetuta e garanton, si mund ta konsiderosh pastaj të gabuar?”. Ka folur për “arrogancë cariste” të magjistratëve liberalë që kanë shënjtëruar “celofonin e subjketivitetit”. Në pakicë në vendimin e vitit 2005 që abrogoi dënimin me vdekje për minorenët, delaroi se gjykatësit e tjerë u kishin “bërë bisht ligjeve të dëshiruara nga popullit”, duke u shpallur “arbitri i vetëm i standardeve morale të vendit. E drejta nuk mund të zëvendësohet nga diktatura e një mazhorance që formohet herëpasëhere”. Është shumë i vlerësuar edhe nga kundërshtarët e tij pse i ka dhënë vlerë rëndësisë së vendimeve të mëparëshme. Lidhur me fenë thotë se “shteti dhe kisha nuk do të ishin një çështje kaq e vështirë sikur feja të ishte një vokacion pastërtisht personal që mund të shpërblehej në fshehtësi, ashtu si pornografia”.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Back to top button