Nuk kemi nevojë për liderë, as për heronj

liderë

Rebecca Solnit

Shpesh, shumë shpesh, ne e përkujtojmë historinë duke lartësuar një individ të vetëm, me një statujë, ose duke i vënë emrin e tij një vendi apo një dite feste. Disa statuja janë rrëzuar, në disa qytete të Shteteve të Bashkuara ato të gjeneralit Robert E. Lee janë zëvendësuar me të tjera kushtuar aktivistes kundër skllavërisë Harriet Tubman, por republikanët po përpiqen ta përmbysin këtë prirje. Së fundmi, administrata Trump vendosi një statujë të Kristofor Kolombit në kopshtet e Shtëpisë së Bardhë, një kopje e asaj që u hodh në ujërat e portit të Baltimorës në vitin 2020, gjatë protestave të lëvizjes Black Lives Matter kundër racizmit dhe kolonializmit.

Ndoshta epoka e heronjve po merr fund.

Këtë vit, Jon Wiener, drejtori i revistës The Nation, ka propozuar për Çmimin Nobel për Paqen qytetin e Minneapolis-it, për guximin dhe solidaritetin e qytetarëve të tij në kundërvënien ndaj ICE. Fitimi i Nobelit është një mundësi e largët, por banorët e Minneapolis-it dhe St. Paul-it kanë marrë tashmë çmimin Profile in Courage, i emërtuar sipas John F. Kennedy-t, “për rrezikimin e jetës së tyre në mbrojtje të fqinjëve dhe komunitetit të migrantëve”.

Më 31 mars, Kalifornia festoi për herë të parë Ditën e Punëtorëve në Bujqësi (Farmworkers Day), një festë e shpallur me nxitim nga parlamenti i shtetit pas zbulimeve për abuzime seksuale të kryera nga César Chávez, sindikalisti i famshëm i punëtorëve të tokës. Ndoshta po kuptojmë se shpesh heroi është kolektiviteti, lëvizja, komuniteti, dhe se nxjerrja nga masa e një individi për ta shenjtëruar nuk funksionon. Shumë njerëz të shndërruar në heronj gjatë jetës së tyre kanë bërë gjëra për të cilat nuk e meritonin atë vlerësim.

Por edhe kur jetët e tyre janë të papërlyera, bota nuk ndryshon vetëm falë individëve të veçantë. Ndonjëherë një person, një shkrimtare, një predikues, një vizionar, frymëzon masat. Ndonjëherë ai punon me një grup. Këta njerëz shpesh quhen liderë, por unë i konsideroj katalizatorë.

Të quash dikë lider do të thotë në mënyrë të nënkuptuar t’i konsiderosh të gjithë të tjerët si ndjekës. Ndjekësit binden, si një tufë, ndërkohë që në shumë revolta dhe lëvizje, secili ka zgjedhur vetë të jetë aty.

Fjala “lider” ndoshta vjen nga një kohë kur komandantët ushtarakë drejtonin trupat në betejë. Megjithatë, pothuajse të gjitha ndryshimet e dekadave të fundit nuk janë realizuar me armë. Motori i shumicës së lëvizjeve demokratike përbëhet nga njerëz që marrin pjesë në vendimmarrje. Në këtë moment, ne po përpiqemi të mbrojmë demokracinë, dhe demokracia brenda lëvizjeve është thelbësore.

“Aquí manda el pueblo y el gobierno obedece”, këtu populli komandon dhe qeveria bindet, ishte një slogan i zapatistëve, revolucionarëve indigjenë që në vitin 1994 u ngritën në jug të Meksikës. Një katalizator është dikush që di të motivojë njerëzit dhe të mbajë bashkë grupin. Por nuk ka katalizator nëse nuk ka një popullsi për t’u katalizuar, për ta drejtuar drejt një komuniteti ose një lëvizjeje. Çmimi Nobel në dekadat e fundit u është dhënë shpesh organizatave kolektive, si Qendra për Liritë Civile (e themeluar në Kiev), Programi Botëror i Ushqimit dhe Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (në kohën e Al Gore).

Gjithmonë kam menduar se heronjtë e filmave aksion të Hollivudit u japin njerëzve një ide të gabuar për mënyrën se si realizohet ndryshimi. Shpesh bëhet fjalë për burra muskulozë ose të armatosur rëndë, talenti i vetëm i të cilëve është dhuna trup më trup.

Është e qartë se njerëzit e administratës Trump kanë parë shumë nga këta filma: sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth dhe drejtori i FBI-së Kash Patel duket se besojnë se vartësit e tyre duhet të përqendrohen në luftimin trup më trup.

Patel madje ka ftuar disa luftëtarë të UFC-së, organizata amerikane e arteve marciale mikse, për të “trajnuar” agjentët e FBI-së.

Herojtë e Minneapolis-it nuk kanë përdorur dhunë: ata u përballën me pushtues të armatosur në kushte të ftohti të ashpër, ditë pas dite, dhe vazhdojnë t’u çojnë ushqime njerëzve që nuk mund të dalin nga shtëpia, duke shoqëruar fëmijët e tyre në shkollë.

Ata kanë pasur një ndikim të madh në mbrojtjen e lagjeve të tyre. Dhe, si njerëzit në Los Angeles, Charlotte, Chicago dhe Memphis, janë bërë frymëzim për të gjithë të tjerët.

Edhe pse festa e punëtorëve bujqësorë lindi nga një rrethanë e pakëndshme, ajo është një gjë e dobishme në Kaliforni, ku shumica e punëtorëve të tokës janë emigrantë, ashtu si njerëzit e përndjekur nga ICE. Do të ishte e përshtatshme ngritja e një monumenti për punëtorin e panjohur të tokës, ose më mirë për miliona punëtorë që kanë qenë ndër vite. T’u kushtosh një ditë atyre do të ishte një fillim.

Rebecca Solnit është shkrimtare amerikane / The Guardian – bota.al

Back to top button