Sport

“Nuk më duhet Champions për të mendur për time bijë. E kam gjithmonë me vete”

Luis Enrique falënderoi tifozët e Paris Saint-Germain për një “homazh të bukur” ndaj vajzës së tij të ndjerë, Xana, por tha se atij nuk i duhej të fitonte finalen e Ligës së Kampionëve për ta pasur atë në mendje.

Spanjolli kishte folur për Xana-n, e cila ndërroi jetë në moshën nëntëvjeçare në vitin 2019 pas një beteje me kancerin e kockave, gjatë gjithë përgatitjeve për ndeshjen e madhe të së shtunës mbrëma kundër Interit në Mynih.

PSG prodhoi një paraqitje të shkëlqyer për të mposhtur skuadrën italiane 5-0 dhe për të fituar për herë të parë në histori kompeticionin më të madh të klubeve në Evropë.

Trajneri 55-vjeçar kishte veshur një bluzë në nder të Xana-s gjatë festimeve të pas-ndeshjes, ndërsa tifozët shpalosën një pankartë përkujtimore, frymëzuar nga fotografia e famshme e të dyve pas finales së Ligës së Kampionëve të vitit 2015, ku ajo nguli flamurin e Barcelonës në fushën e Berlinit.

“Ishte shumë emocionale,” tha Luis Enrique në konferencën për shtyp pas ndeshjes. “Eshtë bukur të mendosh se tifozët kanë menduar për mua dhe familjen time, por nuk kam nevojë të fitoj Ligën e Kampionëve, apo ndonjë ndeshje, për të menduar për vajzën time. Ajo është këtu, duke na mbështetur familjarisht. Ne e ndiejmë praninë e saj edhe kur humbasim. Gjithçka ka të bëjë me atë çfarë kemi kaluar bashkë dhe se si të nxjerrim diçka pozitive, nga një përvojë negative. Kjo është mendësia ime, mendësia jonë si familje. Ishte fantastike të shihje këtë, por nuk më duhet një trofe për të menduar për vajzën time. Ajo është gjithmonë këtu.”

PSG zhvilloi një lojë dominuese për të mposhtur Interin, me Achraf Hakimi dhe Desire Doue që shënuan në pjesën e parë, ndërsa Doue, Khvicha Kvaratskhelia dhe Senny Mayulu shënuan në pjesën e dytë për të siguruar fitoren më të thellë ndonjëherë në një finale të Ligës së Kampionëve.

“Në ditën time të parë te PSG, kur frëngjishtja ime ishte edhe më e keqe se tani, thashë se qëllimi im përfundimtar ishte të mbushja raftin e trofeve,” shtoi trajneri i PSG-së.

“I vetmi trofe që mungonte ishte Liga e Kampionëve, dhe ja ku jemi. E arritëm edhe këtë objektiv, ishim ambiciozë dhe do të vazhdojmë të përpiqemi të pushtojmë botën e futbollit. Është fantastike kur mund t’i bësh të lumtur njerëzit që nuk i njeh. Tifozët tanë ishin lojtari i 12-të në fushë, skuadra reflekton mbështetësit që kemi. Jam shumë i lumtur, nuk di çfarë tjetër të them.” / bota.al

Back to top button