Bota

Ofensiva e vonuar turke mbi ISIS sipas motos: Me një gur vras dy zogj…

55b324e9c46188ca2e8b45c6

Turqia po bombardon si Shtetin islamik, ashtu edhe kurdët e lidhur me luftëtarët që po përballen me Kalifatin.

Nga Cassandra Vinograd “NBCNews”

Vendimi i papritur e Turqisë, për t’u hedhur në luftë kundër ISIS-it përmes sulmeve ajrore, duhej të cilësohej si një fitore për SHBA-në. Por marrëveshja që pasoi operacionet ushtarake të ditëve të fundit, i ka futur aleatët e saj në telashe.

ISIS-i nuk eshte objektivi i vetëm i sulmeve të freskëta të Ankarasë:avionët luftarakë turq, kanë filluar bombardimin edhe të luftëtarëve kurdë, të lidhur me forcat që po përballen me Shtetin Islamik. Pra pse Turqia po lufton në të dyja frontet e së njëjtës luftës? Kjo eshtë një përgjigje e komplikuar.

Mungesa fillestare e entuziazmit të Turqisë ndaj koalicionit anti-ISIS, nuk u prit mirë:aleati kyç i SHBA-së, krenohet me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, pasjen e një pozicioni të rëndësishëm gjeografik, me ndarjen e kufijve të gjatë me Sirinë dhe Irakun.

Ndërsa Ankaraja kishte deri javën e shkuar prioritet, rrëzimin nga pushteti të presidentit sirian Bashar Al-Asad mbi angazhimin e drejtpërdrejtë në luftën kundër militantëve sunitë, kjo politikë ndryshoi rënjësisht pas sulmit vdekjeprurës të ISIS-it në qytetin turk të Suruçit.

Megjithatë koha e fillimit të sulmeve të Ankarasë kundër ISIS-it, ka ngritur pikpyetje nëse mposhtja e ekstremistëve është thjesht një pretekst për të avancuar axhendën politike të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Dhe kjo për shkak, se ndërsa avionët luftarakë turq goditën objektivat e ISIS-it në Siri, njëkohësisht bombarduan kampet në veri të Irakut, që i përkasin Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK.

Këto sulme, asgjësuan efektivisht marrëveshjen jo shumë të qëndrueshme të vitit 2013 për nje armëpushim midis Turqisë dhe grupit që ka zhvilluar një kryengritje 30-vjeçare. Vetë Erdogan ofroi një shpjegim të thjeshtë dhe të prerë mbi sulmet e njëkohshme:ISIS-i është organizatë terroriste, dhe PKK gjithashtu. Në fakt, edhe SHBA e Bashkimi Evropian gjithashtu e konsiderojnë PKK një organizatë terroriste. “Është e lehtë të hysh në një luftë, shumë e vështirë për të dalë nga ajo”
Por, ndërsa Turqia nuk bën asnjë dallim midis kërcënimeve – duke bërë thirrje për një takim të rrallë urgjent në selinë e NATO-s të martën që vjen – kjo nuk është kaq e thjeshtë për SHBA-në. PKK ka lidhje me milicët kurdë të mbështetur nga Uashingtoni, që luftojnë kundër ISIS-it në veri të Sirisë dhe këta luftëtarë -të njohur si YPG – kanë qenë mjaft të dobishëm në rimarrjen e territorit të pushtuar më herët nga Shteti Islamik.

“Eshtë një rrëmujë”-u shpreh analisti turk Fadi Hakura për “Chatham House” një think tank me qendër në Londër. “YPG janë aleatë të SHBA-së, por një armik i Turqisë”. Kjo i ka lënë dy aleatët me interesa të kundërta në të njëjtën luftë, dhe vendosur SHBA në një pozicion kompromentues;të sigurojë dhe përforcojë pjesëmarrjen e Turqisë në koalicionin anti-ISIS, pa humbur një nga aleatët e paktë të besueshëm, që ka në veri të Sirisë.

“Është një akt balancues shumë delikat dhe kompleks, që SHBA-ja do të duhet të ndërmarrë për të mbajtur Turqinë në anën e saj në luftën kundër Shtetit Islamik, dhe vazhduar bashkëpunimin ushtarak dhe koordinimin me YPG në veri të Sirisë”- deklaroi Hakura.

Ajo që e ndërlikon më tej këtë çështje, është se çdo fitim territorial për YPG – dhe pozitive për SHBA-në – përbën një këmbanë alarmi për Turqinë. Turqia është shtëpia e popullsisë më të madhe kurde në rajon, dhe Ankaraja ka qenë e shqetësuar nga aspiratat kurde për një shtet autonom, që nga rënia e Perandorisë Osmane.
Ege Seckin, një analist Turqi për “IHS Country Risk”, tha se qeveria turke është “e habitur” për të perceptuar sukseset e fundit kurde dhe fitimet territoriale gjetiu, si një kërcënim që e krijon momenti.

Perspektiva e përpjekjeve kurde për nje shkallë më të lartë të autonomisë, renditet më lart si kërcënim për qeverinë turke sesa ISIS, shton Seckin. “Interesi i Turqisë është të luftoje PKK. ISIS-i përbën një shqetësim dytësor nga pikëpamja e Ankarasë”- shton ai.
Kjo mosmarrëveshje themelore mbi perceptimin e kërcënimeve, mund të pengojë efektivitetin e përpjekjeve për të luftuar ISIS në veri të Sirisë – një shqetësim pa dyshim i madh për SHBA-në, por potencialisht më i vogël për Turqinë.

Kjo është arsyeja pse ka plot spekulime, se Erdogani mund të ketë përfituar nga çështja e Shtetit Islamik – dhe angazhimi amerikan në përmbajtjen e militantëve – për të çuar përpara një objektiv konkurrues.

Disa analistë, dyshojnë Turqia mund të ketë rënë dakord për të sulmuar ISIS-in, në kushtet e mbështetjes së SHBA për një “zonë të sigurtë”, përgjatë kufirit sirian në një rrip territori të kontrolluar nga militantët dhe grupe të tjera rebele. Për Turqine, një zonë e tillë të sigurt do të rrisë me tej shanset për rrëzimin e Asad nga pushteti, dhe për të parandaluar kurdët nga themelmi i një shteti të pavarur.

Politika e brendshme gjithashtu ka ndikimet e veta në këtë qasje. Partia e Erdoganit, ka humbur shumicën e saj të thjeshtë në parlament në zgjedhjet e qershorit – dhe partia kryesore politike turke e kurdëve pati një rezultat mbresëlënës.

Cilatdo qofshin motivet përfundimtare dhe lëvizjet e ardhshme, ekspertë si Hakura thonë se Erdogan po luan me zjarrin. “Kjo është një lojë shumë e rrezikshme-” paralajmëron Hakura. “Është e lehtë të hysh në një luftë, por shumë e vështirë për të dalë prej andej”

Leave a Reply

Back to top button