Logjika e një goditjeje të kufizuar ndaj Iranit: pse Trump mund të synojë Pasdaranët dhe energjinë iraniane

Në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, vëmendja ndërkombëtare po përqendrohet sërish te mundësia e një goditjeje të kufizuar amerikane ndaj Iranit. Sinjalet politike dhe deklaratat e fundit sugjerojnë se një veprim ushtarak i shpejtë dhe simbolik mund të jetë pjesë e strategjisë për të rritur presionin ndaj Teheranit, pa u përfshirë në një konflikt të zgjatur. Në këtë skenar, objektivat nuk do të ishin figurat më të larta të regjimit, por strukturat kyçe të pushtetit, ekonomisë dhe kapacitetit strategjik iranian.
“Kam fuqinë të shkatërroj një vend, por jo të vendos tarifa doganore.” Pasi alternativa e dytë dështoi, Donald Trump mund të rikthehet te e para. Fjalia e shqiptuar gjatë konferencës për shtyp, ku ai sulmoi Gjykatën Supreme, e cilësuar si përgjegjëse për delegjitimimin e luftës së tarifave, lë të kuptohet për një sulm ndaj Iranit që mund të jetë planifikuar që për sot ose nesër.
Jo një sulm përfundimtar, por një lloj paralajmërimi që do të mjaftonte për t’u bërë tema kryesore e fjalimit për “State of the Union”, që presidenti duhet të mbajë të martën. Sepse alternativa tjetër e Donald Trump do të ishte një fjalim mbrojtës për veten, dhe kjo nuk është në stilin e tij.
Megjithatë, një sulm ndaj armikut me të cilin Shtëpia e Bardhë përballet prej 47 vitesh nuk mund të përfshijë rreziqe të mëdha. Të paraqitesh në Kongres me rrezikun që të duhet të justifikosh humbjen qoftë edhe të një avioni mbi qiellin iranian do të ishte një tjetër dështim i rëndë. Dhe Trump nuk mund ta përballojë këtë tani. Prandaj, goditja mund t’u besohet raketave BGM-109 Tomahawk, të lëshuara nga shkatërrues dhe nëndetëse, të afta të godasin me saktësi ekstreme objektiva deri në 2 mijë kilometra larg, pa rrezikuar menjëherë jetën e personelit apo mjeteve amerikane.
Objektivat në rast goditje ndaj Iranit
Por cilat mund të jenë objektivat? Duke qenë se bëhet fjalë për një paralajmërim që synon ta detyrojë kundërshtarin të negociojë, duke shmangur një luftë të gjatë që mund të kthehej kundër Shtëpisë së Bardhë, përjashtohet një përpjekje për të “prerë kokën” e regjimit.
Eliminimi i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei do ta vinte Uashingtonin përballë rrezikut të negocimit me një lider edhe më radikal, të dalë nga radhët e Gardës Revolucionare.
Më i mundshëm është një sulm ndaj vetë Gardës Revolucionare, edhe për shkak të rolit të saj në vrasjen e mijëra protestuesve. Ndër objektivat më të mundshëm, të dy të vendosur në zemër të Teheranit, janë qendra e komandës së Gardës Revolucionare dhe selia Thar Allah, e përdorur për të koordinuar shtypjen e protestave në kryeqytet.
Këto objektiva do t’i përgjigjeshin nevojës për të “ndëshkuar” përgjegjësit për masakrat dhe njëkohësisht për të nxitur dezertime nga ushtria dhe forcat e rendit që mund të rreshtohen me opozitën në rast protestash të reja.
Për këtë arsye, të paktën në këtë fazë të parë, përjashtohen sulmet ndaj kazermave të ushtrisë ose forcave të tjera të armatosura që nuk janë të lidhura ideologjikisht me regjimin. Shumë më të mundshme janë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.
Breshëri raketash Tomahawk
Një breshëri raketash Tomahawk mbi terminalin e Khargut, ku ruhen 20 milionë fuçi naftë, do të dëmtonte rëndë eksportet e naftës. Shkatërrimi ose dëmtimi i rafinerive të Abadanit, Isfahanit dhe Bandar Abbasit, tre më të mëdhatë në vend, do ta paralizonte Republikën Islamike dhe do të rriste edhe më shumë pakënaqësinë popullore.
Po ashtu, shkatërrimi i porteve Shaheed Rajaee, në veri të Ngushticës së Hormuzit, dhe Chabahar, në Gjirin e Omanit, do të paralizonte tregtinë dhe do ta përkeqësonte ndjeshëm situatën ekonomike të vendit.
Sigurisht, ndër objektivat e mundshme janë edhe qendrat e kërkimit bërthamor, të goditura tashmë qershorin e kaluar, objektiva të domosdoshëm për të shpallur se është frenuar gara bërthamore e Iranit. / bota.al