
Orët e fundit të Udhëheqësit Suprem. Zëra dhe përgënjeshtrime gjatë gjithë pasdites, më pas konfirmimet. Në llogarinë X të diktatorit shfaqet mesazhi: “Paqja qoftë me të”.
JERUZALEM – “A mund ta kapim Khamenein siç bëmë me Maduron?”. Donald Trump mund t’ua ketë bërë këtë pyetje gjeneralëve të Pentagonit. Urdhëri duket se u kthye në: “Eliminojeni”.
Selia qendrore e Udhëheqësit Suprem iranian ishte dje në mëngjes objektivi i parë i sulmit izraelito-amerikan dhe u rrafshua përtokë. Vetëm në mbrëmje, pas një vale zërash, rrjedhjesh informacioni dhe përgënjeshtrimesh, erdhi epitafi i Trump në rrjetin e tij social Truth: “Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur”. Më pak se një orë më vonë mbërriti konfirmimi në llogarinë X të ish-Udhëheqësit Suprem: “Në emër të Aliut, paqja qoftë me të”.
Trump u kurorëzua me dafina.
Fundi i udhëheqësit suprem dhe mesazhi i Trumpit
“Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin iranian, por për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe për njerëzit e shumë vendeve në mbarë botën që janë vrarë ose gjymtuar nga Khamenei dhe banda e tij e kriminelëve të përgjakshëm. Ai nuk ishte në gjendje të shmangte sistemet tona shumë të sofistikuara të inteligjencës dhe gjurmimit dhe, duke punuar me Izraelin, nuk kishte asgjë që ai, apo liderët e tjerë të vrarë me të, mund të bënin. Kjo është mundësia më e madhe për popullin iranian që të rimarrë në duar fatet e vendit të vet”.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kishin tentuar tashmë të eliminonin Udhëheqësin Suprem iranian gjatë Luftës së 12 Ditëve në qershorin e kaluar. Dje ia dolën. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi kishte deklaruar: “Për aq sa di unë, ai është ende gjallë, ashtu si shumica e gradave më të larta”. Ndërsa kryeministri izraelian Netanyahu i tregoi Trumpit madje edhe një fotografi të trupit.
Khamenei i shpuar nga copëza metalike, por i dallueshëm. Një shenjë se si Mossadi është i infiltruar në aparatin e pushtetit të Republikës Islamike. Sipas ish-kreut të shërbimeve sekrete izraelite, Amos Yadlin, “ka gjasa që ora e sulmit të jetë përcaktuar nga burime të inteligjencës mbi lëvizjet e objektivave më të rëndësishëm”.
E thënë ndryshe, kur morën konfirmimin për praninë e Khameneit, goditën.
Goditje spektakolare
Eliminimi i Udhëheqësit Suprem është një goditje spektakolare, provë e mëtejshme e një epërsie ushtarake dërrmuese. Megjithatë, në tërësi, fundi i Khameneit ka një peshë relative mbi qëndrueshmërinë e strukturës së ndërlikuar komanduese iraniane. Vlera simbolike është më e madhja. Fundi i tij mund të nxisë ndoshta atë revoltë popullore që Izraeli dhe SHBA i kërkojnë opozitës iraniane.
Për këtë arsye, lajmi për vdekjen e tij vlen sa, ose më shumë se bombat.
Opozita në mërgim publikoi menjëherë në kanalet e saj video me thirrje në rrugët e disa qyteteve iraniane. Njerëz që festonin “vdekjen e diktatorit”. Djali i ish-shahut të Iranit, Reza Pahlavi, shkroi në X se tani “Republika Islamike do të hidhet shpejt në koshin e historisë”, por ai nuk duket kandidati i Izraelit dhe SHBA për pasardhës.
“Shpresoj, shkruan Trump, që Pasdaranët dhe policia t’u bashkohen patriotëve iranianë dhe të punojnë së bashku për t’ia rikthyer vendit madhështinë që meriton”. Është parafraza e zakonshme e “Make America Great Again”. “Procesi, paralajmëron presidenti amerikan, duhet të nisë shpejt, ndoshta po atë ditë kur jo vetëm u vra Khamenei, por vendi u shkatërrua. Bombardimet e rënda dhe të sakta do të vazhdojnë pa ndërprerje gjatë javës ose për aq sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivin tonë të paqes në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”.
A do ta dëgjojë dikush?
Shërbimet e fshehta
Epërsia e inteligjencës së përbashkët izraelito-amerikane i ka shtyrë drejtuesit më të ekspozuar të kufizojnë komunikimet digjitale. Lokalizimi i telefonave, përgjimet, njohja e zërit, aktivizimi në distancë i kamerave janë bërë, falë inteligjencës artificiale, jashtëzakonisht efektive. Mjafton një emër, një numër, për të nisur gjuetinë digjitale.
Rreziku i përgjimeve dhe pavarësia e aparateve mund të bëhen pengesë për një ndryshim regjimi të butë e konsensual.
Mossadi po shtyn edhe në këtë drejtim. Ka hapur një kanal Telegram në gjuhën farsi të quajtur “Freedom Iran”, ka përhapur njoftimin e Trump për vdekjen e Khameneit dhe thirrjen për grusht shteti. Komenti përfundimtar, në anglishte të kuptueshme për këdo, është: “bye bye ayatollah”. / bota.al